Vetingu i policisë një domosdoshmëri, për qytetarin, policinë dhe vendin

920
Fejzo Subashi

Projekti i ministrit Xhafaj, i cili është në fazën e implementimit, për vetingun e policisë është një hap i rëndësishëm dhe shumë i domosdoshëm, jo vetëm për policinë, por për gjithë institucionet dhe vendin. Gjykoj dhe mendoj, se ky vendim, ka jo vetëm benefitet, por edhe risitë e veta, të cilat duhet të jenë sa më të minimizuara dhe me sa më pak kosto. Vlerësoj kështu pasi shpesh i është mëshuar më shumë politizimit dhe kriterit politik sesa meritokracisë. Nga përvojat e deri tanishme në lidhje me reformat e bëra konstatojmë dhe rezulton se, rezultatet dhe pritshmëria nuk kanë qenë ato që kërkonim të arrinim. Nëpërmjet këtij vetingu duhet të synojmë mbi të gjitha që punonjësi i policisë të jetë profesionist, dhe kur themi profesionist i kemi thënë të tëra. Ndryshe do të na ndodhë si në vitet 92-93, ku për arsye të politizimit e lamë Shqipërinë pa polici, duke nxjerrë në lirim gjithë oficerët e karrierës, duke larguar më të aftët, thjesht me arsye se i kishin shërbyer dhe ishin shkolluar në tjetër sistem dhe i zëvendësuam më gjithçka, por jo më profesionistë. As reformat e tjera nuk kanë qenë, jo vetëm të suksesshme, por mbi të gjitha i kanë kushtuar dhe shumë kosto vendit, pasi kemi larguar mjaft profesionistë dhe më trajnime të shumta me taksat e shqiptarëve, vetëm për suport politik. E nisa kështu opinionin tim në lidhje me këtë temë për policinë, pasi realisht policia e një vendi ka jo vetëm funksionin, por edhe rolin e saj historik dhe është pasqyra e shtetit. Gjykoj se në implementimin e këtij projekti duhet të kalojnë edhe ata që japin rekomandime apo marrin përsipër emërimet, dhënien e gradave, titujve dhe ofiqeve për policinë në përgjithësi dhe sidomos për karrierat e tyre. Mendoj se ky veting do të nxjerrë edhe gabimet, apo mos dhënien e vendit dhe meritës së merituar të ndonjë punonjësi, ku pa dyshim edhe ndonjërit me apo pa arsye, me apo pa shkak mund t’i keni hyrë në hak, duke mos e emëruar në vendin e duhur, apo duke mos i dhënë gradën e merituar. Në këtë konkluzion arrij, pasi ndeshemi dhe përballemi çdo ditë me policinë. Jo vetëm që konstatojmë, por arrijmë edhe në konkluzione, se ka punonjës të devotshëm, të kulturuar, profesionistë, të ndershëm që vërtet e meritojnë të jenë pasqyra e medaljes së duhur të një shteti, ashtu siç përballemi dhe ndeshemi me punonjës drejtues policie arrogantë prepotentë, të pa aftë, mediokër, që pasqyrojnë qartë prejardhjen, arsyen e ardhjes apo marrjes së postit dhe medaljen më të errët të një shteti, Para ca ditësh, rastësisht në një fshat të thellë dhe të largët të Përmetit dhe konkretisht të Bashkisë Këlcyrë, isha prezent në një konflikt që ndodhin shpesh dhe rëndomtë, thuajse çdo ditë dhe kudo dhe jo vetëm në Shqipëri. Shumë shpejt dhe bile në kohë rekord prezent u bë edhe policia. Sjellja dhe profesionalizmi i tyre më lanë jo vetëm shijen e mirë, por më bënë krenar, si dhe të ndjehem mirë për këtë lloj policie. Sinqerisht, e them se ajo sjellje policie i shkon dhe i takon qytetarisë, kulturës dhe banorëve të Përmetit. Nuk e di, nëse do e meritonin qytetarët përmetarë një sjellje arrogante apo mungesë profesionalizmi të policisë. Nuk e di, sesi i kanë emëruar N/Komisar Adriatik shehun shef në Këlcyrë, N/Komisar Shpëtim Makashi shef i krimeve Përmet, nuk e di se a përpurthen gradat e titujt me funksionin dhe vendin që kanë, nuk di se çfarë funksionesh kanë pasur më përpara, ashtu siç nuk di, se çfarë mbështetje e suporti politik kanë këta zotërinj. Por një gjë e di shumë mirë, ata janë vërtet punonjës të një policie që duam, përfaqësues dinjitozë të një shteti që kërkon të integrohet në BE. Realisht mendoj dhe gjykoj se ata i bëjnë nder Përmetit dhe qytetarit përmetar me punën dhe përkushtimin e tyre, por gjykoj se me problematikat dhe nevojat që ka për punonjës të tillë do ishte mirë që Ministri, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, t’i çonte atje ku nevoja për punonjës të tillë është shumë herë më e nevojshme sesa në atë zonë, ku jo vetëm krimet, por edhe konfliktet janë me pikatore. Nuk mund të them se të gjithë punonjësit e policisë, jo vetëm në vend por edhe në Përmet janë model, të kulluar, profesionistë të arrirë, pasi: dhe atje ka vemje, krimba apo pleshta, të cilët kushtojnë sa një Kg djathë dhe shiten sa një Kg gjizë. Ka, edhe atje punonjës të cilët janë ngulur si çiban të këqij e të gangrenizuar, që për vite e vite të tëra mbajnë të tilla poste, nuk kanë zbuluar as edhe një krim, megjithëse janë “krime për të qeshur” vjedhje shpie dhe ndonjë pompë uji apo pulë fshati… Si ku do, edhe atje ka punonjës policie, të cilët më shumë rrinë pas fustanit, apo biznesit të gruas, sesa pranë detyrës dhe përkushtimit ndaj saj. Këta mjeshtër të kurvërisë së sjelljes, të cilët shquhen herë si demokratë të flaktë dhe herë si rilindës të thekur, që bëjnë gjithçka, por vetëm detyrën nuk arrijnë të bëjnë si duhet, arrijnë dhe i rezistojnë, kohëve, sistemeve dhe reformave. Këta nuk janë individë apo mostra të veçanta dhe në vende e zona të izoluara, por i gjen në të gjithë kapilarët e policisë së shtetit, ndaj vetingu duhet t’i zhdukë, jo vetëm nga radhët e policisë, por nga faqja e dheut. Aq më keq është kur punonjës të policisë bëjnë edhe më të keqen, në vend që të zbulojnë krimin, të zgjidhin problemin, ata fshijnë edhe provat për një kafe të zezë, siç ndodh rëndomtë në aksidentet e mjeteve motorike, jo vetëm nëpër rrugët e Shqipërisë, por mu në qendër të Tiranës. Si, mund të kesh besim, apo të shpresosh të policia, kur punonjës të saj bëhen palë, apo pjesë e krimit, apo kur eksperti i policisë që paguhet nga taksat e qytetarëve, i shpërfill, i përbuz, i degjeneron, qytetarët dhe drejtuesit e mjetit. Arrin deri aty sa ta bëjë ekspertizën pa dalë nga makina, pa parë vendin e ngjarjes, pa parë provat. Ky zotëri mund të jetë një qytetar, familjar dhe një shok, por kurrsesi një punonjës policie. Përkushtimi, këmbëngulja e Mitat Tolës, Erion Ahmeti, Taulant Gjokës dhe qindra punonjës policie, të cilët kërkojnë me profesionalizmin e tyre të kemi rend, qetësi dhe siguri, vështirë se do të arrijmë, nëse kemi nëpër strukturat e policisë së shtetit këto lloj mostrash. Le ta pastrojmë policinë nëpërmjet këtij vetingu, nga çibanët, mostrat, vemjet, krimbat, nga ata që realisht jo vetëm e mbajmë peng, por edhe e dëmtojnë Policinë. Vetingu pa dyshim që të ketë prioritet edhe pasurinë e punonjësve të policisë, mënyrën sesi është vendosur ajo, por mbi të gjitha t’i mëshojmë profesionalizmit, si kriter bazë, për të arrirë të objektivi i Qeverisë, për një polici që duhet të jetë në shërbim të qytetarit, komunitetit, shtetit dhe vendit. Për një polici që të pasqyrojë fytyrën e një shteti, që kemi nevojë dhe dëshirojmë. Një polici që ta kemi si benefit për integrimin në BE, jo një polici që në strukturat e saj të ketë elementë të inkriminuar dhe mbështetës të krimit, që të bëhet pengesë serioze si është deri më sot. Shpresoj shumë që vetingu në polici, ku tashmë nuk është thjesht më një ide, por në fazën e implementimit, me gjithë resitë e tij, si përfundim të na dhurojë policin dhe policinë që meritojnë taksapaguesit e këtij vendi.
Sigal