Urdhri i Llallës, Tahirit e Kodhelit: Armët, si merren provë materiale

531
Ministri i Punëve të Brendshme, ministrja e Mbrojtjes dhe Prokurori i Përgjithshëm, kanë nxjerr një udhëzim për procedurat dhe rregullat e hollësishme të trajtimit të armëve si provë materiale. Sipas këtij udhëzimi të firmosur nga Tahiri, Kodheli dhe Llalla, armët e kapura, të zbuluara e të sekuestruara si provë materiale në vendngjarje apo në rrethana të tjera, duhet të trajtohen me kujdes për mosdëmtimin e gjurmëve, të cilat ndikojnë në dokumentimin ligjor ose jo të veprës penale.
Provat materiale merren në vendin e ngjarjes nga oficeri i policisë gjyqësore (OPGJ), i cili ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes apo ka bërë sekuestrimin e provës materiale. Procesverbali i përshkrimit të armës, duhet të përmbajë detyrimisht: a) të dhëna për armën: tipi, kalibri, fabrika e prodhimit, modeli, numri i serisë; b) nëse ka shenja të veçanta apo ndryshime të konstruktit, apo sipërfaqes së armës. Këto armë dërgohen për t’u ekzaminuar në Drejtorinë e Policisë Shkencore.
Titullari i njësisë vendore të policisë merr masa për dërgimin e provës materiale (armë, municion) në Drejtorinë e Policisë Shkencore nën përgjegjësinë e ekspertit kriminalist/oficeri i policisë gjyqësore. Sipas udhëzimit, oficeri i policisë gjyqësore, që ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes apo sekuestrimin e provës materiale ose punonjësi i policisë i autorizuar, e dorëzojnë provën materiale, armën, në Drejtorinë e Policisë Shkencore, së bashku me vendimin e ekspertimit kundrejt firmës së marrësit e të dorëzuesit. Drejtoria e Policisë Shkencore administrimin e trajtimin e armës provë materiale e kryen sipas rregullave të brendshme të vendosura prej saj.
Udhëzimi përcakton se eksperti kriminalist/oficeri i policisë gjyqësore në njësitë vendore të policisë, është përgjegjës për tërheqjen e provës materiale, së bashku me vendimet përkatëse nga Drejtoria e Policisë Shkencore. Arma provë materiale, që kthehet nga Drejtoria e Policisë Shkencore në njësinë policore që e ka dërguar, i dorëzohet së bashku me aktin e ekspertimit, kundrejt firmës punonjësit të policisë/oficerit të policisë gjyqësore që ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes apo sekuestrimin e provës materiale.
Provat materiale në njësitë vendore të policisë ruhen në magazina të veçanta nga ato ku ruhet armatimi municioni e pajisjet organike të policisë. Udhëzimi thotë se, ndalohet mbajtja e armëve, municionit, lëndëve plasëse në zyrat e oficerëve të policisë gjyqësore, ekspertëve kriminalistë apo çdo punonjësi tjetër të policisë, prokurorëve e gjyqtarëve, përveç depos së caktuar për këtë qëllim. Punonjësi i policisë/oficeri i policisë gjyqësore është i detyruar, që brenda 24 orëve të dorëzojë armën, municionin provë materiale së bashku me procesverbalin e sekuestrimit në depon e provave materiale, armatimit të njësisë vendore të policisë.
Provat materiale me përbërje eksplozivi merren në vendin e ngjarjes, duke respektuar rregullat e shërbimit kriminalistik dhe rregullat e sigurimit teknik nga punonjësi i policisë/oficeri i policisë gjyqësore dhe eksperti kriminalist, që kryejnë këqyrjen e vendit të ngjarjes apo kanë sekuestruar provën materiale. Prova materiale me përbërje eksplozive, që paraqesin rrezik për shpërthim, sekuestrimi dhe transportimi i tyre për në vende të sigurta bëhet me ndihmën e ekspertëve me njohuri të posaçme të specialistëve anti-eksplozivë.
Sipas udhëzimit, provat materiale me përbërje eksplozivi dhe që nuk paraqesin rrezik shpërthimi në të gjitha rastet ruhen në magazinën/depon e armatimit të drejtorisë së policisë të qarkut ose të komisariatit të policisë. Për asgjësimin e këtyre provave materiale hartohet procesverbal i veçantë, i cili i bashkëngjitet dosjes hetimore. Asgjësimi i tyre bëhet nga specialistë anti-eksplozivë në vend ose nëse mund të transportohen në poligone të miratuara me ligj, në prezencë të OPGJ-së dhe ekspertit kriminalist.
Marrë nga Shekulli 
Sigal