Zgjerohet ndërkombëtarizimi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë
Në datat 11–13 nëntor 2025, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë mori pjesë në takimin vjetor të Anniversary of the Magna Charta Universitatum MCU2020, i cili u zhvillua në King’s College London. Në këtë konferencë morën pjesë rreth 193 përfaqësues nga universitete dhe institucione të arsimit të lartë nga Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Azia dhe Afrika.

Përgjatë këtij eventi, me nënëshkrimin e Magina Charta Universitum nga presidenti i UMSH-së, Akademik, Prof. Dr. Anastas Angjeli, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë u bë gjithashtu anëtar i Observatorit Magna Charta të Vlerave dhe të Drejtave Themelore Universitare (MCO), duke forcuar angazhimin e tij ndaj vlerave themelore të autonomisë, integritetit akademik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Gjatë konferencës u diskutua mbi lirinë akademike, sfidat e së ardhmes dhe rëndësinë e bashkëpunimit midis universiteteve, akademikëve dhe studentëve.

Magna Charta Observatory (MCO) u themelua në vitin 2000 nga Universiteti i Bolonjës dhe Rrjeti i Universiteteve Evropiane (EUA), duke u mbështetur në parimet themelore:
- Universiteti është një institucion autonom dhe pjesë thelbësore e shoqërisë;
- Mësimdhënia dhe kërkimi shkencor në universitete duhet të jenë të pandarë, në mënyrë që të përmbushin nevojat e ndryshueshme të shoqërisë dhe të përparimit të dijes;
- Liria për kërkim dhe zhvillim është parimi themelor i jetës universitare;
- Universiteti është bartës i traditës humaniste evropiane, me synimin për arritjen e dijes universale.
Pas nënshkrimit të anëtarsimit, presidenti i Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, Akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli, u shpreh se:
Sot, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë shënon një hap të rendësishëm në ndërkombëtarizimin e tij, dhe një moment të veçantë në historinë e tij akademike.
Nënshkrimi i Magna Charta Universitatum 2020, është vetëm një akt që simbolizon anëtarësimin tonë në një komunitet të gjerë ndërkombëtar universitetesh, por në të njëtën kohë edhe përkushtimin tonë të thellë ndaj vlerave universale të arsimit të lartë, lirisë akademike, autonomisë institucionale dhe përgjegjësisë shoqërore.

Liria akademike nuk është një privilegj profesional, por shtylla e përparimit intelektual dhe shoqëror. Ajo u jep studiuesve dhe pedagogëve fuqinë për të pyetur, debatuar dhe sfiduar mendimet e pranuara, duke hapur horizonte të reja për inovacion dhe zhvillim.
Por, liria duhet të ndërtohet mbi ndershmëri, integritet dhe respekt për evidencën shkencore. Këto parime janë themeli mbi të cilin ngrihet çdo universitet që aspiron ekselencën dhe ndershmërinë akademike. Këto vlera janë garanci që dija të mbetet e përgjegjëshme dhe në shërbim të përparimit shkencor.

Me këtë nënshkrim, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë riafirmon misionin e tij për të qenë një institucion i hapur, i pavarur dhe i angazhuar në promovimin e dijes, të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të zhvillimit të qëndrueshëm. Ky është një angazhim moral ndaj së ardhmes, një premtim për të ruajtur lirinë e mendimit, dinjitetin e kërkimit dhe integritetin e arsimit të lartë.

MAGNA CHARTA UNIVERSITATUM (PËRMBLEDHJE PARIMESH)
HYRJE
Rektorët e universiteteve evropiane, nënshkrues, që u mblodhën në Bolonjë me rastin e nëntëqind vjetorit të universitetit më të vjetër në Evropë, katër vjet para heqjes definitive të kufinjve ndërmjet shteteve të Komunitetit Evropian; duke parashikuar bashkëpunim gjithpërfshirës në mes kombeve evropiane dhe duke besuar se njerëzit dhe shtetet duhet të jenë të vetëdijshëm gjithnjë e më shumë se nga universitetet do të kërkohet të luajnë rol në shoqërinë përherë më të ndryshueshme dhe të ndërkombëtarizuar konsiderojnë se:
- Duke iu afruar fundit të këtij mijëvjeçari ardhmëria e njerëzimit më së shumti varet nga zhvillimi kulturor, shkencor dhe teknik: dhe se kjo ndërtohet në qendra të kulturës, dijes dhe hulumtimit të përfaqësuara nga univeristetet e vërtetë.
- Se detyra e universitetit për të shpërndarë dijen te gjeneratat e reja nënkupton në ditët e sotme se ata duhet t`i shërbejnë shoqërisë si një tërësi, dhe se ardhmëria kulturore, sociale dhe ekonomike e një shoqërie kërkon në veçanti një investim të konsiderueshëm në arsimim të vazhdueshëm;
- Se universitetet duhet t’u japin gjeneratave të ardhshme arsimim dhe aftësim që do t’i mësojë ata dhe nëpërmjet atyre të tjerët të respektojnë harmoninë në mes mjedisit të tyre natyror dhe jetës në përgjthësi.
Rektorët e universiteteve evropiane shpallin para të gjitha shteteve dhe ndërgjegjes së të gjitha kombeve parimet themelore, të cilat tash dhe në të ardhmen duhet të mbështesin qëllimin e universiteteve.

PARIMET THEMELORE
- Universiteti është institucion autonom në zemër të shoqërive të organizuara ndryshe përshkak të shtrirjes gjeografike dhe trashëgimisë kulturore. Ai prodhon, ekzaminon, vlerëson dhe transmeton kulturën nëpërmjet hulumtimit dhe mësimdhënies.
Për t’i përmbushur nevojat e botës rreth tij, hulumtimi dhe mësimdhënia duhet të jenë moralisht dhe intelektualisht të pavaruara nga autoriteti politik dhe fuqia ekonomike.
- Mësimdhënia dhe hulumtimi në univiersitete duhet të jenë të pandara në mënyrë që të mos ngelin mbrapa nevojave të ndryshueshme, kërkesave të shoqërisë dhe përparimit të njohurive shkencore.
- Liria për hulumtim dhe aftësim është parimi themelor i jetës universitare, dhe qeveritë dhe universitetet, aq sa varet nga ato, duhet të sigurojnë respektimin e kësaj kërkese themelore.

Universiteti, duke refuzuar jotolerancën dhe duke qenë gjithmonë i hapur për dialog, është një vendtakim ideal për profesorët e aftë dhe të pajisur mirë për ta shpërndarë dhe për ta zhvilluar dijen e tyre me hulumtim dhe inovacion te studentët e aftë dhe të etshëm të pasurojnë mendjet e tyre me këto njohuri.
- Universiteti është bartës i traditës humaniste evropiane; ai përkujdeset në mënyrë të vazhdueshme që të arrihet dija universale; për të përmbushur qëllimin e tij kalon kufinjtë gjeografikë dhe politikë dhe afirmon nevojën vitale për njohjen dhe ndikimin reciprok të kulturave të ndyshme.

MJETET
Realizimi i këtyre qëllimeve në kuadër të këtyre parimeve, kërkon mjete efektive , të përshtatshme për kushtet e tanishme.
- Që të ruhet liria për hulumtim dhe mësimdhënie, mjetet për realizimin e kësaj lirie duhet t’u bëhen të mundshme të gjithë anëtarëve të komunitetit të universitetit.
- Punësimi i mësimdhënësve dhe rregullimi i statusit të tyre duhet t’i përmbahet parimit që hulumtimi është i pandashëm nga mësimdhënia.
- Secili universitet duhet të garantojë për studentët lirinë dhe kushtet në të cilat ata mund të fitojnë kulturën dhe mësimin, të cilin kanë për qëllim ta arrijnë, me përjashtim të disa rrethanave të veçanta.
- Universitetet, veçanërisht në Evropë, vlerësojnë shkëmbimin reciprok të informatave dhe të dokumentacionit, dhe projektet e përbashkëta e të shpeshta për avancimin e studimit , si gjë esenciale për progres të qëndrueshëm të dijes. Prandaj, ashtu si në vitet e hershme të historisë së tyre, ata inkurajojnë lëvizjen e studentëve dhe të mësimdhënësve; dhe konsiderojnë një politikë të përgjithshme të statusit, të titujve,të provimeve ekuivalente ( pa paragjykim të diplomave kombëtare) si dhe dhënien e bursave si çështje qenësore për të përmbushur misionin e tyre në kushtet që mbizotrojnë sot.
Rektorët, nënshkrues, në emër të universitetit të tyre, ndërmarrin gjithçka që është brenda mundësive të tyre që të inkurajojnë secilin shtet, si edhe organizatat ndërkombëtare relevante që të sajojnë më vendosmëri politikat e tyre në pajtim me këtë Përmbledhje Parimesh (Magna Kartë), e cila shpreh dëshirën unanime të universiteteve të vendosura dhe të deklaruara lirisht.




















