Unioni i Gazetarëve i shqetësuar për padinë e zyrtares së Mbrojtjes kundër gazetares

257
Sigal

Një zyrtare e Minstrisë së Mbrojtjes hodhi në gjyq gazetaren Juli Ristani dhe dy media për shkak të raportimit prej tyre të ankesës së prindërve të një studenti garues për një bursë mjekësie dhe dyshimeve se konkursi u manipulua.

Artikulli i Ristanit, paraqet një dokument në të cilin, një kandidat për një bursë nga qeveria e Greqisë në kuadër të NATO-s renditet fillimisht i pari, por pastaj kriteret e vlerësimit ndryshojnë dhe studenti e humbet bursën. Prindërit e studentit ankohen ndërsa denoncojnë në media se kanë marrë në orët e vona të natës një telefonatë kërcënuese nga zyrtarja Belioza Çoku, e cila i kërcënoi ata për nxjerrje të sekreteve.

Ministria e Mbrojtjes nuk ka komentuar publikisht mbi akuzat e ngritura nga familjarët e studentit dhe nuk ka dhënë shpjegime për ndryshimin e renditjes.

Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, një organizatë për mbrojtjen e gazetarëve në Tiranë, e cilësoi padinë e ngritur nga Çoku ndaj Ristanit si një “akt intimidues dhe presioni” ndërsa theksoi se Ministria e Mbrojtjes nuk ka mbajtur qëndrim publik mbi çështjen dhe nuk ka denjuar të japë shpjegime mbi çështjet e ngritura nga artikulli i Ristanit.

“Gazetarja Juli Ristani për përgatitjen e këtij raportimi është ndeshur me vështirësi dhe pengesa të shumta deri edhe me presione të hapura,” vëren Unioni.

“Qysh prej botimit të shkrimit nga gazetarja me përvojë të gjatë dhe kontribuese në gazetarinë e raportimit dhe atë të investigimit, reagimet e zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe vënia në lëvizje e gjykatës përmes padisë, përbëjnë një akt intimidues dhe presioni mbi raportimin e lirë të gazetares dhe mediave të përfshira në këtë publikim,” thotë më tej Unioni.

Nga Gjergj Erebara