Ura monument kulture e “Shën Prodhromit”, rrezikon të shembet

439
Sigal

Ura e “Shën Prodhromit” në Voskopjë, monument kulture i kategorisë së parë, rrezikon të shembet. Alarmi për shembjen e saj është dhënë disa vite më parë, por deri më sot nuk është marrë asnjë masë. Automjetet e tonazhit të rëndë vijojnë të kalojnë sipër saj edhe pse kalimi mbi këtë urë është i ndaluar për mjete të këtij lloji. Të njëjtën gjë bëjnë edhe autobuzat që sjellin në Voskopjë turistë dhe vizitorë. Kalimi i automjeteve mbi urë, nuk ndërpritet asnjëherë dhe aq më shumë në periudhën e verës, kur turistët dëshirojnë të vizitojnë manastirin e “Shën Prodhromit”. Për rrjedhojë, qendresa e urës dobësohet nga viti në vit. Nga ana e Drejtorisë rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Korçë, janë bërë restuarime të pjesshme, por ato nuk kanë qenë gjë tjetër veçse “arnimi” që nuk e zgjidhin dot situatën. Nëse ura shembet pa arritur të ndrhyhet, atëherë trashëgimisë kulturore të Korçës i humbet një nga monumentet kulturore me vjetërsi 300-vjeçare, dhe rëndësi për turizmin.

 

Shkresa vajtje-ardhje

Përgjatë disa viteve  nga ana e Drejtorisë rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Korçë, janë dërguar shkresa në institucionet përkatëse në Tiranë, përfshi këtu edhe Ministrinë e Kulturës por edhe pse vitet kalojnë, deri më sot zgjidhje nuk ka patur. Aktualisht kërkohet që përbri urës të ngrihet një urë tjetër e tipit “Bel”, me qëllim që automjetet të mos kalojnë mbi urën monument kulture. Tashmë po premtohet se në fillim të korrikut do të fillojnë punimet, por sa e sigurtë është kjo nuk dihet, sepse realisht është thënë që punimet do të fillonin brenda 6-mujorit të parë, por më qenë se fillimi i punimeve po shtyhet, tashmë po pritet edhe muaji i fundit i këtij afati kohor. Rruga që të çon në manastirin e “Shën Prodhromit” është asfaltuar nga kompania e kontraktuar, por nuk është e qartë nëse edhe urën e re duhej ta ndërtonte kjo kompani. Kompania në fjalë, aty tek ura monumentale ka krijuar një baypas, ka  hedhur dhe  bazamentet e dy këmbëzave të urës, dhe duket se puna e saj ka përfundur aty.

 

Rishikim kontrate me kompaninë

Burime pranë Drejtorisë rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Korçë bëjnë me dije se kjo drejtori ka rishikuar kontratën me kopmaninë e kontraktuar. Tashmë puna e mbetur do të kryhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ndërkohë  i është kërkuar ndihmë Ministrisë së Mbrojtes me qëllim ndërtimin e një ure “Bel”, dhe vëtëm pas kësaj do të ndërmerren punime restuaruese për urën monument kulture, e cila do të jetë e mbrojtur nga kalimi i automjeteve të tonazhitë të rëndë dhe autobuzave. Vlera e investimit kap shifrën e 4 milionë e 500 mijë lekëve. Për të parë se çfarë do të ndodhe realisht, duhet pritur deri në muajin korrik, madje duhet parë nëse deri atëherë  ura e “Shën Prodhromit” do të pësojë dëmtime të tjera ose jo. Gjithçka mbetet për t’u verifikuar në muajin korrik, sepse edhe pse në hyrje të urës ka një sinjalistikë, që ndalon kalimin e automjetve, askush nuk pyet për të, pasi rrugë tjetër kalimi nuk ekziston.