Uria mposht frikën nga virusi: Ricikluesit e varfër të mbetjeve thyejnë karantinën

405
Sigal

Pandemia e COVID-19 ka hyrë në një javë kritike në Shqipëri, por familjet e varfra të komunitetit rom dhe egjiptian në qytetin e Durrësit i janë rikthyer punës së rrezikshme të mbledhjes së mbetjeve të riciklueshme nga kazanët e plehrave, ndërsa presin që ndihmat e premtuara nga qeveria të materializohen

Ndryshe nga shumë qytetarë të Durrësit, të cilët e shfrytëzuan mëngjesin e të hënës për të bërë blerje nëpër dyqane ndërsa qyteti bëhej gati të futej në javën e dytë të karantinës kundër koronavirusit të ri COVID-19, Agroni – një anëtar i komunitetit rom iu rikthye mbledhjes së mbeturinave të riciklueshme në kazanët e mbetjeve të tejmbushura gjatë fundjavës.

“Të shtunën dhe të dielën nuk kam dalë nga shtëpia, pasi nuk më la gruaja që të dilja nëpër kazanët e plehrave. Kishte frikë mos më kapnin, se dhe ajo më duhet mua një gjobë dhe mora fund pastaj,”– thotë Agroni, i cili e ka nisur javën duke mbledhur mbetje në një nga kazanët e shumtë në lagjen Nr.18 në qytetin bregdetar.

Pasi ka mbushur një karrocë dore me bidona, shishe, kanaçe dhe gjithfarë mbetjesh të tjera, burri thotë si i zënë në faj se do të ikë menjëherë në shtëpi, nga frika se mos e identifikojnë si shkelës të karantinës. Kjo për të përkthehet në gjobë apo heqjen e së drejtës për të përfituar ndonjë ndihmë nga shteti në këto ditë të vështira.

“Po mua më gjete të më bësh foto, të lutem fshihje se mos ha ndonjë gjobë, që po hapim plehrat dhe bëjmë pis qytetin – se kështu thonë për ne romët që mbledhim konoçe,” lutet Agroni me sytë nga karroca, të cilën e ka sajuar vetë.

Halli i tij dhe i shumë pjesëtarëve të varfër të komunitet rom dhe egjiptian në qytet është sigurimi i të ardhurave për të vendosur bukë mbi sofër. Për këtë arsye, biznesi i rrezikshëm i riciklimit ka vazhduar duke sfiduar edhe ndalimin e qarkullimit të vendosur nga Policia e Shtetit dhe Ushtria, ndonëse shumica e bizneseve në vend i kanë mbyllur me kohë qepenat.

Prej më shumë se 10-ditësh, Shqipëria është vendosur nën masa të rrepta distancimit social si pjesë e përpjekjes së qeverisë për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri COVID-19, i cili deri të martën kishte infektuar 123 persona në të gjithë vendin dhe ka shkaktuar 5 viktima.

Si pjesë e asaj që e ka quajtur një ‘luftë’ kundër një armiku të padukshëm, qeveria ka mbyllur shumicën e bizneseve përveç atyre që konsiderohen jetike – si furrat e bukës, supermarketet dhe farmacitë, ndërkohë që ka premtuar ndihmë për familjet e varfra nëpërmjet një operacioni humanitar të drejtuar nga ushtria dhe autoritetet vendore.

Në Prefekturën e Qarkut të Durrësit mësohet se që prej ditës së premte ka nisur puna për shpërndarjen e ndihmave në ushqime dhe kite higjienike për familjet në nevojë, me qëllim që të përballojnë situatën e krijuar nga COVID-19.

Prefekti i Qarkut të Durrësit, Ronald Nasto i tha BIRN në një lidhje telefonike se aksioni për shpërndarjen e ndihmave po vijon, në bashkëpunim me njësitë administrative.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Vetëm në njësinë administrative Manëz janë shpërndarë 100 pako me ushqime, në njësinë administrative Sukth 50 pako në total deri më tani për 350 familje ndërsa puna vijon,” tha Nasto.

Burime pranë bashkisë së Durrësit i thanë BIRN se disa ditë më parë, bashkia në bashkëpunim me një organizatë joqeveritare shpërndau gjithashtu ndihma për 50 familje, ndërkohë që pritet që në bashkëpunim me Institucionin e Prefektit, të sigurojë ndihma edhe për komunitetin rom dhe egjiptian.

Deri në mbërritjen e ndihmave, për shumë anëtarë të komuniteteve në nevojë zgjidhja për të vendosur bukë mbi tavolinë kalon përmes kazanëve të plehrave. E ndërsa popullatës po i kërkohet me insistim higjienë e shtuar për mbrojtjen nga koronavirusi, për këtë komunitet kjo kërkesë mbetet e vështirë për t’u zbatuar.

Ndërsa Institucioni i Prefektit pritet të koordinojë punën me bashkinë e Durrësit për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, Agroni dhe kryefamiljarë të tjerë nga shtresat në nevojë mbeten skeptikë, edhe pse ndihma shtetërore është shpresa e tyre e vetme për të respektuar karantinën.

“Jemi shtatë frymë në familje, fëmijët dhe gruaja i kanë sytë nga unë se ata nuk i nxjerr se kam frikë nga ky virusi dhe vetëm unë dal për të mbledhur kanaçe, hekurishte dhe çdo gjë që të dali,” tha kryefamiljari rom.

Ndonëse nuk e fsheh frikën ndërsa kërkon nëpër kazanët e mbeturinave, burri mundohet që të mbrohet me një maskë të improvizuar.

“Këtë ma bëri gruaja me napë vetë, se kam frikë që fus kokën dhe duart mes plehrave, por skam ç’të bëj, nuk kemi bukë në shtëpi,” përfundoi ai./Reporter.al