Veliaj: Javën tjetër hapet tregu agro-ushqimor i Farkës! Na duhet bashkëpunimi qeveri-bashki

135
Sigal

Për kryebashkiakun Erion Veliaj, njëherësh kandidat i PS-së për një mandat të tretë në bashkinë e Tiranës, vlera e pronës pranë Liqenit të Farkës, është rritur falë investimeve.

“Ftesa për të gjithë prindërit është: ta shfrytëzojmë këtë park të mrekullueshëm, që po kthehet në një nga zonat rezidenciale më të kërkuara në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Në Farkë, në Petrelë, e në Mullet, në Lundër, ka ndodhur rritja më e madhe e vlerës së pronës falë punës”- tha Veliaj.

Në krah të ministres së Bujqësisë, Frida Krifca, Veliaj lajmëroi se javën e ardhshme do të hapet tregu agroushqimor i Farkës, i pari treg publik në Tiranë për fermerët.

“Më në fund e thyejmë monopolin e privatit, ku praktikisht 70% e kostos ishte fitimi që fuste në xhep privati. E kemi bashkëfinancuar me Fridën, prandaj është e rëndësishme që mos të bëjmë luftë me qeverinë. Bashkia dhe qeveria ka interes që edhe fermeri ynë nga Baldushku, nga Mulleti, nga Iba, nga Vaqarri, nga Arbana, Ndroqi e Peza, e gjithë lugina e Erzenit, të ketë një treg ku t’i futesh pa haraçin që duhet paguar te privati dhe qytetarët e Tiranës ta shtrojnë tavolinën me fruta dhe perime, që kushtojnë më pak dhe janë më lirë falë këtij bashkëpunimi të Qeverisë dhe të Bashkisë,”- u shpreh Veliaj.

Për të realizuar këto investime, Veliaj tha se qytetarët duhet të votojnë Partinë Socialiste, e cila sipas tij është e vetmja forcë që di t’i çojë punët përpara.