Unaza e Madhe, Totozani letër Bashkisë, ALUIZNI-t dhe IKMT-së për familjet rome

558
Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, i është drejtuar Bashkisë së Tiranës, Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNI-t, me disa rekomandime për rastin e 9 familjeve rome, të cilat preken nga ndërtimi i Unazës së Re në Selitë të Tiranës.
“Sikurse tashmë jeni në dijeni prej disa muajsh, Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur trajtimin e ankesave dhe problematikave, që lidhen me pasojat në shkeljen e të drejtave të individëve që kanë ardhur nga veprimet, ose mosveprimet e parregullta, apo të kundërligjshme të organeve përkatëse të administratës publike, gjatë zbatimit të projekteve për ndërtimin e veprave madhore publike. Një nga këto raste është edhe trajtimi i ankesave që janë paraqitur nga shtetas të ndryshëm dhe veçanërisht nga pjestarë të komunitetit Rome, banorë në zonën e Selitës, të cilët janë cënuar në pronësinë e tyre, për shkak të ndërtimit të segmentit të Unazës së Re të Tiranës, pikërisht në zonën e Selitës. Së fundmi, problematikave të shumta që kanë dalë nga këto çështje i është shtuar edhe ankesa e përfaqësuesve të 9 familjeve Rome, që kanë banesat e tyre në zonën e Selitës, të cilët janë njoftuar verbalisht ditët e fundit nga ana e inspektorëve të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, për prishjen e banesave të tyre.
Në ankesën e paraqitur ngrihet pretendimi se, banesat e këtyre 9 familjeve (përkatësisht me kryefamiljarë shtetasit Gëzim Jashari, Përparim Gatali, Bujar Muharremi, Nazmi Muharremi, Asterit Demiri, Esat Jashari, Hyrie Karamani, Murat Tafilaku, Nail Tafilaku), janë objekte ekzistuese para datës 10.08.1991, pa dokumente pronësie dhe në këto kushte, ato duhet të kalojnë në pronësi të ligjshme të poseduesve të tyre, me qëllim që të arrihet në një proces shpronësimi. Megjithatë, ata shprehen se kjo gjë nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh, pasi ALUIZNI që prej Nëntorit 2014 ka nxjerrë vendime për një pjesë të mirë të banesave të tyre për përjashtimin nga procesi i legalizimit, ndërkohë që për pjesën tjetër nuk është shprehur ende me vendim. Nuk mjafton kjo, por banoret njoftohen verbalisht edhe nga ana e punonjësve të IKMT-së për prishjen e banesave të tyre, pa ju vënë në dijeni asnjë akt zyrtar për këtë qëllim, ndërkohë që ngrenë pretendimin se kanë aplikuar tashmë pranë Bashkisë Tiranë, për kalimin në pronësi të banesave të tyre dhe të truallit funksional, në përputhje me parashikimet e VKM nr.608 datë 5.09.2012, i ndryshuar. Me marrjen në shqyrtim të këtyre ankesave institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim, mbi zbatimin e procedurave ligjore ndaj banesave në posedim nga ana e ankuesve.
Problemi i parë serioz, që evidentohet në këtë çështje është se, sikurse në shumë ankesa të tjera të trajtuara nga ana jonë na rezulton që janë ende në proces legalizimi nga ana e ALUIZNI-t, apo janë përjashtuar me vendime përkatëse nga ky proces, objekte të ngritura deri më datë 10.08.1991, së bashku me truallin e tyre funksional, për të cilat nuk posedohen nga subjektet përkatëse, akte të fitimit të pronësisë. Nga këto ankesa ka rezultuar se vetëdeklarimet e paraqitura nga ana e subjekteve që kanë ngritur këto objekte, datojnë që nga viti 2005 e në vazhdim, ndërkohë që subjektet përkatëse kanë paguar rast pas rasti detyrimet financiare që lidhen me procesin e legalizimit. Mungesa e informacionit për ecurinë e proceseve nominale të legalizimit nga ana e ALUIZNI-t dhe njoftimet e dërguara në disa raste, nga ana e ish Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK), sot Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), për prishjen e këtyre objekteve kanë qënë problematikat kryesore, që janë evidentuar paraprakisht në ankesat e marra në shqyrtim nga ana jonë. Në disa raste ky konkluzion nuk është paraprirë, apo pasuar me vendimmarrje përfundimtare, kurse në raste të tjera është paraprirë, apo edhe pasuar me nxjerrjen e vendimeve për përjashtimin e këtyre objekteve nga procesi i legalizimit, gjë që ligjërisht ka justifikuar ndërhyrjen e mëtejshme të organeve të tjera që ushtrojnë kompetenca në fushën e ligjshmërisë së ndërtimeve në territor, sikurse ndërhyrjet e ish INUK-ut, sot IKMT. Sikurse e kemi theksuar edhe në disa rekomandime që u janë drejtuar drejtorive rajonale të ALUIZNI-t, për disa ankesa individuale të shqyrtuara nga ana jonë, fusha e zbatimit të ligjit nr.9482 datë 3.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, (pra juridiksioni), përkon në dukje me trajtimin e rasteve në fjalë, sikurse edhe kompetenca e ALUIZNI-t për legalizimin e objektit informal.
Qëllimi dhe objekti i efekteve ligjore të këtij VKM-je, mbetet përcaktimi i institucionit të autorizuar dhe i procedurës së kalimit në pronësi të pasurive të paluajtëshme, të ndërtuara deri më 10.08.1991, e të truallit funksional të tyre, në rastet kur nuk posedohen akte të fitimit të pronësisë (pika 1). Vendimmarrja bazë sipas këtij vendimi, i njihet dhe i ngarkohet institucionit të autorizuar, ndërkohë që ALUIZNI, luan një rol informues për çështje që lidhen me kryerjen e procedurave nga ana e institucionit të autorizuar (pika 6/a). Kemi paraqitur këto përcaktime të VKM nr.608 datë 5.09.2012, i ndryshuar, për të kuptuar situatat që paraqiten në trajtimin e rasteve të cituara nga ana jonë në këtë rekomandim, si dhe të rasteve të tjera që në mënyrë të ngjashme mund të jenë ende në trajtim e sipër nga ana e drejtorive rajonale të ALUIZNI-t, sa i përket objekteve të ngritura para datës 10.08.1991, së bashku me truallin e tyre funksional. Natyrshëm, ankesa e 9 familjeve Rome, e cila është shkak i këtij rekomandimi është një nga rastet e ngjashme që referon në këtë problematikë.
Trajtimi i këtyre çështjeve, paraqet urgjencë trajtimi mbi bazën e përkatësisë juridiksionale dhe kompetenciale ligjore, pasi edhe ndryshimet që i janë bërë VKM nr.608 datë 5.09.2012, me VKM nr.133 datë 11.02.2015, i japin përparësi vendimmarrjes nga ana e institucionit të autorizuar për kalimin e pronësisë të pasurive të paluajtëshme, të ndërtuara deri më 10.08.1991, e të truallit funksional të tyre, në rastet kur nuk posedohen akte të fitimit të pronësisë, sipas përcaktimit të bërë në pikën 1, të këtij vendimi. Mospasja e juridiksionit, si dhe inkompetenca e trajtimit të këtyre rasteve nga ana e ALUIZNI-t, bën që çdo vendim që mund të jetë marrë nga ana e këtij organi, të jetë në kushtet e një akti administrativ, absolutisht të pavlefshëm, në përputhje me parashikimin e bërë në gërmën “b”, të nenit 116, të Kodit të Procedurave Administrative. Vendimet e nxjerra në këto rrethana ligjore, për procedura legalizimesh konkrete shkelin në procedurën e nxjerrjes së tyre, parimin e ligjshmërisë në veprimtarinë e administratës publike (neni 9), parimin e bashkëpunimit me personat privatë (neni 13), parimin e përgjegjshmërisë (neni 14), si dhe të drejtën për t’u informuar, parime këto të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.
Problemi i dytë serioz, që evidentohet në këtë çështje është se, kemi të bëjmë me raste të përsëritura kur poseduesit e objekteve të cilët mbi bazën e legjislacionit në fuqi, kanë specifika të ndryshme në trajtimin ligjor të çështjeve që lidhen me posedimin e objekteve të tyre, njoftohen verbalisht pa ju njoftuar një akt administrativ përkatës, për prishjen e këtyre objekteve nga ana e inspektorëve të IKMT-së. Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), është një organ i administratës publike, që ka juridiksion për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme, prej cilitdo subjekt që i ndërton ato, si dhe për çështje të tjera të përcaktuara në ligjin “Për planifikimin e territorit”, i ndryshuar, apo ligji “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar. Kompetencat e tij në ushtrimin e përgjegjësive të përcaktuara nga ligji janë, konstatuese, shqyrtuese dhe vendimmarrëse/ekzekutive. Ligji bazë, i cili rregullon këtë veprimtari është Ligji nr.9780 datë 16.07.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, i ndryshuar.
Procedurat e parashikuara për inspektimet që kryhen nga ana e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), sipas këtij ligji identifikojnë këto hapa bazë:
– mbajtjen e aktit administrativ që konstaton shkeljen, apo të një dokumenti tjetër të barasvlefshëm me të nga personat e ngarkuar me ligj,
– kryerjen e fazës së shqyrtimit të kundërvajtjes së konstatuar, si pjesë e rëndësishme e procedimit administrativ të filluar nga IKMT, rast pas rasti,
– nxjerrjen dhe njoftimin e vendimit, kur konstatimi i ngjarjes lidhet me shqyrtimin e dokumentacionit, apo të të dhënave të tjera.
– ekzekutimin e vendimit për kundërvajtjen administrative, nga organi administrativ që e ka nxjerrë atë.
Në këto kushte kemi shkelje të një drejte themelore për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor, pasi ankuesve ende nuk u vihet në dispozicion një akt administrativ, që do të mund të shprehej mbi objektet e tyre formale apo edhe informale, duke iu mohuar të drejtën e njoftimit dhe ushtrimit të mjetit efektiv të ankimimit.
Pavarësisht se në dukje trajtimi dhe analiza e mësipërme nuk implikon veprimtarinë e IKMT-së, çdo ndërhyrje e këtij organi në kushtet kur vendimmarrja e ALUIZNI-t mund të konstatohet e paligjshme, sa i takon përjashtimit nga legalizimi i ndërtimeve dhe trojeve funksionalë të tyre që janë ngritur deri në datë 10.08.1991, do të cilësohet në kushtet e paligjshmërisë. Kjo edhe për faktin se, çdo vendimmarrje e e cila është thjesht rrjedhim i zbatimit të një vendimi të nxjerrë në shkelje flagrante të ligjit, do të jetë një tjetër shkelje flagrante e ligjit, e cila thellon paligjshmërinë dhe rëndon situatën konkrete të shkeljes së të drejtave të individit. Tërheqja e vëmendjes për trajtimin e kujdesshëm të këtyre rasteve që kërkojnë një proces shqyrtues paraprak nga ana e IKMT-së, nxjerr në konkluzionin se, çdo procedurë administrative që fillohet nga ana e IKMT-së nuk mund të trajtohet thjesht si zbatim i një vendimmarrje paraprake nga një organ tjetër që vepron në një juridiksion të ngjashëm me atë të IKMT-së. Procedimet konkrete administrative që duhet të zhvillohen rast pas rasti nga IKMT-ja, nevojitet të kenë si një element të domosdoshëm edhe hetimin aktiv nga ana e vet këtij organi të rrethanave, provave, veçantisë së problematikës së paraqitur me qëllim që të parandalohen shkelje të ligjit. Kjo gjë duhet të vlejë për trajtimin e kujdesshëm të ndërhyrjes së mundshme, në objektet që posedohen nga 9 familjet ankuese, në zonën e Selitës.
Çështja në fjalë bëhet edhe më sensitive, pasi kemi të bëjme me trajtimin e çështjes së strehimit të familjeve të minoritetit Rom dhe respektimit të të drejtave të tyre, si një element i theksuar qartë edhe në pesë prioritetet, që vendi ynë duhet të përmbushë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në gjykimin e Avokatit të Popullit, mungesa e kushteve minimale të jetesës së anëtarëve të këtij minoriteti është një problem serioz, jo vetëm për ata vet si individë, por edhe për mënyrën e ofruar nga shteti dhe shoqëria jonë për integrimin e plotë të Romëve në shoqëri. Kjo situatë bën që, ky minoritet të ndihet i diskriminuar, i pabarbartë me pjesën tjetër të popullsisë dhe me mungesë shprese për të ardhmen. Trajtimi i çështjes në rrethanat që paraqitet konstaton një kufizim të së drejtës për sigurinë e banesës dhe të ruajtjes nga dëbimet e detyrueshme, në kundërshtim me nenin 17, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe duke shkelur mbrojtjen që garanton neni 8, i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), sipas jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut. Kjo praktikë trajtimi të çështjes u heq mundësinë familjeve Rome që të kërkojnë nga një gjykatë e paanshme që të vlerësohet rast pas rasti, nëse jemi përpara kufizimit të së drejtës për strehim nga akti i administratës publike, duke marrë parasysh të gjitha detyrimet që shtetit i lindin në bazë të kërkesave të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Sigal