Vetëm në Shqipëri ndodh, që të gjithë kënaqen, kur ndëshkohet një mësues!

649
Sigal

Sot gjithë shqiptarët e dinë se mësuesi është qenia më e shtypur dhe më e trembur nga junta qeveritare. E shtypur dhe e vënë në lojë si ia do menderja kësaj klase politike që sot ngjan më shumë me një grumbull plerash. Një mësuese në një nga shkollat e qytetit të Kukësit, Bedrie Kastrati u kap në shkelje të rregullave të mirësjelljes me nxënësit.

Askush nuk mund t’i dalë për zot. Po çfarë po duket? Të gjithë janë grumbulluar rreth “fajit” të saj duke e ndëshkuar deri në ekstrem. Duke kërkuar edhe burgosjen e saj. Ndërsa nëpër shkolla, gjatë dy ditëve të fundit, siç na tregojnë kuksianët, mbledhjet me kolektivat e mësuesve nuk kanë të sosur. Gjithçka përmblidhet te porosia që u jepet mësuesve: Kini kujdes! Nxënësit mësojnë, a nuk mësojnë ju s’ka çfarë ju duhet! Ju, vetëm mos i shani, sepse nuk mund t’u dalë kush për zot. 

Për mësuesin puna ka arritur ku nuk mban më ujë pilafi. Mjafton shembulli i mësueses nga Kukësi për të treguar nivelin grotesk e tragjik të sistemit arsimor në këtë gjysmë shtetin tonë. Studentët kalojnë dy muaj e më shumë në protestë dhe sapo e mbarojnë atë, thirren në provim. Çudia është se askush nuk pyet: Po çfarë mësuan ata gjatë-afro 3 muajve duke qëndruar në protestë? Për çfarë po e japin provimin? Kështu japin provimin dhe marrin diplomën. Po çfarë dalin? Askush nuk e di në këtë Shqipërinë tonë.

Shembulli i stinës së provimeve në muajin mars në sistemin universitar tregon se gjithçka ka mbaruar në sistemin tonë universitar. Akoma më groteske është situata në sistemin arsimor parauniversitar, ku mësuesit i kërkohet të blejë me paratë e tij edhe regjistrin e notave për secilën lëndë. Pale mësuesit e fizkulturës që i blejnë më paratë e veta topat e futbollit për të realizuar në të rrallë ndonjë orë fizkulture si duhet. Shembuj të tillë në sistemin arsimor mund të japim me shumicë.

Është bash kjo arsyeja që tashmë pjesa më e madhe e prindërve thonë se, më mirë është ta lësh fëmijën pa shkollë se ta dërgosh për mësuesi. Mësuesi tashmë është gjithandej një objekt talljeje. Se është kështu, pa mësuesit ia marrin prej xhepit pa i treguar gjë, lekët e kuotizacionit të sindikatës. Të një sindikate që e plaçkit çdo ditë mësuesin, pa i dhënë gjë. Ndodh kështu, se sindikata është e lidhur ngushtë me plaçkitësit e gjysmë shtetit tonë. Të dyja palët mbrojnë njëri tjetrin, të dyja bashkë lajnë fytyrën krejtësisht të llangosur.

A nuk është tallje kjo e rritjes së pagave të mësuesit? Mësuesit nuk do t’i rritet paga, edhe pse i është premtuar. Nuk ka asnjë lloj rritjeje, por të gjithë i kanë ulur, për turp të zotit veshët. Për këtë pse hesht Ministrja e ardhur nga Kosova. Pse vetëm mësuesit shqiptarë të mbeten lypsarë, siç u thuhet tashmë rëndom. Pasi mësuesit në shtetin e Besa Shahinit e kanë në 600 – 700 euro, ose afro dy herë më shumë se në këtë shtetin tonë 107-vjeçar. Kryeministri dhe ish-Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dy vjet më parë premtuan rritjen e pagës së mësuesit me 40 % gjatë mandatit të dytë të rilindësve. Iku gjysma e mandatit, po deri tani nuk është rritur asnjë qindarkë kjo pagë e mësuesit. Këtë e dinë të mençurit dhe budallenjtë në këtë gjysmë shtetin albanez!

Sot arsimi shqiptar, si ai universitar edhe ai parauniversitar, janë kthyer në një gropë që i ngjan në shumë gropës së ujërave të zeza. Është bash kjo arsyeja që të gjithë përfaqësuesit e juntës politike dhe e grupit të oligarkëve i kanë çuar fëmijët e tyre jashtë vendit për të studiuar. Po ne të tjerët? Apo jemi taksapagues për të mbajtur fëmijët e oligarkisë me studime jashtë vendit. Po fëmijët tanë? Edhe me ata tallet kujt i çohet dhe kujt i vete mendja.

Natyrisht, siç tallen me ne! Kjo është situata e vërtetë e sistemit arsimor në këtë Shqipërinë tonë. Po është më shumë se e turpshme që të thuhet se, një mësuese andej nga Kukësi po e shkatërron arsimin! Ndaj t’i biem asaj me çfarë të mundemi! T’ia lëmë asaj të gjitha gjynahet! Kjo gjë është më shumë se e neveritshme! Me çfarë po themi, nuk duam ta mbrojmë mësuesen që ka gabuar. Të ndëshkohet për aq sa i takon. Po jo të kthehet në tabelë qitjeje nga kush të mundet, veçanërisht nga palo klasa politike që është tamam, tamam fajtorja e vetme për situatën ku ndodhet sot Shqipëria jonë.

Shumë idiotizma të tilla e kanë bërë këtë gjysmë shtetin tonë më shumë se grotesk. Sa edhe miqtë tanë të mirë çuditen dhe na pyesin: More, dini, a nuk dini ju të vetëqeveriseni? Është kjo arsyeja që të gjithë duam vetëm të largohemi. Për të lënë këtu vetëm disa mostra të çuditshme që mund të mbahen nga njerëzimi si kavie eksperimentale. Që jeta njerëzore të mos dekompozohet edhe më tej. Ermion Dulla