U kap mbi 800 kg drogë, zbardhen detajet e operacionit “Stuhia”. Kush janë 11 personat e arrestuar në Berat. Familja nga Nikla në krye të aktivitetit kriminal

135
Sigal

Një sasi prej 870 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa u sekuestruar pas operacionit të gjerë në një fshat të Beratit, ndërsa droga përpunohej në një serë nga dhjetëra punëtorë, kryesisht gra të moshave të ndryshme.

Një ditë pas zbulimit të serës gjigante, Policia e Shtetit bëri me dije rezultatet e operacionit të koduar “Stuhia”, ku përfunduan në pranga 11 persona, të cilët dyshohen si organizator të kultivimin, përpunimit dhe tregtimit të lëndës narkotike.

Pas operacionit të gjerë në fshatin Drenovicë, Policia ka çuar në pranga 11 persona, të akuzuar si organizator të mbjelljes në shkallë të gjerë të bimëve narkotike.

Operacioni “Stuhia” ka arrestuar shtetasit, Hamdi Dyli, Endriol Xheka, Blerim Xheka, Samoel Lushaj, Jurgen Ujkaj, Mirvaldo Disha, Sidrit Bisha, Bashkim Mema, Edison Mema, Drita Mema dhe Izmire Mema. Përveç sekuestrimit të sasisë prej 870 kilogramë kanabis në formë boçeje e gatshme për tre, efektivët e policisë kanë sekuestruar edhe tre armë zjarri dhe sende të tjera që shërbenin për përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike.

“Nga veprimet operacionale të kryera nga shërbimet e Policisë, në kushtet e flagrancës, shërbimet gjetën dhe sekuestruan edhe 3 armë zjarri, konkretisht 2 pistoleta dhe 1 kallashnikov, të cilat i posedonin shtetasit e arrestuar, Blerim Xheka., Hamdi Dyli dhe Jurgen Ujkaj”, sqaroi Policia. Sasia e kultivuar dyshohet të jetë shumë më e madhe, pasi kultivuesit e kanë shitur atë ditë më parë, pasi sasia e kapur është sasia e fundit e gjetur në hapësirën e madhe.

Operacioni është organizuar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. “Bazuar në informacionet e grumbulluara, në orët e para të mëngjesit të datës 10.11.2022, nga Drejtoria kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, me mbështetjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, u finalizua operacioni policor i koduar “Stuhia”.

Nga finalizimi i këtij operacioni, në territorin e fshatit Rërëz, u lokalizuan serat për të cilat Policia e Shtetit dispononte informacion se brenda tyre kryhej procesi i përpunimit të bimëve narkotike, si dhe ambalazhimi i lëndës narkotike”, bëri me dije policia. Bëhet fjalë për sera rreth 8 dynym, të ndara në katër sipërfaqe, secila me rol të përcaktuar.

Gjatë operacionit, Policia ka sekuestruar edhe 700 arka të mbushura me bimë narkotike kanabis në proces përpunimi si dhe 8 thasë të mbushur me boçe kanabisi, me peshë totale rreth 870 kilogramë lëndë narkotike.

“Gjithashtu, nga kontrolli ne brendësi të serave, janë gjetur dhe sekuestruar mjete të ndryshme që shërbenin për përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike, 4 automjete dhe një numër i madh aparatesh celulare të shtetasve të arrestuar, si dhe të shtetaseve të cilat u gjetën në sera, duke përpunuar bimët narkotike”, tha drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë, Neritan Nallbati.

Kush është familja nga Nikla në krye të aktivitetit kriminal

Roli më i rëndësishëm në organizimin e kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë ishte i një familjeje nga fshati Nikël i Krujës, zonë nga e cila ishin punësuar edhe një pjesë e madhe e grave dhe e njohur gjithashtu për kultivimin e kanabisit ndër vite. Bëhet fjalë për një çift bashkëshortësh, vajzën dhe dhëndrin e tyre. Kjo familje dyshohet të jetë organizatorja dhe mbikëqyrësja e të gjithë aktivitetit kriminal të prodhimit dhe tregtimit të lëndës narkotike.

Gjithashtu, ata akuzohen se kanë lidhje me “kokat” e aktivitetit kriminal që dyshohet se janë dy shtetas po ashtu nga Nikla, tashmë të identifikuar, por emrat e tyre nuk bëhen ende publikë për shkak të hetimit, deri në arrestimin e tyre. Midis 11 të arrestuarve janë edhe nënë e bijë, Drita dhe Izmira Mema krahas bashkëshortëve të tyre. Ato kontraktonin gratë nga zonat e Fushë-Krujës, duke iu thënë se do të vilnin ullinj dhe më pas duke përdorur edhe kërcënime i përfshinin në procesin e përpunimit të bimëve.

Mes të arrestuarve është edhe pronari i serës, Hamdi Dyli (i njohur në fshat si Xhimi Dyli). Ai ka dëshmuar para uniformave blu se serën e kishte lënë me qira dhe nuk ishte në dijeni të aktivitetit që kryhej brenda saj, por u arrestua nga policia brenda ambienteve të serës. Ndërkohë, në pyetje janë marrë 106 të shoqëruar që u kapën nga policia brenda dhe jashtë serave të kanabisit. Për përpunimin e bimës, ishin punësuar rreth 95 gra nga zona të ndryshme të Shqipërisë, por kryesisht nga zonat periferike të Tiranës dhe FushëKrujës.

Ato mësohet të kenë deklaruar se ishin kontaktuar për të vjelë ullinj dhe se paguheshin rreth 50 mijë lekë të vjetra në ditë.

“Në ambientet e brendshme të serave janë gjetur disa shtetase, nga zonat periferike të Tiranës, të cilat kryenin përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike kanabis.

Këto shtetase janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, për veprime të mëtejshme hetimore, me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, nxjerrjen e përgjegjësive dhe evidentimin e rolit të secilës prej tyre në këtë veprimtari kriminale”, sqaroi Policia.