Zbardhet skema për mbi 230 mijë ndërtime pa leje dhe kategoritë që do të kenë përparësi. Ja si do bëhet regjistrimi në kadastër për shitjet e pronave me kontrata porosie me ndryshime planimetrie dhe si qytetarët që kanë letra me vlerë, mund t’i përdorin ato për procesin legalizues dhe privatizimet deri në fund të muajit dhjetor të 2027-s.Ja rregullat e plota
Legalizimi i shtëpive, kategoritë që do të kenë përparësi, zbardhet vendimi i Qeverisë: Rregullat e reja për mbi 230 mijë ndërtime pa leje
Për pronat e shitura me kontrata porosie do të refuzohet regjistrimi në kadastër nëse pas verifikimeve ka ndryshime planimetrie te njësitë individuale. Refuzim të regjistrimit të pasurive me kontratë porosie do të ketë edhe nëse kërkuesi brenda afatit prej 30 ditësh nuk arrin të korrigjojë të dhënat që kanë mangësi, apo pasaktësi.
Procesi me bashkitë
Në kushtet, kur kanë mbetur edhe më shumë se 230 mijë ndërtime të palegalizuara, Qeveria ka vendosur të ndryshojë rregullat, duke ju dhënë prioritet shtëpive dhe atyre objekteve me funksion të përzier, që do të thotë që shërbejnë për qëllime strehimi dhe biznesi. Në vendimin e Qeverisë për “Procedurat e bashkëpunimit në institucionet e administratës shtetërore” përcaktohen edhe zonat, do të jenë në fokus të bashkëveprimit, mes zyrave të Kadastrës dhe bashkive, me qëllim përshpejtimin e procesit të legalizimit.
Konkretisht, në pikën 2 të vendimit përcaktohet se në krye të listës do të jenë zonat me prioritet zhvillimin urban, për të cilat janë miratuar nga bashkia dokumente të planifikimit të territorit, si dhe zonat informale, në të cilat evidentohet nga bashkia një numër i konsiderueshëm ndërtimesh pa leje, që shërbejnë kryesisht për funksione banimi.
“Bashkia, për efekt të planifikimit dhe të zhvillimit urban, mund të identifikojë subjektet që kanë paraqitur kërkesa për legalizim sipas ligjit dhe të evidentojë në terren objektet pa leje në proces legalizimi, që ndodhen në zonën/bllokun kadastral gjeografik me prioritet zhvillimi urban dhe zonë informale banimi”. Më tej, Bashkia, e cila do të shërbejë si urë lidhëse mes qytetarëve dhe Kadastrës, në bashkëpunim më ketë të fundit do të informojë qytetarët, që kanë paraqitur kërkesa për legalizim të ndërtimeve pa leje lidhur me procedurat e legalizimit, si dhe do të ofrojë asistencën dhe mbështetjen e nevojshme për plotësimin e dokumentacionit, procesin e evidentimit në terren e në përfundim do të përgatisë njoftimin për vendimmarrjen”, -thuhet në vendim, ku janë të përcaktuara në mënyrë të detajuar funksionet apo rolin që do të ketë çdo institucion në këtë proces. Zbatimi i detyrave të caktuara, do të paraprihet nga një marrëveshje, që do të firmoset mes Kadastrës dhe njësive të qeverisjes vendore. Marrëveshje do të ketë jetëgjatësi një vjeçare, ç’ka do të thotë se palët do t’u përmbahen detyrimeve përgjatë një viti nga firmosja e saj. I gjithë proces i transformuar, që do të nis zbatimin prej muajit shtator, do të kontrollohet nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, ku palët do të kenë detyrimin për të raportuar çdo muaj.

02-Legalizimet, 50% e faturës paguhet me bono, shtyrja e afatit deri në dhjetor të 2027-s për vlefshmërinë e letrave me vlerë. Kush përfiton
Përdorimi i bonove të privatizimit redukton barrën financiare që kanë në ngarkim qytetarët për të paguar truallin, për efekt të procesit legalizues.
Nisma ligjore, e miratuar së fundmi zhvendos me më shumë se dy vite vlefshmërinë e bonove. Në këtë mënyrë, qytetarët që kanë letra me vlerë, mund t’i përdorin ato për procesin legalizues dhe privatizimet deri në fund të muajit dhjetor të 2027-s.
Konkretisht, në pikën 2 të vendimit përcaktohet se në krye të listës do të jenë zonat me prioritet zhvillimin urban, për të cilat janë miratuar nga bashkia dokumente të planifikimit të territorit, si dhe zonat informale, në të cilat evidentohet nga bashkia një numër i konsiderueshëm ndërtimesh pa leje, që shërbejnë kryesisht për funksione banimi.
Në ndryshimet e bëra, në 2014-n në ligjin për legalizimin e objekteve pa leje u përcaktua, që qytetarët, të cilët kishin ndërtuar në tokë shtet apo tokë me pronarë, gjysmën e faturës për truallin ta paguanin me letra me vlerë. Kjo ka krijuar një tjetër lehtësi për familjet që janë në proces legalizimi, pasi ul me 20% të tjera shumën e faturuar për parcelën ndërtimore.
Por bonot e privatizimit, nuk përdoren vetëm në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale. Ato përdoren gjithashtu për procesin e privatizimit të sipërmarrjeve të mesme dhe të vogla për pjesën e aksionerëve që zotërojnë truallin dhe gëzojnë të drejtën e parablerjes për objektin e ndërtuar në tokën e tyre dhe në objekte të tjera shtetërore, që janë në proces privatizimi.
Shpërndarja e bonove të privatizimit ka nisur thuajse tre dekada më parë, dhe nga të dhënat e Ministrisë së Financave rezulton, që janë emetuar në total 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, nga ku mbi 50 miliardë iu ndanë publikut.
03-Udhëzimi / Do refuzohet regjistrimi në kadastër për shitjet e pronave me kontrata porosie me ndryshime planimetrie
Ndryshojnë rregullat për regjistrimin në regjistrin e kadastrës së pasurive të paluajtshme të shitura nëpërmjet kontratave të pasurisë.
Për pronat e shitura me kontrata porosie do të refuzohet regjistrimi në kadastër nëse pas verifikimeve ka ndryshime planimetrie te njësitë individuale. Refuzim të regjistrimit të pasurive me kontratë porosie do të ketë edhe nëse kërkuesi brenda afatit prej 30 ditësh nuk arrin të korrigjojë të dhënat që kanë mangësi apo pasaktësi.
Rregullat e reja për regjistrimin e kontratave noteriale të shitjes së pronave nëpërmjet kontratës së sipërmarrjes apo porosisë hyn në fuqi pas publikimit të udhëzimit “Për miratimin e modelit dhe përcaktimin e rregullave të mbajtjes së regjistrit të lejes së ndërtimit, si dhe të procedurave të regjistrimit të kontratës së sipërmarrjes/ porosisë dhe të premtimshitjes” në Fletoren Zyrtare.
Në dispozitën kalimtare të udhëzimit përcaktohet se verifikimi i të dhënave për njësitë individuale të shitura me kontratë porosie para hyrjes në fuqi të tij do të bëhet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Në rast mospërmbushje të tyre regjistrimi në kadastër do të refuzohet.
“Kur në regjistrin kadastral, në kartelën e pasurisë “truall”, rezultojnë të regjistruara përpara hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi akte noteriale ndërmjet pronarit të truallit dhe zhvilluesit të pronës, në cilësinë e investitorit, në të cilët nuk është individualizuar pasuria që do të përfitojë pronari i truallit, ASHK-ja në momentin e paraqitjes për regjistrim në regjistrin e lejes të kontratave të sipërmarrjes/porosisë apo premtimshitjes ndërmjet investitorit me pronarin e truallit, apo me të tretë, verifikon nëse të dhënat mbi njësitë në këto akte janë të individualizuara sipas planimetrive, që i bashkëlidhen lejes së ndërtimit. Në rast mospërmbushjeje të këtij detyrimi, regjistrimi i tyre refuzohet”,- citohet në udhëzim.
Po ashtu, udhëzimi përcakton se gjatë shqyrtimit të kërkesave për regjistrimin e akteve noteriale të lidhura me kontrata porosie kanë të meta në të dhëna, kërkuesve do t’u lihen 30 ditë kohë për plotësimin e tyre.
Njoftimi për plotësimin e të metave është sipas formularit të miratuar me vendimin nr. 782, datë 7.10.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e modeleve të akteve kadastrale dhe të të dhënave në përmbajtje të hartës kadastrale”, të ndryshuar. Por nëse pas kalimit të afatit këto të meta nuk plotësohen, nga ASHK-ja refuzohet regjistrimi i aktit, sipas parashikimeve të ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën”.
Ashtu si edhe në udhëzimin e mëparshëm, kur akti noterial i regjistruar në regjistrin kadastral, lidhur ndërmjet zhvilluesit, në cilësinë e investitorit, dhe pronarit të truallit, ka si kusht për zhvillimin miratimin e lejes së ndërtimit brenda një afati të caktuar dhe ky kusht nuk është realizuar, ASHK-ja bën ndryshimet në seksionin D, të kartelës së pasurisë së paluajtshme “truall” lidhur me aktin noterial të regjistruar.
Këto ndryshime bëhen me kërkesë noteriale të njërës nga palët, pasi kjo e fundit të depozitojë dokumentacionin që provon mos përmbushjen e kushtit, brenda afatit të përcaktuar në aktin noterial. Këtu bën përjashtim rasti kur palët në aktin noterial kanë vendosur që, për mosmarrëveshjet lidhur me kushtin, do t’i drejtohen gjykatës.
“ASHK-ja, në momentin kur kryhet regjistrimi përfundimtar i ndërtimit të ri, sipas nenit 51, të ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën”, pasqyron: a) kontratën e sipërmarrjes/porosisë të lidhur ndërmjet zhvilluesit, me cilësinë e investitorit, dhe pronarit të tokës, në seksionin D të kartelës së pasurisë të paluajtshme të regjistruara në pronësi të investitorit.
Pas realizimit të kontratës së shkëmbimit ndërmjet palëve bëhet regjistrimi në regjistrin kadastral, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën”; b) kontratën e sipërmarrjes/porosisë dhe premtimshitjes të lidhur ndërmjet zhvilluesit, me cilësinë e investitorit, dhe blerësve/porositësve të njësive individuale, në seksionin D, të kartelës së pasurisë të paluajtshme të regjistruara në pronësi të investitorit. Pas realizimit të kontratës së shitjes ndërmjet investitorit dhe blerësit/porositësit të njësive individuale bëhet regjistrimi në regjistrin kadastral, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën””, përcaktohet ndër të tjera në udhëzim.
Në vend një pjesë e konsiderueshme e transaksioneve në tregun e pasurive të paluajtshme kryhen edhe nëpërmjet kontratave të porosisë. Kjo ndodh në rastet kur pronat blihen përpara përfundimit ose përpara regjistrimit të tyre në Kadastër, ndërsa kontrata e shitblerjes lidhet në një moment të dytë, pas regjistrimit të pronës. Duke pasur parasysh volumin e konsiderueshëm të ndërtimeve të reja sipas agjentëve të tregut të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit, mund të arrihet në përfundimin se edhe shitjet me kontratë porosie zënë një pjesë të rëndësishme.






















