Ushtarakët mes bashkimit dhe intrigës

683
Ushtarakët në rezervë të Shqipërisë kërkojnë një bashkim real e dinjitoz dhe jo farsë e intriga…
Ushtarakët e liruar në rezervë të Shqipërisë, qysh nga viti 1991 e në vazhdim pas ndryshimit të sistemit politik dhe vazhdimin e reformave në ushtrinë shqiptare, bënë përpjekjet e tyre të vazhdueshme e në kushte të vështira, për t’u bashkuar, për t’u organizuar, deri sa arritën të krijojnë shoqatën e vet, shoqatën kombëtare të ushtarakëve në rezervë të Shqipërisë (këtej e më poshtë SHKURSH), me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë datë 08.04.1996. Si e tillë, kjo shoqatë që lindi si nevojë dhe si kërkesë e domosdoshme e kohës për të kërkuar e mbrojtur të drejtat e ushtarakëve të liruar, të nëpërkëmbur nga forcat politike dhe qeveritë, kjo shoqatë që u shtri në degët dhe nëndegët e saj në të gjithë Shqipërinë, ka kaluar gjatë 21 vjetëve të aktivitetit të saj, vështirësi dhe peripeci të panumërta, por edhe është konsoliduar, është pjekur e mirëorganizuar më mirë në të gjithë vendin dhe është angazhuar e bërë pjesëmarrëse e anëtare e CIOR-it dhe Forcave të NATO-s. Kjo shoqatë kombëtare e ushtarakëve në të gjithë territorin e Shqipërisë, me programin dhe statutin e saj, ka luftuar me të gjitha mundësitë dhe format nga më të ndryshmet, duke kërkuar herë pas here, para forcave politike, qeverive, parlamentit e presidentit, që të gjitha kategoritë e ushtarakëve të liruar e në rezerve t’ju jepeshin të drejtat e tyre të ligjshme si ushtarakë nëpërmjet ndërtimit dhe një statusi të veçantë sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe strukturave të NATO-s. Arritjet në këtë drejtim dihen nga të gjithë, ku u fillua dhe zbatimi i statusit që nga viti 1999 e në vazhdim. Edhe statusi i miratuar me shumicë të plotë parlamentare, në vitin 2004, i reformuar dihet por që fatkeqësisht e dimë fare mirë edhe moszbatimin e këtij statusi nga qeveria e krijuar nga Shtatori i 2005 e deri më sot, e sidomos në copëtimin e këtij statusi dhe eliminimin një e nga një të të drejtave të fituara më parë e deri në nxjerrjen e VKM aktit normative dhe ligjit të viteve 2009-2010, ku ushtarakët dolën debitorë ndaj sigurimeve shoqërore, duke u bërë kështu një përbuzje brutale e shtetit shqiptar ndaj ushtarakëve të vet. Por edhe këto pasoja negative për ushtarakët e liruar, këto përbuzje e ulje të dinjitetit të tyre e kanë zanafillën e vet, të cilët kanë çuar aktualisht në minimizimin e këtyre të drejtave të ushtarakëve. Zanafilla e këtyre pasojave, realisht fillon nga viti 2008-2009 e në vazhdim, ku në radhët e SHKURSH-it filloi grindja dhe konflikti personal nga disa persona për drejtimin e shoqatës, filloi egoja personale, kapriçiot individuale se kush duhet të jetë drejtuesi etj., e deri tek largimet nga SHKURSH, duke krijuar organizma e shoqata të tjera me emërtime të ndryshme si AKUSH etj, që këto ndarje e grupime të ndryshme u shfrytëzuan negativisht nga qeverisja e kohës deri sa kaluan hapur në masakrimin ekonomik të ushtarakëve në vitet 2009-2010 dhe përbuzjen morale të kësaj shtrese të popullsisë, me vlera e kontribute kombëtare duke ia eliminuar një e nga një të drejtat e tyre. Në qoftë se nuk do të ishin krijuar acarime, ndarje, përçarje, konflikte midis vetvetes, në qoftë se bashkimi i tërë ushtarakëve do të forcohej e rritej vazhdimisht edhe pesha, zëri dhe forca për kërkesat e të tyre do të ishin më këmbëngulëse, pasi ashtu të bashkuar përbënim një forcë të madhe para institucioneve shtetërore e parlamentare dhe sot do të kishim arritur një status të plotë e të zbatueshëm të ushtarakut. Duke marrë shkas nga disa zhvillime aktuale të kohëve të fundit në radhët e shoqatave ushtarake jo të mira, jo serioze, jo bashkëpunues, por edhe jo të moralshme për vetë karakterin dhe prestigjin që kanë pasur dhe kanë ushtarakët e Shqipërisë dua të shpreh disa mendime: 

Së pari, ushtarakët e liruar në rezervë në pension të parakohshëm e në pension pleqërie, por edhe ata që nuk kanë përfituar asgjë nga ana ekonomike mendoj se i kanë kryer me nder e dinjitet të gjitha detyrat sipas shkallëve, ofiqeve dhe gradave për ecurinë në karrierën ushtarake në kohën e jetës aktive të punës në ushtri, duke marrë edhe meritat përkatëse. Kurse sot, kur ne jemi shoqatë, nuk është koha e përshtatshme e momenti i tillë që ne të mendojmë për një karrierë të mëtejshme ushtarake apo për poste, ofiqe e grada si në kohën e jetës aktive. Këto pikëpamje,mendoj se janë negative, janë një ego e mendim i gabuar, pasi sot jemi në rrethana të tjera. Këto qëndrime individuale në fund të fundit nuk i shërbejnë askujt nga ne, ato i shërbejnë individit dhe unit, ato i shërbejnë partive politike që duan të na përçajnë për interesat e tyre, ato nuk i shërbejnë qëllimit tonë të përbashkët, ato nuk i shërbejnë interesave e kërkesave tona, nuk i shërbejnë të drejtave të ushtarakëve që u takojnë. Ushtarakët tanë në lirim e në rezervë në çdo kohë e në çdo sistem, në radhë të parë kanë njohur e njohin një parti të vetme – Atdheun dhe Kushtetutën e Shqipërisë dhe Betimin Ushtarak që kanë bërë para popullit e atdheut. Atëherë…përse e për çfarë arsyesh u bë ndarja nga SHKURSH në vitet 2008-2009?? Përse për çfarë qëllimesh u krijuan shoqatat e tjera e me emërtime të tjera si puna e partive politike? Kujt i shërbyen këto ndarje e organizma të tjera? Përse tani kërkohet nga këto shoqata të krijuara pas 2008 të kërkojnë bashkim të ushtarakëve nën ombrellën e tyre? A do të kishte qenë më i suksesshëm konsolidimi i mëtejshëm i SHKURSH në të gjithë territorin e Shqipërisë me të njëjtën sigël, program e statut dhe me kërkesa e objektiva të qarta? Patjetër që po, sepse kështu shumimi i të gjitha degëve në rrethe duke qenë të bashkuara me shoqatën qendrore përbënin një forcë të madhe serioze e dinjitoze para qeverisë e parlamentit dhe realisht edhe frytet e rezultateve do kishin qenë më të suksesshme. Kurse, duke qenë të shpërndarë e të shkëputur nga njëri tjetri siç u bëmë ne, politika shqiptare e partitë politike kanë bërë e bënë punën e tyre për përfitimet e veta, kurse ne, si ushtarakë kemi humbur e humbëm shumë, kemi ngelur në mes të rrugës pa frytet e duhura, pa prestigjin e vendin që na takon, dhe sot aktualisht jemi këtu ku jemi, në momente jo të këndshme, duke dëgjuar edhe batuta e ironizime të politikanëve, deputetëve e pushtetarëve, premtime të tyre boshe e formalitete të tilla. Ne me këtë mënyrë veprimi kemi ulur vlerat tona, kapacitetet tona, inteligjencën tonë dhe nuk kemi arritur të realizojmë atë çka kemi kërkuar, atë çka na takon, të drejtën dhe djersën tonë. 

Së dyti, SHKURSH Dega Vlorë, ka bërë disa herë apel dhe ka shprehur vullnetin e saj edhe nëpërmjet shtypit të përditshëm, për një bashkim serioz dinjitoz, real të të gjithë ushtarakëve në rang kombëtare, por jo bashkim farse e me intriga…..

Po kështu edhe SHKURSH-i dhe drejtuesit e saj e kanë shprehur dakordësinë e tyre për një bashkim vullnetar e bashkëpunues në tërë vendin, kanë shprehur edhe opsionin e zgjedhjeve të reja të drejtuesve të saj, por mbi bazën e SHKURSH si një shoqatë e vetme në rang kombëtar, 

Brenda statutit të saj për të ruajtur vlerat e saj 22 vjeçare, por një bashkim i tillë nuk është pranuar nga disa persona e individë që u ndanë nga SHKURSH dhe tani dalin si nismëtarë e shpëtimtarë dhe kërkojnë bashkim të ushtarakëve shqiptarë por nën udhëheqjen e tyre. Tani na dalin individë, persona apo nismëtarë, e ku ta di unë dhe me AKUSH të bëhet një kuvend mbarëkombëtar i ushtarakëve me pjesëmarrjen nga gjithë shoqatat e Shqipërisë, dhe caktuan datën 30 Tetor 2017. U zhvillua edhe Kuvendi dhe sesi u bë dhe sesi u zhvillua, është problem i drejtuesve të këtij Kuvendi. Por nga ju zoti Mullalli dhe persona të tjerë na u shpreh se u arrit bashkimi i ushtarakëve të Shqipërisë me pjesëmarrjen e shoqatave nga të gjitha rrethet.

Po të jetë vërtetë kështu të gjithë themi “shumë bukur, shyqyr që u arrit bashkimi, një bashkim i shumëkërkuar, më në fund pas 21 vjetësh u bëmë bashkë të gjithë”.
Por a është i vërtetë ky bashkim??
A është real ky bashkim??
A është dinjitoz dhe një vendimmarrje e përbashkët?
Këtyre pyetjeve duhet t’i përgjigjen vetë drejtuesit e këtij Kuvendi dhe nismëtarët e tij. A ishte Kuvend apo censurë?
Ne themi, jo.
Ky nuk ishte Kuvend mbarëkombëtar e demokratik, ky nuk ishte bashkim i përbashkët, kolegjial, real e dinjitoz. Ky është bashkim farsë e intrigë, për interesa individuale e personale. Nga ky Kuvend shumë pjesëmarrës dolën të zhgënjyer e mosbesues. Pse?! Sepse të organizosh një Kuvend mbarëkombëtar në radhë të parë duhet zbatuar rregullat dhe kriteret e një Kuvendi të tillë, duhet siguruar pjesëmarrje konkrete e drejtuesve të SHKURSH nga ajo qendrore e deri në rrethe, si edhe të drejtuesve të të gjitha shoqatave të tjera. Kuvendi nuk organizohet me njoftime individuale, me njohje personale apo me anëtarë të AKUSH apo përkrahësve të tyre. Si mund të quhet Kuvend Kombëtar kur SHKURSH nuk merr pjesë në këtë Kuvend? Si mund të quhet Kuvend Kombëtarë kur ju shprehni pjesëmarrjen e SHKURSH Dega Vlorë dhe të shoqatës Sazani në Kuvend, kur në fakt drejtuesit dhe përfaqësuesit e këtyre dy shoqatave nuk kanë marrë pjesë në këtë Kuvend? Ju as nuk i njihni dhe nuk e dini se kush janë drejtuesit e këtyre dy shoqatave në Vlorë? Me keqardhje unë Kryetari i SHKURSH Dega Vlorë Maksim Ramohitaj dhe në emër të shoqatës shpreh indinjatën tonë ndaj jush zoti Mullalli që të abuzoni dhe të thoni gjëra të pavërteta. Ju nuk e dini se shoqata e Sazanit nuk është thjesht shoqatë ushtarake por ajo është shoqata e Sazanit përfshirë edhe banorët dhe familjarët që kanë banuar në atë ishull. Po është e vërtetë se nga Vlora në atë Kuvend kanë ardhur ushtarakë të ndershëm e të predispozuar për një bashkim të tillë dhe ashtu siç duhet bërë një Kuvend ata kanë kërkuar të shprehin edhe shqetësimet dhe problemet e tyre. A mund të quhet Kuvend kur pjesëmarrësit i fut në censurë e nuk i lejon të shprehin mendimet e tyre edhe pse u kërkuar disa herë fjala nga ushtarakët Edi dhe Ilmi dhe vetëm me vendosmërinë dhe angazhimin serioz të ushtarakut Ilmi Balla, jua thanë troç, fort e bukur mendimet dhe qëllimin e tyre për bashkimin e ushtarakëve dhe duke parë farsën dhe intrigat individuale të disave, dhjetë ushtarakët e Vlorës u larguan nga ky Kuvend, pasi ai nuk mund të quhej i tillë dhe ata nuk u bënë pjesë e juaja. Po ashtu pati edhe mjaft ushtarakë të tjerë e deri në grada major që qëndruan në heshtje, që u zhgënjyen nga drejtuesit dhe nismëtarët e këtij Kuvendi. Prandaj ju drejtohem me sinqeritet, i dashur Hysni, se ju nuk mund të deklaroni një pjesëmarrje të ushtarakëve të Vlorës apo të shoqatës së Sazanit pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve apo drejtuesve të tyre. Me keqardhje ne shprehim se veprimi juaj parimisht është, sa i dëmshëm aq edhe i gabuar për të gjithë shtresën e ushtarakëve të liruar e në rezervë. Nuk është aspak e moralshme që ne të fyejmë njëri – tjetrin. Ne duhet të ruajmë etiketën e karakterin tonë si ushtarakë, të ruajmë autoritetin e gjithsecilit dhe të vetvetes. Sinqerisht do të dëshironim që ne të gjithë së bashku të bënim gjënë e duhur, gjënë e nevojshme për të gjithë ushtarakët që të fitojmë të drejtat që kërkojmë, për këtë të bëhet lufta dhe jo për të fituar disa, një pakicë, e aq më tepër disa persona, këtu i humbet vlera çdo aktiviteti dhe përpjekjeje që bëhet. 

Së treti, SHKURSH Dega Vlorë, gjithë ushtarakët në lirim e në rezervë të Vlorës ju shprehim edhe njëherë me sinqeritet e dashamirësi juve drejtuesve të shoqatave në qendër në Tiranë dhe ju bëjmë apel: Bashkëpunoni me mendje të kthjellët, uluni e bisedoni pa tone fyese, acaruese e përçmuese, lërini karriget dhe luftën për të parin, e bëni më të mirën e mundshme të të gjithë ushtarakëve të Shqipërisë, të cilët kanë halle e probleme nga më të ndryshmet. Ne shprehim mendimet dhe dëshirën e mirë se baza qendrore e këtij bashkimi është SHKURSH e vitit 1996, programoni punën, vendosni, vini një emërtim që mendoni për drejtimin e një shoqate të vetme në rang kombëtar. Jo shumë Kamberë në një derë, se asnjëherë nuk kemi përfituar atë që kërkojmë. Bashkëluftëtarë, mendoni se nuk kemi kohë të tepërt për të humbur, pasi një pjesë e mirë e shokëve tanë po ikin një e nga një e po ndahen nga kjo botë dhe pa fituar e gëzuar atë që na takon .Të paktën të arrihet diçka nga ana ekonomike dhe moralisht të paktën të arrihet që të përcillen në atë botë me nderimet që i takon secilit ushtarak, me ceremonitë përkatëse sipas rastit, sepse secili prej nesh për këtë vend ka dhënë gjithçka: mundin, djersën, sakrificën për detyrën dhe atdheun, si ai oficeri i ulët e deri te ushtaraku i lartë e Gjenerali. Edhe një herë ju bëjmë Apel – Bashkohuni, bashkimi na bën më të fortë, më të përgjegjshëm, më prestigjiozë për të arritur atë që na takon, mos të lejojmë qeveritë që të na sorollatin pambarim me premtime boshe, mos të lejojmë partitë dhe politikanët të bëjnë lojërat e kungulleshkave me ne ushtarakët, me ne më të përkushtuarit për atdheun dhe krenarinë e kombit, siç i ka ushtarakët çdo vend i botës. Vetëm kështu do bëhet realitet zbatimi i kërkesave tona për Statusin e Ushtarakut, ndryshe kërkesat tona do vazhdojnë në përjetësi pa i dëgjuar askush!
SHKURSH, Dega Vlorë
Kryetari – Maksim Ramohitaj 
Sekretari – Tajar Rustemi
Sigal