Vajza u abuzua nga i moshuari, prindërit e 17-vjeçares kallëzim penal të dashurit të saj: E ka shtyrë të denoncojë. Dyshojmë se donte ta trafikonte

362
Sigal

Bashkëshortët Vullnet e Elida Bekteshi, banorë të fshatit Gjashtë, bashkia Sarandë, prindër të 17-vjeçares, S.B., që ditë më parë denoncoi 72- vjeçarin Barjam Tusha, si person që ka abuzuar seksualisht me të, kanë bërë dje një kallëzim penal për Denito (Gentjan) Ruçi, të dashurin e vajzës dhe kërkojnë ndjekje penale të tij si personi që ka mashtruar vajzën e tyre.

Në objektin e kallëzimit kërkohet “hetimi penal për shtytjen në krim të një personi tjetër nëpërmjet mashtrimit dhe presionit ose premtimit që i bënte se do ta çonte në Itali, Greqi dhe do të bënte jetë më të mirë se në familjen tonë.”

Sipas prindërve, Ruçi e ka mbajtur në vende të fshehta dhe kur kanë kërkuar ndihmë për kthimin e vajzës nga frika e ka mësuar që të bëjë kallëzim të rremë kundër familjes dhe personave të tjerë për abuzime me të.

“Këto veprime i ka kryer pasi ne si kallëzues shkonim në polici për ta denoncuar atë që nëpërmjet mashtrimit kërkonte të na e merrte vajzën jashtë shtetit dhe, sipas nesh, ta përdorte për qëllime shfrytëzimi”, deklarojnë prindërit.

Në denoncimin e tyre thuhet se ky kallëzim vërtetohet lehtë nëse do të thirren e dhe do të pyeten të gjithë personat që nga momenti që i kallëzuari Denito (Gentian) Ruçi është vënë në kontakt me vajzën ku ndër të tjera mund të kenë dijeni edhe shoqe të vajzës.

“Të pyeten familjarët e të kallëzuarit, të merret kartela penale e tij dhe e tërë familjarëve të tij për të parë të kaluarën, nëse janë marrë me lëndë narkotike, me trafikime të qenieve njerëzore, çfarë pune kanë bërë në emigracion, pse ka dy emra, nëse vajzës i ka dhënë stimulantë, lëndë narkotike, pasi dy ditë që vajza u rikthye në shtëpi pinte cigare, gjë që nuk e bënte para se të ikte nga shtëpia, bënte veprime të pandërgjegjshme, ose si ato të vajzave të rrugës, fliste me fjalë të pista…”, thuhet më tej.

Për këtë ngjarje është arrestuar 72-vjeçari, Barjam Tusha, fqinj i familjes madje është marrë edhe si masë sigurie nga Gjykata e Sarandës “Arrest me burg”, ndërkohë që një ditë me pas është dhënë urdhër mbrojtje nga prindërit për 17-vjeçaren, e cila aktualisht ndodhet në një qendër rehabilitimi në Tiranë.