Vangjush Saro: Mbrëmje virtuale kushtuar dirigjentit Bujar Llapaj

 

 Shoqata mbarëshqiptare në Vankuver (Kanada) vlerëson aktivitetin kombëtar e botëror të muzikantit të njohur

NOA

 Shoqata mbarëshqiptare “Eagle Land” në BC (Kanada) organizoi këto ditë një mbrëmje virtuale në nderim të dirigjentit Bujar Llapaj. Në fokus të bisedës me muzikantin e njohur, erdhën episodet më të rëndësishme të jetës së tij, por njëherësh edhe aspekte të njëlloj ‘monografie’ nga aktivitetet muzikore të artistëve më të njohur shqiptarë nëpër botë. Maestro Bujar Llapaj ka mbaruar studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe, më pas, në “Conservatorin National de Region de Rueil-Malmaison” (Francë) ku ka fituar medaljen e artë në dirigjim. Një figurë dominuese në muzikën klasike në Shqipëri, Kosovë e Ballkan, Llapaj ka qenë Drejtor Artistik i Teatrit Shqiptar të Operas dhe Baletit, si dhe Shef i Departamentit të Këngës dhe Dirigjimit në Akademinë e Arteve në Tiranë. Maestro Bujar Llapaj ka dirigjuar koncerte në Paris, Romë, Athinë, Prishtinë, Shkup, Vankuver etj. Në vitin 2007, ai u zgjodh si Dirigjenti Kryesor i “Ëest Coast Symphony Orchestra” në Vankuver dhe në 2021 edhe Drejtor i Muzikës dhe Dirigjent i “Ambleside Orchestra” në North Vancouver. Gjatë mbrëmjes virtuale, u transmetuan disa video, dëshmi të aktivitetit të gjerë të dirigjentit: Suita nga filmi Skënderbeu, muzika Çesk Zadeja. “Vals Hyjnor”, Hymn për Nënë Terezën kompozuar nga Genc Tukiçi mbi motive të Lorenc Antonit dhe me poezi hartuar mbi shënimet e vetë Nënë Terezës; (Inva Mula, Kori dhe Orkestra e Filarmonisë së Kosovës, Romë shtator 2016). “Lutja” nga Donizetti, Opera “Anna Bolena” (Ermonela Jaho, Romë, shtator 2016). Po ashtu u dëgjuan fragmente nga koncertet e “West Coast Symphony” në Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, sa edhe në Kanada.

Në foto: Koncert i West Coast Symphony Orchestra në Vankuver (BC, Kanada). Në qendër dirigjenti Bujar Llapaj.

Dirigjenti i njohur tregoi për momentet kryesore të jetës së tij, shkollimi, aktiviteti artistik, dëshirat dhe planet e tij për të ardhmen. Mbrëmja pati një audiencë të gjerë dhe u vlerësua nga shumë bashkatdhetarë në Vankuver dhe qytete të tjera të Kanadasë. Ishte i pranishëm dhe përshëndeti edhe Ambasadori i RSh në Kanada, z. Ermal Muça, një diplomat dhe intelektual që ndjek me seriozitet dhe duke u angazhuar vazhdimisht jetën dhe veprimtarinë e qytetarëve shqiptarë e kosovarë tash rezidentë në Kanada. Krahas drejtuesve të Shoqatës, Ardian Lagji, Ardita Fishta, Estref Resuli, Edison Heba (Konsull Nderi i RSH në British Columbia) – falë kontributit të tyre u organizua ky event – në takim përshëndetën gjithashtu: Presidenti i Ëest Coast Symphony Orchestra, Paul Mc Eëen, botuesi i portalit shqiptaro-kanadez Flasshqip Taulant Dedja (ish-student i Maestros), sopranoja e shquar Inva Mula, pianisti Genc Tukiçi, poetja me banim në Vancouver Armenida Qyqja, si dhe Anila Erindi, ish-kryetare e Shoqatës Kulturore Shqiptare në Montréal dhe kandidate për këshillin e Bashkisë Montréal në zgjedhjet e 7 Nëntorit 2021. Mbrëmja tregoi edhe njëherë vlerat e spikatuara të dirigjentit Bujar Llapaj, por edhe ato të artistëve të tjerë, si dhe kuotat e larta në të cilat e kanë ngritur këta artistë emrin e Shqipërisë, muzikën dhe artin e vendit të tyre.