Vetëm një shoqëri e shëndoshë demokratikisht mund të prodhojë drejtësi të shëndoshë demokratikisht

176
Sigal

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Sfidat aktuale të sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe proceset e demokratizimit”, organizuar nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.

Në fjalën e tij me temë “Nuk ka pavarësi gjyqësore pa demokraci dhe nuk ka demokraci pa pavarësi gjyqësore”, Inspektori i Lartë i Drejtësisë tha se hapja e negiociatave të antarësimit është një sfidë historike për ne dhe përballë këtij synimi jemi të vetëdijshëm për nevojën që modeli ynë i shtetit të së drejtës duhet të jetë i krahasueshëm me vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ndaj, reformën në drejtësi e kemi renditur si një prioritet kryesor, jo thjesht si një detyrim politik përpara Bashkimit Evropian, por më së shumti si një vlerë shoqërore e themelore për zhvillimin e Shqipërisë.

Prandaj, – tha Z. Metani, krijimi i një sistemi gjyqësor të pavarur është sfida kryesore e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, pasi është parakusht për sundimin e ligjit dhe thelbësor për funksionimin e demokracisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Një nga sfidat kryesore të organeve të reja të sistemit të drejtësisë ka qenë dhe mbetet krijimi i një sistemi gjyqësor të pavarur. Synimi është reformimi i sistemit në atë menyrë që të funksionojnë mekanizma të qëndrueshme për spastrimin e sistemit nga elementet abuzues me ligjin dhe detyrën, por njëherësh edhe të garantojnë forcimin e mëtejshëm të pavarësisë dhe lirisë kushtetuese të sistemit gjyqësor, pasi pavarësia e gjyqtarëve dhe gjykatave qëndron në themel të mirëfunksionimit ose jo të një shteti demokratik. Pavarësia është parakusht i sundimit të ligjit.”

Duke bërë dallimin mes “pavarësisë de jure”, si ekzistenca formale e parashikimeve ligjore dhe “pavarësisë de facto”, e cila lidhet me zbatimin të tyre, Z. Metani tha se funksionimi në praktikë varet mes të tjerash edhe nga kultura gjyqësore e një vendi, besimi në legjitimimin e sistemit gjyqësor dhe përkushtim real ndaj këtij standardi.

“Pavarësia e pushtetit gjyqësor nuk mund të garantohet, nëse nga ana e një shoqërie apo sistemi politik nuk ka vullnet për krijimin e një fryme stabiliteti dhe demokracie. Pavarësia e pushtetit gjyqësor kërkon përfundimisht një kontekst dhe mentalitet jo autoritar. Përfundimi se “Nuk ka pavarësi gjyqësore pa demokraci dhe nuk ka demokraci pa pavarësi gjyqësore” mund të jetë zhgënjyes në pamje të parë, por ky përfundim argumenton qartë, se demokracia dhe sundimi i ligjit janë të lidhura bashkë.” – tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Për këtë, – vijoi Z. Metani, duhet ndërtuar besueshmëri dhe për ta ndërtuar atë besueshmëri, patjetër duhet siguruar një kulturë llogaridhënieje e sistemit të drejtësisë. Në demokraci drejtësia jepet në emër të qytetarëve. Besimi i publikut është i domosdoshëm për sundimin e ligjit dhe ky legjitimin kërkon angazhimin e magjistratëve për të ruajtur këtë besim. Prandaj vlen të theksohet se pavarësia e pushtetit gjyqësor nuk duhet të shihet si një privilegj i magjistratëve, por si një e drejtë e qytetarëve.”- tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë në fjalën e tij.

Fjalën e plotë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Youtube, në linkun https://www.youtube.com/watch?v=6KgwScH6J5c&t=7s.