Turizmi, dështojnë politikat e Ministrisë së Mjedisit

878
Sigal

DURRËS/ Ndotja e detit nis në Ishëm deri në Kavajë. Flasin kreu i Mjedisorëve, Ramazan Kalia dhe kreu i DSHP-së, Vasil Ziu

 “Ministri i Mjedisit të jap dorëheqjen, madje këtë ta bëjë vullnetarisht, sepse ai dështoi pikërisht në pikun e sezonit veror”, këtë kërkesë drejton Komuniteti i Biznesit të Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit në jug të Durrësit, të cilët prej më se një jave i janë kthyer xhiros dimërore për shkak të largimit të pushuesve. Në bisedat me pronarët e hoteleve në këtë zonë, e cila deri tani konsiderohej për pushuesit elitarë, mëson se situata është mjaft e keqe, teksa lokalet dhe restorantet janë bosh me një numër shumë të vogël prenotimesh. “Ndotja e madhe që i është bërë bregdetit nga ujërat e zeza ktheu mbrapsht të gjithë pushuesit, ndërsa ata që kishin prenotuar i anuluan prenotimet e kryera, pasi deti mori një ngjyrë të kuqë dhe mjaft ndotje ishte në të, në një gjatësi prej disa kilometrash, ndërsa në thellësi prej 300 metra nga bregu nuk mund të futeshe dot në ujë”, shprehen hotelierët. Ministri erdhi këtu dhe deklaroi se pastërtia nga ujërat e zeza do të ishte në nivele të larta, madje vuri edhe disa fuçi të mëdha, të cilat do të pastronin ujërat e zeza para se të derdheshin në det. E gjitha është një gënjeshtër e madhe, kjo është gënjeshtra e ministrit, i cili doli publikisht dhe tha se bregdetit do të jetë i pastër. Tani që katastrofa ndodhi ministri të japë dorëheqjen, ai jo vetëm që mashtroi, por edhe abuzon me fondet shtetërore, sepse dështoi me projektet e shtetërore”, shprehet pronari i një kompleksi turistik, në Shkëmbin e Kavajës.

Kalia: “Do merren masa!”

Plazhi prej Shkëmbit të Kavajës deri në Golem të Durrësit është i ndotur masivisht në të gjithë gjatësinë e tij, rreth 300 metra në thellësi të detit. Një shtresë e verdhë llumi qëndron mbi ujë, ndërsa pushuesit i qëndrojnë larg bregut të detit, në të cilin kutërbon një erë e rëndë. Mbi këtë situatë të rëndë “Telegraf”, ka kontaktuar me drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Mjedisit, Ramazan Kalia, i cili deklaron se ndotja ka qenë nga të dy krahët edhe nga punimet në unazën e plazhit, por edhe nga hidrovori i Kavajës, i cili i ka nxjerrë në det shkarkimet. “Ne kemi konstatuar se zonat e derdhjeve të ujërave të zeza siç është Përroi tek Kavalishenca dhe Përroi i Agait ka mbingarkesë të situatës si pasojë e punimeve që kryhen në unazë”, tha Kalia.

 Ziu: “Presim analizat”

Ndërkaq “Telegraf”, komunikoi me drejtorin e Drejtorisë së Shëndetit Publik, Vasil Ziu, i cili deklaroi se inspektorët e Higjienës kanë vënë re ndotje të madhe të bregdetit nga Ishmi deri në Kavajë, në breg të detit. “Kemi dërguar me urgjencë inspektorët tanë dhe presim analizat përfundimtare. Nga ajo që është vënë re duket një ndotje nga dhera apo edhe inerte. Deri në përfundim të analizave të ujit të detit nuk mund të shprehemi se në çfarë nivelesh mikrobike është ndotja e detit”, pohoi Ziu.

Resurset turistike

E ndërsa uji i detit ka marrë një ngjyrë tjetër, pushuesit kanë braktisur plazhin. Pronarët e hoteleve deklarojnë se situata këtë sezon veror është e vështirë, pavarësisht masave të marra prej tyre, numri i pushuesve është i pakët. Duhet ndërhyrje efikase në kohë, sepse në pikun e sezonit veror po shkatërrohet turizmi. Besnik Shahini, një pronar hoteli shprehet: “Kjo është e palogjikshme, në pikun e sezonit veror të përballemi me një situatë alarmante, të na ikin edhe ata pak pushues që mbërritën. Shteti duhet të arrë masa, sepse është e pafalshme e patolerueshme, që të paguajmë taksa dhe të ndodhin të tilla incidente të rënda”.

 

 

Lokalet zaptojnë trotuaret, bashkia si largon, por u mbledh taksa

Berat- Edhe pse trotuaret janë ndërtuar enkas për qytetarët ata janë bërë ‘mollë e ndaluar’ për ta, pasi prej vitesh janë zaptuar nga pronarët e lokalëve. Personat përgjegjës në Bashkinë e Beratit nuk marrin asnjë masë për këtë fenomen me pretekstin se marrin tatim edhe për tavolinat që ndodhen në trotuar. Zaptimi i tyre ka bërë që disa herë të rrezikohet jeta e kalimtarëve, të cilët janë të detyruar që të kalojnë në rrugën e caktuar për makinat. Banorët shprehen se është absurde që të zaptohen trotuaret kur ato janë të ndërtuara për kalimtarët dhe jo për tavolinat e pronarëve të lokalëve. Mesa duket,- thonë banorët, drejtuesit e bashkisë, preferojnë të rrezikojnë jetën tonë vetëm e vetëm për të mos u prishur me pronarët e lokalëve, të cilët qysh në orët e para të mëngjesit vendosin tavolinat dhe i heqin në orët e vona të natës. Burime nga bashkia bëjnë të ditur se të gjitha ata pronarë që kanë vendosur tavolinat duke zaptuar trotuaret, paguajnë taksa për numrin e tavolinave. Banorët shprehen se bashkia është e mendimit që më mirë të fitojë “5 lekë të qelbura”, pa çaka se rrezikohet jeta e qytetarëve të saj. Më të rrezikuar janë banorët e lagjeve “28 Nëntori” dhe “Çlirimi”, ku të gjitha trotuaret janë të zaptuara dhe është e pa mundur që të kalosh.

 

Kuçovë, qëllohen me leva 3 punonjës administrate

Tre punonjës të administratës së Komunës Perondi në rrethin e Kuçovës janë rrahur gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në një nga bizneset në juridiksionin e kësaj komune që ndodhej në periferi të qytetit të naftëtarëve. N/kryetari i Komunës Perondi, Edmond Matarangasi, drejtori i Tatimeve të komunës, Melvan Domi dhe shefi i Financës së Komunës Perondi, Fatjon Plaku, kanë qenë duke ushtruar kontroll në një nga bizneset e ndërtimit në lagjen “Postobllok”, por aty janë ndeshur me rezistencën e pronarëve, të cilët fillimisht nuk kanë dashur të tregojnë dokumentacionin dhe licencën për biznesin e tyre dhe më pas, kanë goditur e rrahur me grushte e leva hekuri 3 punonjësit e komunës që kishin shkuar për kontroll. Lajmi bëhet i ditur nga policia e Kuçovës ndërsa, tre punonjësit janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Policia ka mundur të arrestojë autorët e kësaj ngjarjeje, 2 kushërinjtë Leonard dhe Agron Caushaj, të cilët kundërshtuan dhe goditën për shkak të detyrës punonjësit e administratës së Komunës Perondi. Kryetari i Komunës Perondi, Rexhep Hadëri, në një prononcim për gazetën “Telegraf”, u shpreh: “Grupi i kontrollit ka hasur vështirësi në këtë firmë, ku pronarët e saj kanë rrahur barbarisht përfaqësuesit e komunës. Është drejtësia ajo që do ta vërë në vend autoritetin e punonjësve të administratës që në mes të ditës rrihen duke kryer detyrën e ngarkuar nga Këshilli i Komunës, për të vërtetuar se këto firma që dyshoheshin që nuk kishin dokumentacionet në rregull sipas ligjit, ky ka qenë dhe shkaku i rrahjes së grupit të kontrollit”, tha Hadëri.

 

Rritet numri i pushuesve në plazhin e Zvërnecit

Vlorë- Për të shkuar në plazhin e Zvërnecit, duhet të përshkosh rrugën përmes Pyllit të Sodës, që në të djathtë dhe në të majtë të saj, do të ndeshesh me grumbuj plehrash. Sidoqoftë, pasi ndjen freskinë e masivit të pishave, përpara të shpaloset plazhi i bukur i Zvërnecit. Pushues të shumtë, rëra dhe deti i pastër i ka dhënë përparësi këtij plazhi për ta frekuentuar këtë sezon turistik qindra pushues, vendas dhe të huaj. I gjendur në mjediset e këtij plazhi, kryetari i komunës, Fredo Berberi është shprehur për gazetën “Telegraf” se, është dashur shumë punë nga komuna, për ta risjellë plazhin e Zvërnecit në hartën turistike.