Ujësjellësi i Tiranës than për ujë 900 mijë banorë dhe 98 mijë biznese

507
Tirana me sipërfaqe 1238 kilometër katrorë, me 19 zona (bashki e komuna), me 800 mijë banorë dhe me 98 mijë biznese të mëdhenj, të mesëm e të vegjël, prej më tepë 1 muaj të kësaj stine vere “përveluese” po “digjet” për “1 pikë” ujë. Natyrisht, jo për ujë të pijshëm, mbasi afro 90% e konsumatorëve e blejnë ujin që pijnë e gatuajnë, por ngaqë në rubinetat e tyre u çohet ujë i infektuar me 9 baktere deri kancerogjene, deri edhe me fekale. Ndërmarrja e (mos) Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, pasi po vazhdon të “qelb e mbysë” 40% të mjediseve të qendrës e lagjeve të kryeqytetit me ujëra të zeza e të bardha që shpërthejnë prej rrjetit të kanalizimeve, i cili në evidenca figuron si i investuar në miliarda lekë, por që në fakt rezulton “gërmadhë”, prej 6 ditësh ka nisur muajin e dytë të mos furnizimit me ujë të (pa)pijshëm banorëve, institucioneve, shkollave, kopështeve, çerdheve, azileve të pleqëve, jetimoreve, materniteteve, ambulancave, klinikave, spitaleve, bizneseve e çdo konsumatori që ka të lidhur rubinetin e ujit me (mos) Ujësjellësin e Tiranës. Fakti alarmant e i turpshëm është ky: Tirana nuk ka ujë, por edhe ajo “pikë ujë” që u jepet është “ujë vrasës”. Përse mungon uji në Tiranë? Nuk ka ujë, apo ka neglizhencë nga ata që marrin lekët e konsumatorit dhe nuk çojnë ujë? A ka Tirana basene dhe stacione shpërndarjeje uji për të përballuar furnizimin? Përse administrata e (mos) Ujësjellësit të Tiranës, nuk hetohet prej drejtësisë, për “krimin e mungesës së ujit”? Çudia është se shteti shqiptar, të cilit po i lihet kryeqyteti pa ujë, po hesht, ndërkohë që dëgjon 3 herë në ditë njoftimet dhe justifikimet e (mos) “agallarëve” të ndërmarrjes e cila prej 23 vitesh e ka “tharë” Tiranën për ujë! Sot, po nisim publikimin e fakteve që kemi investiguar e zbuluar, lidhur me situatën e rëndë të (mos) furnizimit me ujë në qytetin e Tiranës dhe në 19 zona (bashki e komuna) të rrethit të Tiranës. 
(Mos) Ujësjellësi i Tiranës tallet, sajon çdo ditë nga 1… mashtrim
Prej 35 ditësh të kësaj periudhe me temperatura të larta, ndërmarrja e (mos) Ujësjellësit të Tiranës, del përditë me deklarata mediatike dhe njofton konsumatorët e zonave të rrethit Tiranë, se nga kjo orë e në këtë orë, nga kjo zonë e në këtë zonë, nuk do të ketë ujë! Kapardisur nga zyrat me kondicionerë dhe me rrjet special e të veçantë me ujë të distiluar për vete, duke luajtur shah e bilardo nëpër kompjutera, zyrtarët e (mos)Ujësjellësit të Tiranës, që zhvat miliarda lekë për gjoja furnizim me ujë 24 orë që jep sjell vetëm 1, 2 e 3 orë ujë të qelbur në ditë në 80% të rubinetave të konsumatorëve (sidomos familjarë), 1 ditë ia hedh fajin mungesës së energjisë elektrike, 1 ditë justifikohet me remonte në depot e ujit, 1 ditë ia hedh fajin “shterimit” të burimeve ujore, 1 ditë i hedh fajin mungesës së rrjetit shpërndarës dhe numrit të vogël të depove të ujit e stacioneve shpërndarës të pompimit, 1 ditë ia hedh fajin dëmtimit në rrjetin e shpërndarjes, 1 ditë ia hedh fajin djegies së elektro-pompave të ujit, 1 ditë ia hedh fajin numrit të madh të turistëve që (gjoja) harxhojnë ujin në plazhet ku nuk ka… ujë, 3 herë në ditë ia hedh fajin…. temperaturave të larta të stinës së verës! Gazeta “Telegraf”, nisur prej afro 800 ankesave të bëra prej banorëve, institucioneve, enteve publike dhe bizneseve, ka investiguar “masakrën” e mungesës së ujit të (pa pjishëm) që prej 35 ditësh po e shkakton (mos) Ujësjellësi i Tiranës dhe ka konstatuar faktin, që nuk mungojnë burimet ujore, as depot e ujit, as stacionet e pompimit, as rrjeti i shpërndarjes, madje në këto 23 vite nuk kanë munguar as investimet, vlera e të cilave sipas ekspertëve të ekonomisë ka qenë e barabartë me ndërtimin e 200 shkollave, 150 spitaleve, 500 çerdheve e kopështeve, 2000 apartamenteve dhe 40 qendrave të trajtimit të fëmijëve jetimë e të moshuarve të braktisur. 
Nuk e ka fajin as rrjeti, as energjia, as mungesa e ujit, por 650 “kollarexhinjtë” e UKT
Nëse ngjitesh në pikën më të lartë të Tiranës në Dajt, shikon se çatitë dhe tarracat e banesave, pallateve e madje edhe të kryeministrisë, janë të mbushur me depozita uji. Pse? Sepse nuk furnizohen rregullisht 24 orë me ujë. Sikleti me ujin ka shkuar deri në atë pikë, sa qytetarët bëjnë “roje” dite e nate, për të mbushur enë e depozita me ujë, në atë orë që “kuçedra” ujësjellës në Tiranë, lëshon ujin Ata që janë të sëmurë, ose të moshuar, ata që nuk kanë depozita, ose që janë në punë, shkrehen duke mbushur ujë rrugëve me krahë e karroca. Ujësjellësi qendror i Tiranës dhe 4 ndërmarrjet UKT në zonat e Tiranës që varen prej tij, deklarojnë se për shkak të stinës së verës dhe mungesës së energjisë, nuk ka furnizimim të bollshëm me ujë për popullatën. Por fakti është krejt ndryshe, madje alarmant. P.sh, në Tiranë, në 80% të familjeve, ujësjellësi u çon banorëve ujë me “triska” e me grafik, vetëm nga 2-3 herë në ditë, nga 1-2 orë. Në 90% të fshatrave nuk flitet fare për ujë në rubineta edhe pse paguajnë lekët me “kërcënime për burg”! 
….
Për më tepër lexoni Gazetën Telegraf….
Sigal