“U zunë që të premten, një nga zyshat solli 7 persona me armë te dera e shkollës”, mësuesja rrëfen ngjarjen: Ja çfarë ndodhi sot para “Çajupit”

238
Sigal

Një tjetër version del në dritë në lidhje me ngjarjen që ndodhi sot para shkollës “Cajupi” në kryeqytet, ku sherri i nisur mes dy mësueseve ka çuar në përplasje fizike mes të armëve të tyre. Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm. Një kolege e dy ‘protagonisteve’ që u bënë mollë sherri për konfliktin e dhunshëm sot, tregon se mes dy mësuesve, asaj të lëndës së Letërsisë dhe të Historisë, kishte pasur një debat ditën e premte. Në një rrëfim  kolegia e tyre pohon se bëhet fjalë për një debat banal, ku ishin përfshirë shtetasja me inicialet E.Q., mësuese Letërsie dhe shtetasja me inicialet D.T., që jepte lëndën e Historisë.

Duke iu referuar dëshmisë së mësueses, kolegia e saj e Letërsisë nuk e kishte lënë debatin me kaq, pasi ditën e sotme kishte dërguar para shkollës 7 familjarë të saj, që sipas saj thuhet se kanë qenë të armatosur dhe se vetë ishte futur në mësim. Ndërkohë, sipas saj, mësuesja e Historisë nuk ishte lejuar që të futej në mësim nga këta persona, ndërsa ata thuhet se e kanë kërcënuar dhe se kanë kërkuar që ajo të sillte familjarë për sqarim.

Sipas koleges së tyre, e cila shprehet se ka qenë në brendësi të konfliktit, një familjar i mësueses që po kërcënohej kishte kaluar aty rastësisht ndërsa ishte përballur me skenën. Pasi kishin shkëmbyer disa debate verbale, sherri ka degjeneruar deri në përdorimin e sendeve të forta, apo dhe karrigeve, ndërkohë që i plagosur ka mbetur familjari i shtetases me inicialet D.T., 32-vjeçari me inicialet E. K. Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar 5 persona, si dhe është sekuestruar një pistoletë me të cilën mendohet se është qëlluar disa herë në ajër.