Udhëheqësi me vizion, demokraci dhe ligj në veprim dhe detoksifikim digjital, kjo i nevojitet të gjithëve në arsim tani

Dr. Majlinda KETA

Çfarë duhet të ndryshojmë brenda sistemit në pritje të vendimit për rihapjen e shkollave dhe universiteteve?

Sigal

Pyetje që përgjigjën më së shumti duhet ta vizionojnë aktorët dhe faktorët në arsim. Unë po përpiqem të vizionoj një të tillë.

Hapi i parë,  pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ duhet të ketë gati draft amendamentet për të dy ligjet bazë të sistemit( Ligji i Arsimit Parauniversitar  dhe Ligjin për Arsimin e Lartë)  ku duhet përfshirë “shkolla digjitale” dhe “üniversiteti  digjital” e më pas të pasqyrohet në Strategjinë Kombëtare të Arsimit. Përfshirja në ligj do të detyronte gjithë komponentët  institucionalë të edukimit të vetëreflektonin për këtë zhvillim të domosdoshëm brenda tyre, të reflektonin në riorientimin e  investimeve në nivel lokal dhe qendror.

Shqipëria me përvojat e komunikimit në E-Albania gjatë karantinës duket se e preku qytetarin digjital, qytetarinë digjitale por kjo e fundit e paedukuar nga sistemi arsimor mund tí kthehet në të kundërtën demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Hapi i dytë. COVID 19-ta, edhe në vendet me sisteme arsimore të zhvilluara e të qendrueshmë, të dimensionuara kundër analfabetizmit digjital ka frymëzuar ide dhe i ka përfshirë në debate. Por ato, ndryshe nga ne, po vijojnë të perfeksionojnë “Shkolla digjitale pozitive” apo “Universiteti digjital pozitiv” pasi janë duke fuqizuar standardin ETIK përkundrejt problematikave që shfaq edhe shkolla apo universiteti digjital. Të vonuar por jo pa mundësi për të ecur më shpejt pasi ka përvoja ku mund të mbështetemi, na duhet që ndryshimi të vijë pasi kalon në filtra etikë  dhe në përvoja ku të synohet reflektimi mbi të gjithë komponentët, kualifikim stafesh; mbështetje për pajisjen e  mësuesve dhe pedagogëve, nxënësve me tablet e kompjutera; riorientime në  investimet në infrastrukturën institucionale qasur digjitalizimit; digjitalizimi i kurrikulës kombëtare minimalisht për arsimin parauniversitar pasi universitetet kanë autonominë e tyre financiare dhe mund të jenë bashkëinvestues me fondet publike.Në gjithë këtë proçes duhet tá pranojmë teknologjinë jo si pjesë e dhënies së dijes por si një instrument i fuqishëm i cilësisë së nxënies së një dije të qendrueshme përmes mendimit kritik dhe një krijueshmërie. Kurrikula zyrtare në vetvete duhej të kishte pësuar kompresimin e saj nga ekspertiza.

Hapi i tretë që duhet ta kishim realizuar pas përvojës së shkëputjes së mësimit nga tërmeti i parë, duhet të ishte ndërtimi i matrice të sjelljes dhe menaxhimit së institucionit arsimor NË dhe PAS emergjencave nga fatkeqësitë natyrore. Sigurisht kjo do të arrihej nëse vetë udhëheqësia në arsim shpreh se zotëron kompetencën digjitale dhe zotëron fuqinë e një udhëheqësie pzsitive dhe me etikë, dy cilësi që do të frymëzonin stafet pedagogjike dhe akademike, shërbimet ndihmëse(psikologë, mjekë, punonjës social) por edhe administratën për të dhënë më të mirën e mundshme për një shoqëri, për fëmijët dhe studentët që në 6 muaj kanë përjetuar dy trauma të njëpasnjëshme nga fatkeqësitë natyrore.  Komunikimi qoftë edhe i digjitalizuar i çdo strukture në hierarki vertikale por edhe horizontalisht tashmë duhet të ketë të identifikuara nevojat e diferencuaraqë krijojnë detyrime specifike mes institucioneve, qoftë edhe brenda një qyteti. Këtu kam parasysh se në “luftën” me mësimin online ne jemi të ndërgjegjshëm se kemi humbur në të qenit bashkë me ne nxënës dhe studentë që varfëria, pamundësia e pasjes së aparateve celulare apo kompjuterike, pamundësia e pasjes së internetit aty ku jetojnë kanë humbur dhe vijojnë të humbin vijimin e mësimit. Këto kategori kërkojnë angazhim dhe planifikim specifik. Kujdes duhet patur me vlerësimin e mundësive që ka vetë sistemi brenda për brenda, ku asistimi nga modele të huaja në sektorin jopublik edhe në vend mund të sjellë një matricë reale, të ekzekutueshme dhe rezultative për të gjithë palët.”Një partner cilësor  është E-Biblioteka Kombëtare dhe akseset online nga biblioteka tepër prestigjoze.

Hapi i katërt, por jo i fundit për nga rëndësia, është të menduarit e asistencës psikologjike për stafet, nxënësit dhe studentët. Pas javës së gjashtë lodhja nga ekranet e vogla(celularët) në shikim, e qendrim fizik, ankthi që prodhon vetë karantina me të dhënat mbi vijueshmërinë e prezencës së virusit dhe pasojat e tij, pasiguria personale por edhe e familjeve në aspektin nga ai shëndetsor tek ai ekonomik, efektet në familjet ku ka të prekur apo që kanë humbur jetën,  efektet qe kanë krijuar për studentët humbja e punëve apo presioni I pagesave për shtëpitë me qera ku studjojnë KËRKOJNË që TANI, të gjithë të FILLOJMË të menaxhojmë angazhimin tonë profesional për “detoksin digjital” i cili kërkon mësues, psikologë, drejtues tepër kreativë dhe me aftësi të aktiviteteve ndërdisiplinore çtensionuese, qetësuese, konfiduese, festuese në raste ditëlindjesh dhe frymëzuese.  Kthimi në mjediset shkollore e lëhtëson këtë lloj asistence në mënyrë më profesionale. Ka shumë rëndësi ndërtimi i praktikave të tilla duke filluar nga udhëheqësia në arsim.

Menaxhimi i institucionit arsimor në këto kushte mbase do të kishte qenë më rezultativ nëse në një klasë digjitale Ministri i Arsimit në bashkëbisedim të hapur publik, online, nga kanali i vetë ministrisë, do të pranonte të komunikonte me fakte:

-për mungesën dhe nevojën e hartimit urgjent të kodit etik që do të na nevojitet në këtë praktikë pa limit kohor të qytetarisë digjitale(kjo pasi nuk jemi të vetëm në “klasën” e emergjencës, jemi brenda privacisë së familjeve shqiptare);

-të komunikonte me agjensitë e cilësisë në arsim, zyrat arsimore, partnerët që do të ishin aleatë për maksimizimin e rendimentit të orës së mësimit online se institucion online ende nuk është menduar prej tyre,

-për refleksionet mbi atë që nuk kishim bërë siç duhej dhe që mendohet se do të ndryshojnë zhvillimet e pritshme në arsim do të kishin një ndikim shumë të madh për motivimin më rezultativ në tejkalimin e kësaj situate karantine që tani ka prodhuar toksinat e veta.

Kështu, politikisht, kabineti, për publikun shqiptar, dhe grupe të ndryshme interesi, pranimi përmes komunikimit online shumëformësh i realiteteteve të tilla në arsim si:

-se sa përqind e hapsirës mbulohet nga internetit në gjithë vendin  dhe zgjidhja se cfarë do bëhej aty ku nuk mundet;

-të dhënat se sa prej mësuesve, pedagogëve  tanë zotërojnë laptopë e tableta;

-të dhënat se cfarë pajisjesh janë përdorur në komunikimet me nxënësit deri më tash,

-sa prej tyre nuk munden tá kenë këtë mundesi dhe se çfarë duhet të bëjmë të gjithë bashkë për të fituar atë që humbën,

-çfarë vështirësish krijohen kur familja ka më shumë se një fëmi në shkollë;

-cila mendohet se do të ishte platforma zyrtare që do të përdorej më suksesshëm në nivelin parauniversitar apo në atë universitar në situate të tilla. Po bota, sistemet e ndryshme arsimore, çfarë po përdorin.

-sa përqind e programeve mësimore janë mbështetur nga shtëpitë botuese fituese nga Alterteksti përmes  librit digjital dhe cfarë peshe zënë ndaj të tërës,

-sa përqind e programit mësimor pranon të kopresohet dhe deri në çfarë mase në kushtet e një mësimi online,

-si do ndryshojnë konceptimet e infrastrukturës shkollore apo Kampusi Universitar I Universitetit të Tiranës pas kësaj përvoje etj etj.

Këto llok komunikimesh dhe pohimesh publike do të zhvillonin dhe përsosnin transparencën, llogaridhëniesn, demokracinë funksionale në institucionet e edukimit dhe do të  udhëhiqnin në kushte karantine optimizmin dhe besimin që palët do të kishin tek arsimimi I fëmijëve të tyre dhe institucionalizmi në veprim. Mendoni që ky do të mund të ishte modeli i çdo drejtori rajonal, shkolle, rektori universiteti, decani apo përgjegjës departamenti.

Kjo mundet të behet, mjaftom që në krye të kemi vizionarët dhe profesionistët kurajozë e kreativë.

Ne, mësues, pedagogë, administratorë, nxënës e studentë, prindër e partnerë didaktikë,  DUHET më shumë se kurrë tí shërbejmë edukimit edhe në kushte karantine JO duke karantinuar institucionalizmin në arsim. Autoritarizmi i tepruar, komunikimi me nota diktatoriale urdhëronjëse , mungesa e vizionit dhe e pranimit të rriskut  VRET qartësinë e përgjegjësive që kanë shumë aktorë në këtë proçes( gadishmërinë për mbështetje të mësuesve dhe familjes në mënyrë të  veçantë) dhe mungesa e qartësisë në vetvete çfokuson veprimin e duhur në kohën e duhur me mënyrën e duhur. Të gjitha së bashku na largojnë nga mënyra pozitive e të shikuarit të një ardhme, të afërt apo të largët qoftë, kjo për rifillimin normal të proçesit mësimor në arsim por domosdoshmërisht të thellëreflektuar .

Një ministër, një administrator lokal apo i njësisë arsimore, një drejtues akademik apo në administrim të universiteteteve online duhet tashmë ta kishte pranuar të vërtetën nëse ekziston apo jo shkolla apo universiteti online. Ne kemi, ne po realizojmë VETËM mësimin online. Duhet t’a pranonin  ATO të parët që stafet e tyre po kontribojnë në emergjencë pasi nuk e kishim menduar, vizionuar,  ndërtuar këtë lloj institucioni në fuksion të edukimit.  Na mungoi në vite prej tyre vizioni për këtë lloj edukimi. Kjo, pasi jemi ende  të paqartë për fuqinë e kompetencës digjitale, për ne është vetëm si instrument dhënës dijesh, po jo i cilësisë në cilësinë e nxënies dhe aftësimit për jetën !!!!!

E ardhmja i takon kësaj të dytës, teknologjia si aftësim për tá bërë më cilësore jetën, edhe në kushte karantine, pandemie apo fatkeqësie tjetër natyrore. Koha nuk fal më për ne.

Por a bëmë më të mirën me vizionin dhe mundësitë që kishim ?

Na duhet të reflektojmë të gjithë për atë që kemi nën përgjegjësi.

Së pari, karantinës humane duhet tí bashkëngjizim institucionalizmin në funksion dhe deklarimin publik të udhëheqësisë për mirënjohjen për luftëtarët e luftës me të përmes mësimit online falë vullnetit dhe rolit të misionarit që jo pak prej nesh ja nënkuptojnë ENDE vetes ndërsa shërbejnë në arsim.

Së dyti, tashmë identifikimi i nevojave, të lindura rrishtazi atje ku nuk kemi shkuar endeme mësimin online se armik kemi varfërinë në familjet shqiptare dhe analfabetzimin digjital dhe demokratik të konsiderueshëm udhëheqësisë në arsim, duhet te këtë një plan B, konkret në mbështetje nominale dhe vendore nga qeveria.

Së treti, mund të normohet juridikisht, në kushte të kësaj fatkeqësie natyrore, rishikimi i formës së provimeve për finalitetet në nivelet e ndryshme. Për mua, provimet e shkollës nëntëvjeçare mund të mbështeten në notat e realizuara deri më tash.

Shkolla e mesme, mbyll vitin me vlerësimet e kryera nga mësuesit gjatë gjithë vitit për lëndët. Matura shtetërore pranon adoptimet e mëposhtme.

Për rastet e aplikimeve të nxënësve për bursa dhe aplikime të fituara për studimeve  jashtë vendit dhe kur kusht është Matura Shtetërore2020, kjo e fundit, organizohet nën rreptësi të kushteve anticovid nga Ministria e Arsimit.

Nxënësit/ Studentë që do të aplikojnë për studime në universitetet shqiptare në muajin shtator tí nën shtrohen provimeve pranuese në fakultete sipas grafikëve të ndërtuara nga Ministria dhe programeve të bashkëhartuara mes universiteteteve dhe programit të Maturës Shtetërore.

Në konkludim të ideve dhe analizave të mija mbi këtë realitet të ri të edukimit në Shqipëri besoj se të gjithë bashkë që punojmë në arsim kemi patur në shans për të ridimensionuar besimin publik tek puna jonë pasi kemi hyrë pothuaj në çdo familje shqiptare në këtë kohë karantike, si asnjë pushtet tjetër në këtë shtet. Duhet të vijojmë të përmirësojmë instrumentet dhe mënyrat tona për maksimizuar suksesin në kushte “lufte” në mungesë të vizionimit instuticionit edhe për “ luftë”.

Kemi rastin dhe shansin të fillonim rrugëtimin e gjatë e me rrisk të mësimit të qytetarisë digjitale për të cilën do të na duhet t’ja menaxhojme rriskun duke u vetëkualifikuar në mënyrë urgjente pasi karantinën nuk e komandon dot asnjë VKM, Urdhër apo Udhëzim, në fakt as edhe një ligj . Me të duhet të bashkëjetojmë ndërsa ndërtojmë fuqishëm veprimin instituacional bazuar në të drejta, liri, përgjegjësi mes palëve duke mos cënuar institucionalizmin dhe demokracinë. Armiku më i madh i menaxhimit të kësaj karantine është sfida me normat dhe parimet demokratike pa të cilat nuk do ja vlente kthimi në normalitet në proçesin e edukimit ku aftësimi digjital do të jetë edhe më i fuqishëm.

Shkolla, universiteti duhet të jetë në ballë të luftës me injorancën digjitale. Duhet të jenë promotorët e demokracisë dhe etikës digjitale. Kjo nuk është sfidë vetëm në kushte karantine, kjo është sfida me të ardhmen e fëmijëve dhe të brezave në këtë vend.  Mësuesit, pedagogët mund tá udhëheqin këtë.

Hygoja i madh na kujton:

“Liria fillon aty ku mbaron injoranca, sepse tí japësh liri injorantit është sikur tí japësh armë të çmendurit”.