Sigal

Protesta e vendosur e atyre që do t’u prishen banesat tek Unaza e Re, ishte maja e ajzbergut e një afere disafish më të madhe.

Sepse përpos prishjes se 317 godinave, gati 1/3 e të cilave janë në proces legalizimi, përpos të drejtave që legjislacioni europian u njeh atyre banorëve për dëmshpërblim sipas tregut, kjo protestë e fortë ndezi prozhektorët edhe mbi dyshimet që gëlojnë për një tender 40 milionësh.

Qeveria shqiptare miratoi në shtator 3 gara për segmentin prej 2.2 kilometrash, nga “Pallati me shigjeta” deri tek rreth rrotullimi i ish Shqiponjës. E imagjinoni sa është çmimi i këtij pazari? Plot 40 milionë euro. Pra më shumë se 18 milionë euro për KM.

Image

Dhe për të arritur tek kjo shifër çfarë ka ndodhur? Një praktikë tashmë e njohur nga qeveria Rama: mungesa e garës. Ajo zhvillohet në 3 forma, ose mes PPP-ve, ose koncesioneve me ofertë të pakërkuar, ose, së fundi, mes konkurimeve të falcifikuara. Për ndarjen e 40 milionë eurove të Unazës së Re u përdor mënyra e tretë.

Po të shikosh se si janë ndarë paratë, metoda është qesharake. Gjithësej për dy kilometra rrugë janë bërë tre tendera.

Image

Të parin, me vlerën 18 milionë, e ka fituar Biba X dhe DH Albania. Të dytin me 12.6 milionë e ka fituar Salillari. Dhe të tretin me 9.4 milionë e ka marrë Victoria Invest. Por skandali fillon po të shihet se me kë kanë konkurruar këto kompani që kanë ndarë 40 milionë euro.

I vetmi konkurrent, në të tre tenderat, ka qenë firma Vëllezërit Hysa. Dhe truku nuk përfundon këtu. Por vëllezërit Hysa, siç rezultoi nga një investigim, në të gjitha garat janë paraqitur me ofertën zero lekë.

Image

Pra kanë bërë rolin e një garuesi fiktiv në tre tendera, për të cilat dyshimet janë tejet të mëdha se janë të manipuluar. Pikërisht kjo bën që të thyhet rekordi i mbi 18 milionëve euro për KM (kur rruga malore e Bektelit, që u konsiderua si vjedhje e madhe nga Rama dhe socialistët, ka patur vetëm gjysmën e kësaj kostoje).

Pikërisht edhe për të nxjerrë në dritë këtë skandal të madh, pati vlerë protesta e fortë e banorëve që do u prishen shtëpitë te Unaza e Re.