Importi i plehrave, miratohet dekreti i Nishanit për kthimin e ligjit

520
Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese, ka miratuar në mbledhjen e djeshme dekretin e ish-presidentit të Republikës, Bujar Nishani, i cili ktheu në Kuvend ligjin e mbetjeve. Deputetët socialistë Eduard Shalsi dhe Besnik Bare abstenuan. “Nuk e ndryshoj idenë time pasi bëhet fjalë për import të lëndëve dytësore”, tha Shalsi, i cili është edhe propozuesi i amendamentit për ligjin e mbetjeve. Ai shtoi se “nuk bëhet fjalë për import mbetje, por import i lëndëve të para për industrinë e riciklimit”. “S’është kjo mënyra sesi ne debatojmë me njëri-tjetrin, duhet të flisnin më shumë specialistët se deputetët. Vendimi do merret nga seanca e së enjtes”, tha ai. Pak ditë më parë në këtë komision, Shalsi njoftoi se nisma e tij do të tërhiqet nga punimet e Parlamentit. Ndërsa dje, në mbledhje e grupit parlamentar të PS, kryeministri Edi Rama tha se tërheqja e kësaj nisme nga Kuvendi nuk bëhet për t’i dhënë të drejtë atyre që e kundërshtojnë, duke përfshirë këtu edhe ish-Presidentin Nishani, por që të gjithë qytetarët të informohen për këtë ligj.
Sigal