Turqia dhuron 27 mjete ushtarake për Forcat e Armatosura

507
Turqia i dhuroi sot Forcave të Armatosura të Shqipërisë 27 automjete transporti trupash ushtarake. Në ceremoninë e organizuar në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjenralmajor Jeronim Bazo, ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, gjeneralë, drejtorë drejtorishë dhe ushtarakë të lartë të MM-së, SHP dhe FA Shqiptare, atasheu ushtarak turk i akredituar në vendin tonë etj.
“27 mjetet janë pjesë e paketës së mjeteve të transportit, një projekt që ne e nisëm së bashku në fundin e vitit 2014. Ne do të vazhdojmë këtë projekt modernizimi edhe në vitet në vazhdim sepse përmirësimi i transportit të FA, vazhdon të jetë në listën prioritare të përpjekjes së përbashkët që prej 20 muajsh qeverisje”, theksoi ministrja Kodheli.
Të pranishmit në ceremoni i përshëndeti edhe ambasadori i Turqisë, Bayraktar, i cili theksoi se Turqia e vlerëson Shqipërinë si një vend kyç për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan dhe për këtë arsye Turqia do të vijojë ta ndihmojë për modernizimin e FA Shqiptare.
Më pas, ministrja Kodheli e shoqëruar nga gjeneralmajor Bazo dhe ambasadori Bayraktar vizituan nga afër automjetet e dhuruara nga Republika e Turqisë për FA Shqiptare. Pas 10 minibusëve, të prodhuar nga kompania e njohur e prodhimeve ushtarake të Turqisë, “Otokar ”, të cilët u dhuruan nga Turqia në fillim të vitit 2015, tashmë janë 27 automjete të markës “Land Rover” të tipit “Defenter”, 110 dhe 130, që do të përdoren për transport trupash të FA Shqiptare në operacione të ndryshme.
Sigal