Vijon aksioni i IKMT në Vlorë, Balla: Jo më “varreza” makinash në anë të rrugëve

14
Sigal

Qarku i Vlorës ishte ndalesa e radhës e Ministrit të Brendshëm Taulant Balla, ku ndoqi nga afër një aksion të IKMT në bashkëpunim me Policinë, për pastrimin e hekurishteve të makinave të përdorura që shiten me pjesë.

Ministri Balla theksoi se dyndja e turistëve drejt Vlorës vjen për shkak të bukurive natyrore dhe pamjeve tërheqëse por nëse këto bukuri natyrore deformohen me “varreza makinash”, atëherë nuk kanë më vlerë.

Ai zhvilloi një bashkëbisedim me një pronar biznesi, i cili kishte një pikë grumbullimi çmontimi mjetesh të vjetra të përdorura që shiten për pjesë këmbimi.

Sipas praktikës së ndjekur për këtë aksion të IKMT, fillimisht bëhet njoftimi për heqjen vullnetare të mjeteve, duke përcaktuar edhe një afat të arsyeshëm kohor. Vetëm nëse shtetasi nuk bashkëpunon, atëherë vijohet me ndërhyrjen e strukturave të IKMT dhe policisë.

Duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së ambientit, aseteve turistike në bregdetin e Vlorës, Balla tha se “e rëndësishme është që të pastrohen të gjitha këto pikat e mjeteve të përdorura. Vlora është kryeqyteti i turizmit. Nuk duhet të lëmë asnjë varrezë makinash, asnjë vendgrumbullim mbetjesh. Edhe sipërmarrjet, baret, restorantet duhet të kuptojnë që njerëzit shkojnë aty, për atë bukurinë. Bukuria, po u prish me mbetje, me inerte, nuk ka vlerë”.

Balla2

Ministri vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët për të realizuar sa më mirë këtë aksion për pastrimin e territorit.

“Këtë gjë nuk e bën vetëm Policia. Këtu është roli i INUV, IKMT, bashkë me Policinë, por dhe me komunitetin vlonjat, të cilët e duan Vlorën. Duhet ta mbajnë pastër këtë vend. Vlora është një zonë turistike 365 ditë dhe fokusi ynë është që ta adresojmë këtë situatë,” tha ministri i Brendshëm.

Gjatë këtij inspektimi Balla shoqërohej nga Kryeinspektori i IKMT Ervin Hoxha, Drejtori i DVP Vlorë Ermal Muça dhe punonjës të Policisë e IKMT së Vlorës. Aksioni për pastrimin e territorit vijon në të gjithë vendin.