Universitetet, nis procesi i regjistrimit

447
Në datat 29 gusht deri më 11 shtator, të gjithë aplikantët të shpallur fitues të raundit të parë, do të mund të kryejnë procesin e regjistrimit pranë sekretarive mësimore të IAL-ve
Tashmë të gjithë maturantët, të cilët kanë kryer procesin e aplikimit të raundit të parë dhe janë shpallur fitues, do të kenë mundësi të kryejnë procesin e regjistrimit në sekretaritë mësimore të shkollave të larta, duke filluar prej ditës së martë më datë 29 gusht dhe deri në 11 shtator. Deri sot , të gjithë universitetet duhet të përfundojnë procesin e shpalljes së fituesve, për t’ia lënë radhën fazës tjetër. Kjo periudhë është e ndarë në 7 faza, me kohëzgjatje 48 orë secila, ku çdo maturant fitues do të mund të regjistrohet në programin e studimit ku ka aplikuar dhe është shpallur fitues. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, maturantët të cilët nuk regjistrohen brenda afatit të përcaktuar 48-orësh, humbasin këtë të drejtë. Procesi i regjistrimeve nga sekretaritë mësimore, bëhet vetëm me paraqitjen e dokumentacionit, ku çdo maturant ka të drejtë të regjistrohet vetëm në një program studimi. 

Në udhëzimin e publikuar mësohet se, nëse pas çdo faze konstatohen kuota të paplotësuara, atëherë vija e kuqe do të spostohet, duke shpallur fitues ata që vijojnë më poshtë, ku do të kenë mundësi të regjistrohen në fazën pasardhëse. Për sa i përket mënyrës se si do të procedojnë sekretaritë mësimorë, ato do të mbajnë regjistër të veçantë për dorëzimin e dokumentacionit, datën, orën e dorëzimit si dhe nënshkrimin e aplikantëve të regjistruar. Për maturantët të cilët duan të çregjistrohen pasi kanë bërë regjistrimin me dokumentacionin do të kenë mundësi vetëm në datë 12 shtator, ku duhet të paraqesin një kërkesë për çregjistrim pranë sekretarive mësimore të fakultetit ku janë regjistruar. Për ndjekjen e ecurisë së procesit të shpalljes së fituesve gjatë 7 fazave 48-orëshe, MAS dhe QSHA do të publikojnë një Udhëzues Teknik në faqet zyrtare www.arsimi.gov.al dhe www.qsha.gov.al. Brenda datës 13 shtator do të publikohen regjistrimet përfundimtare të raundit të parë dhe të kuotave të paplotësuara. 

Maturantët fitues duhet të paraqiten brenda afatit kohor të përcaktuar bashkë me këto dokumentacione të cilat përfshijnë: 
1 – Dokumentin e identifikimit të fotokopjuar , ku mund të jetë kartë identiteti ose pasaportë.
2 – Fotokopjen e noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore, ose të dëftesës së pjekurisë së bashku me certifikatën e notave. 
3 – Deklarata e cila plotësohet nga aplikanti në prani të sekretarisë mësimore dhe nënshkruhet nga aplikanti dhe punonjësja e sekretarisë.
Sigal