Vdekja e 18-vjeçarit, gjykata liron shefin e hetimit të aksidenteve në Vlorë, por e pezullon nga detyra

545
Sigal

Gjykata e Vlorës ka caktuar sot masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për Myslym Ismailjan, shefi i hetimeve në Policinë e Qarkullimit që u arrestuar pak ditë më parë në lidhje me aksidentin e ndodhur në Lungomare. Më herët për policin ishte caktuar masa e ‘arrestit shtëpiak’.

Ashtu siç edhe u bë e ditur, efektivi Ismailjaj kërcënoi Petraq Bejajn, ky i fundit drejtuesi i mjetit që ra në gropën e hapur në zonën e Ujit të Ftohtë, atje ku humbi jetën kushëriri i tij Kristi Panajoti.

Punonjësi i Policisë në cilësinë e Oficerit të Policisë Gjyqësore (OPGJ) ka kryer veprimet proceduriale, lidhur me ngjarjen e ndodhur në datë 26 nëntor 2016, në rrugën pranë Ujit të ftohtë, në qytetin e Vlorës, ku humbi jetën shtetasi Kristi Panajoti dhe ngeli i plagosur shtetasi Petraq Beja.

Sipas hetimeve, në datë 29 nëntor 2016, rreth orës 10:00, Ismailaj ka hyrë në ambientet e dhomës së spitalit ku ndodhej i shtruar shtetasi i plagosur në aksident Petraq Beja dhe pasi ka nxjerrë familjarët nga dhoma, i ka kërkuar këtij të fundit të deklarojë se ka probleme me shikimin. Kjo për të devijuar hetimin, se shkak i aksidentit ka qenë shikimi i dobët i drejtuesit të mjetit dhe jo mungesa e sinjalistikës rrugore në vendin e aksidentit, duke ushtruar presion ndaj të riut dhe tentuar të favorizojë firmën e ndërtimit të rrugës.

Pas ngjarjes së rëndë, familjarët e viktimës akuzuan shtetin dhe firmën për mosvënien e sinjalizimeve pasi makina tip BMW-X6 ku udhëtonin 2 të rinjtë ra në një gropë të madhe të hapur në mes të rrugës. Fillimisht policia e Vlorës deklaroi se makina kishte rënë në kanal por më pas pranoi se BMW-ja kishte rënë në gropën e hapur në rrugë.