Tre shtete bëhen “bashkë” për kapjen e gomones me drogë, 5 orë ndjekje në det

646
Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe ato të Malit të Zi kanë finalizuar një operacion anti-drogë duke arrestuar dy trafikantë që tentonin të transportonin drogë me skaf.
Policia thotë zyrtarisht se trafikantët janë duke eksperimentuar por pa sukses rrugë alternative për shkak të vështirësisë së hasur në ujërat shqiptare ku operojnë forcat e policisë së kufirit dhe të Guardia di Finanza të Nuklit të Kufirit Detar të Durrësit dhe Vlorës.
Informacionet kalojnë në kohë reale nga Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi duke krijuar një rrjetë të pakalueshme për trafikantët.
Ndjekja e gjatë prej pothuaj 5 orësh, bëri të mundur bllokimin e gomones së fuqisë së lartë me tre motorë.
Dy trafikantët u ndaluan në det të hapur nga Guardia di Finanza e Termolit dhe Barit të drejtuar nga avioni i Frontex.
Forcat e policisë së kufirit të Shqipërisë me koordinimin e QNOD, NUFROM i Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë dhe policia e kufirit të Malit të Zi kishin dalë në afërsi të kufirit Shqipëri -Mali i Zi ku edhe ishte drejtuar gomonia pasi i ishte afruar njëherë bregdetit të Termolit në Molizë nga ku edhe ka filluar ndjekja.
Gjatë ndjekjes trafikantët kanë hedhur në det ngarkesën duke e bërë më të vështirë ndjekjen.
Tashmë trafikantët dhe gomonia janë sekuestruar dhe i janë dorëzuar autoriteteve gjyqësore italiane.
Vijon rikuperimi i lëndës narkotike, ku ende nuk dihet pesha, pasi për shkak të errësirës është vështirë rikuperimi në det i lëndës narkotike. Për shkak të sekretit hetimor rezervohen të jepen detaje.
Sigal