TEC-i Korçës ndez motorët e luftës së nxehtë politike

525
Sigal

PD, akuzon qeverisjen për korrupsion dhe shkatërrim të Korçës

 

Duket se projekti për ndërtimin e një TEC-i në qytetin e Korçës, për prodhimin e energjisë elektrike po shërben si prelud i fillimit të një lufte të ashpër mes partive politike, pasi TEC-i vijon të mbetet një nga pikat më të nxehta të ndjeshmërisë qytetare, sepse ndërtimi ose jo i tij, është i lidhur ngushtësisht me jetën e vetë qytetarëve. Aktualisht janë të shumtë zërat që pohojnë se ndërtimi i TEC-it do të sjellë ndotje të mjedisit dhe rrezik për jetën e qytetarëve. Kundër ndërtimit të TEC-it është rreshtuar edhe z. Aurel Grabocka, përfaqësues i Komisionit të qytetarëve, i cili ka bërë të ditur për banorët e Korçës se: “Ngrohja e qytetit me avull nga TEC-i është gënjeshtër shumë e madhe djallëzore; energjia e prodhuar do të shkojë për tregun rajonal dhe jo për Korçën. Gjithashtu Grabocka deklaroi se “Po përgatitet një katastrofë ekologjike”. Këtë pikë të nxehtë, tashmë e ka marrë në dorë Partia Demokratike e Korçës për ta shndërruar në një kauzë të madhe politike.

 

Zëvendëskryetarja e Këshillit Bashkiak Korçë, denoncoi

 

Në lidhje me ketë çështje, znj. Ledina Alolli, zëvendëskryetarja e Këshillit Bashkiak Korçë, në një dalje për mediat tha: “Dega lokale e Partisë Demokratike e Korçës, vijon të denoncojë me forcë mega-aferën më të frikshme korruptive që kërcënon jetën, mjedisin, perspektivën e zhvillimit të Korçës dhe më gjerë, dhe që lidhet me ndërtimin e një vepre energjetike që do të prodhojë energji nga gazi natyror”. Gjatë deklarimeve të saj nuk la pa akuzuar as z. Niko Peleshi: “Pasi nuk ia doli t’i sillte Korçës një TEC, që do të punonte me qymyr natyror, kur ai mbante postin e nr 2 të qeverisë, ish-ministri i shkarkuar i Bujqësisë, z. Peleshi, firmosi menjëherë për t’i dhuruar Korçës një përbindësh ekologjik, i cili do të shkatërrojë në mënyrë të pakthyeshme mjedisin, bujqësinë, turizmin dhe nuk do të japë asnjë garanci për sigurinë e jetës së mijëra banorëve korçarë”. Sipas znj. Alolli, miratimi i projektit u bë në mënyrë të fshehtë, hajdutçe, dhe klandestine, duke përjashtuar nga konsultimet ekspertët dhe dëgjesat publike, formale, duke rrëfyer përrallën e “Një nate dimri”, por që në të vërtetë TEC-i do të rritë me 25 herë nivelin e ndotjes. Madje edhe investitori, i cili duket sikur po sjell në Korçë bujarisht 400 milionë euro, e vërteta është se prodhimi i energjisë elektrike do të shitet në tregun e huaj”.

 

Akuza edhe ndaj kryetarit të Bashkisë

 

“Znj. Alolli akuzoi edhe kryetarin e Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo: “Këtë të vërtetë po mundohet ta manipulojë me terr informativ korrupsioni qeveritar, të cilit së fundmi i është bashkuar edhe me zell shumë të madh kreu i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo”. “Korçarët ta falën kullën, tha znj. Alolli, të falën miliona euro për luksin e administratës tënde, ta falën shkatërrimin e çdo vlere urbanistike në qytet, t’i falën tenderët dhe paratë publike, por e vërteta është se nuk do të falin dhe nuk do të lejojnë dhe nuk do të harrojnë se je edhe ti përgjegjës i shndërrimit të Korçës në një gërmadhe industriale”.

 

Prefekti dhe Kryetari i bashkisë kundër TEC-it

 

Megjithatë duhet thënë se para pak ditësh prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari dhe kryetari i i Bashkisë, Sotiraq Filo, u shprehën kundër ndërtimit të TEC-it. Z. Spirollari tha: “Në rast se ndikimi në mjedis do të jetë negativ, sigurisht nuk mund ta mbështes as unë dhe as institucionet e specializuara që janë të ngarkuara me vlerësimin e çdo koeficienti që tashmë ka vënë në raport siç është ndotja e qytetit, siç janë efektet që mund të japin në zhvillimin në bujqësi”. E njëjta gjë u tha edhe nga Sotiraq Filo: “Nuk ka asnjë kompromis nëse TEC-i shkakton ndotje dhe nëse nuk shërben për ngrohjen e banorëve të Korçës. Gjithsesi, pritet të shihet çfarë do të ndodhë në vijim, pasi TEC-i, po shndërrohet në një nga pikat më të nxehta të luftës politike, që sipas Alollit, e vërteta është se po tentohet që e vërteta të mbulohet me terr informativ.

Cila është e vërteta, pritet që gjithçka të sqarohet shpejt.