Tre kërkesat që do ngrenë në protesta minatorët dhe naftëtarët

564
Kol Nikollaj
Kryetar i Konfederatës së Sindikatave

Tre kërkesat që do të ngrenë në protesta qindra mijëra minatorë, naftëtarë dhe sindikalistë të nëpërkëmbur
Qeveria injoron statusin e minatorëve, metalurgut dhe bën presion mbi komisionin e posaçëm për certifikimet e statusit për naftëtarët. Do të nisim protestat masive për të kërkuar siguri, heqjen e burokracive së ‘tepsisë’ dhe një sistem drejtësie efiçent
Kjo qeveri nuk e ka prioritet të saj miratimin e statusit të minatorit, teksa kryeministri, Edi Rama, e vërtetoi këtë gjatë mbledhjes së qeverisë në Dibër ku nuk tha asnjë fjalë për statusin e profesioneve të vështira, ndaj të bëhet gati për t’u përballur me protesta masive. Qëndrimi është mbajtur nga Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, i cili e konsideron absurd faktin që kryeministri, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në qarkun e Dibrës nuk foli asnjë fjalë për statusin e minatorëve. Kol Nikollaj shtoi, se pas Rrugës së Arbrit, miratimi i statusit të minatorit është shqetësimi më i madh i banorëve të qarkut të Dibrës, veçanërisht atyre të Bulqizës dhe Martaneshit. Fakti që Rama e anashkaloi këtë pjesë pikërisht në Dibër e Bulqizë ku është graviteti i minierave sipas kryesindikalistit Nikollaj tregon se kërkesat e minatorëve dhe ankesat e tyre nuk po merren për bazë nga kjo qeveri. Kol Nikollaj ndër të tjera pohoi se Konfederata e Sindikatave ka nisur përgatitjet në terren për organizimin e një proteste përballë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e cila nuk zbaton urdhrin e përbashkët të 3 ministrive për ngritjen e grupit të përbashkët për trajtimin e çështjeve lidhur me projektligjin për statusin e minatorit. 
“ Jemi të habitur që Rama gjatë vizitës së tij në Dibër nuk tha asnjë fjalë për statusin e Minatorit, kur dihet që të gjithë në Dibër prisnin një reagim të kreut të qeverisë për këtë problem, që është shqetësimi kryesor i banorëve të qarkut të Dibrës, pas Rrugës së Arbrit. Jemi shumë të shqetësuar për këtë situatë dhe këtë indiferentizëm për këtë çështje kaq të ndjeshme. Kryeministrit i bëj thirrje të shikojë me prioritet këtë çështje e mos t’i shmanget përgjegjësive, teksa e njoftoj që kemi nisur përgatitjet për protestat përballë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë”
Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, përfitoi nga rasti t’i bënte apel Lëvizjes Socialiste për Integrim të mos e përdorë statusin e minatorit për përfitime meskine politike.
“ Është e habitshme se si LSI po e përdor politikisht statusin e minatorit. Dua të kujtoj se kjo forcë politike ishte tetë vite në pushtet dhe nuk u kujtua për këtë çështje. Dua t’ua kujtoj se kur Konfederata e Sindikatave organizonte protestë për statusin e minatorit përpara Ministrisë se Energjetikës, ministri që vinte nga radhët e LSI-së, kalonte nga tunelet nëntokësore të Enverit për të shkuar në parlament, për t’iu shmangur përballjes me protestuesit. Nikollaj shtoi se qeveria po lë pas dore dhe kërkesat e Sindikatës për pagat minimale dhe kontratat kolektive. Ndër të tjera Kreu i Konfederatës së Sindikatave dënoi gjuhën e ashpër të kryeministrit, Edi Rama, karshi medias, e cila sipas tij po kryen vetëm misionin e saj fisnik. Nikollaj i kujtoi, Edi Ramës, se nuk duhet të jetë vetëm konstatues i problemeve të medias, sindikatës dhe shoqërisë në përgjithësi, por duhet jetë personi që shqiptarët kanë votuar për t’i menaxhuar dhe zgjidhur këto probleme.
Kryeministër, lëri puset e ujit, sistemo xhunglën e kromit!
Zoti Rama, përpjekja jote për të shmangur vëmendjen nga aktualiteti politik, po të bën të dukesh në sytë e opinionit publik si paraardhësi yt, Sali Berisha, i cili ishte një mjeshtër për të çuar vëmendjen e publikut diku tjetër kur telashet i binin mbi kurriz qeverisë.
Ti flet për taksimin e puseve te ujit, ndërsa ky problem në të vërtetë është bishti i kavallit në morinë e halleve që kanë pushtuar këtë vend, të cilin prej 2013-s ti e udhëheq me tepsi e kazan.
Përpara se t’u përmendësh shqiptarëve pusin e ujit, gjë të cilën s’e ka bërë asnjë pushtues barabar, jepu përgjigje atyre, se si po shfrytëzohen pa kriter pasuritë e tyre nëntokësore.
Në Bulqizë po bëhet batërdia zoti kryeministër, ku lloj-lloj krimineli e matrapazi është bërë biznesmen, teksa njerëzit e thjeshtë, ndonëse flenë nën pasuri përrallore, nuk kanë një kulm mbi kokë për t’i mbijetuar me dinjitet dimrit të ashpër. Sa herë shkoj në Bulqizë, janë të pashlyera për mua fytyrat e fëmijëve të vegjël, që në vend që të ishin në banka të shkollës, kërkojnë krom në faqen e malit për të nxjerrë një copë bukë.
Nuk ka Migjen ta përshkruajë atë pamje që të rrëqeth shpirtin, ndaj miqësisht të sugjeroj, që atje një ditë të dërgosh edhe mësuesin e anglishtes që e ke vënë Ministër Ekonomie, që të jep ide të ndritura që nuk aplikohen as në fshatrat e stepave të Mongolisë. Ekonomia e një vendi nuk përmirësohet vetëm duke shtuar larmirshmërinë e taksave, por duke detyruar biznesin e madh të mos i shmangë taksat dhe mos ta trajtojë punonjësin si skllav. Asnjë agjenci ligj-zbatuese nuk funksionon. Inspektorat Pune. Inspektorat Inspektimi Minierave…apo çdo strukturë shteti atje mungon…!
Nafta dhe statusi i naftëtarëve
Pyetjes së gazetës “Telegraf“ për situatën e rëndë në naftë, grabitjen dhe zhvatjen që po i bëhet kësaj pasurie, ndërkohë që naftëtarët nuk kanë status dhe në pamundësi për t’u ushqyer dhe blerë ilaçet për sëmundjen profesionale, kreu i Konfederatës Kol Nikolla iu përgjigj: Statusi i naftëtarit është bllokuar qëllimisht nga Ministria e Financës për efekte buxhetore. Ai ushtron presion mbi komisionin e posaçëm pranë Ministrisë së Industrisë Energjisë e Infrastrukturës që të mos japë certifikimet e statusit për naftëtarët. Kjo, sepse në ligjin e miratuar nga Parlamenti dhe botuar në fletoren zyrtare, janë përfshirë me të drejtë të gjithë punonjësit e industrisë së naftës. Ndërsa z. Ahmetaj pretendon se këtë status duhet ta fitojnë vetëm punonjësit që specifikisht kanë qenë direkt naftëtarë dhe jo të tjerët që punonin në sistemin e naftës. Ne kemi pritur që të konsumohen afatet normale dhe tani do fillojmë aktivitetin tonë direkt në mbështetje të naftëtarëve, në dy drejtime: Atë ligjor, duke iu drejtuar gjykatës administrative për të detyruar qeverinë të zbatojë ligjin e miratuar dhe e dyta, me mjete sindikaliste. do të koordinojmë protestat e naftëtarëve, minatorëve, metalurgëve dhe tipografëve si profesionet e vështira që kanë nevojë për Status të veçantë trajtimi, në përputhje me kontributin e tyre dhënë ekonomisë kombëtare e shoqërisë. Konfederata e Sindikatave në vendin tonë kërcënon me protesta qeverinë në rast se nuk merren parasysh disa kërkesa të saj. Kërkesat përfshijnë kontratat kolektive, rritjen e pagës minimale me 30 % brenda 2017-s dhe miratimin e statusit të profesioneve të vështira. Presidenti i kësaj sindikate, Kol Nikollaj, në një dalje për mediat u shpreh, se ka ardhur koha që dinjiteti i punëtorëve shqiptarë të mos nëpërkëmbet.
Duke folur para Asamblesë Kombëtare të KSSH, kreu i saj Kol Nikolla u shpreh se: Fatkeqësisht jetojmë në një kohë ku punësimi është shqetësimi kryesor i shumë familjeve shqiptare e veçmas të rinjve, por kjo nuk duhet të na stepë të japim kontributin tonë për përmirësimin e situatës, siç jemi përpjekur ta japim gjithë këto vite. Në kuadër të Ditës Botërore të Punës së Denjë që kremtohet në 7 tetor 2017, sot dua të njoftoj çeljen e fushatës 1 vjeçare të Konfederatës së Sindikatës që do ndalet në tre pika kryesore:
1. Pagë Dinjitoze dhe kontrata kolektive Reale;
2. Pagë minimale 28 000 lekë të reja, brenda 2017;
3. Miratimi i statusit të Minatorit dhe Metalurgut.
Nga ky takim i Asamblesë së Konfederatës së Sindikatave i bëj apel qeverisë Rama të shikojë me prioritet çështjen e Kontratave Kolektive, pasi jemi i vetmi vend në rajon pa ligj për kontratat kolektive dhe veprimtarinë sindikale, Pagës Minimale dhe Miratimit të Statusit të Profesioneve të Vështira, pasi në të kundërt do të përballet me protesta masive që do organizohen nga Konfederata e Sindikatave. Kemi njoftuar të gjitha strukturat tona në mbarë Shqipërinë kemi marrë dakordësinë e tyre që, nëse kërkesat tona bien në vesh të shurdhër, atëherë qeveria do përballet me protesta masive nga jugu ne veri. Protestat nuk do jenë si ajo e çadrës së bulevardit që u vërtitën rreth interesave meskine politike, por do jenë protestat e punëtorëve shqiptarë që kërkojnë që dinjiteti i tyre të mos nëpërkëmbet. Jemi vendi me standardin më të ulët të jetesës në rajon, ndërkohë që pasuritë e kësaj tokë janë shfrytëzuar pa kriter nga një klasë oligarkësh të lidhur me pushtetin. I ofrojmë qeverisë “Rama 2” bashkëpunimin dhe ekspertizën tonë për shqyrtimin e këtyre tri kërkesave që gjatë këtij viti do jenë kryefjalë e punës tonë. Premtimi i tij për bizneset e huaja, se nuk ka Sindikata në Shqipëri, të jeni të sigurt se nuk do iu duket atyre një motiv për të investuar në vendin tonë.
Ata kërkojnë siguri, kërkojnë heqjen e burokracive të tepsisë, një sistem drejtësie efiçent. Kur qeveria të plotësojë këto që janë detyrat e saj kryesore, të gjejë kohën të merret me sindikatat.
Këtë mandat 4 vjeçar nuk ka asnjë lloj alibie që ai të mos i mbajë premtimet e tij, ndaj dhe ne si Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i premtojmë Ramës, se do të na ketë përballë për çdo premtim të pambajtur në favor të punëtorëve shqiptarë. Rritja e pagës minimale është një domosdoshmëri, në një kohë që çmimet e shportës, karburanti, energjia elektrike janë në nivelet e vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa pagat në nivelin e vendeve të Afrikës veriore dhe Lindjes së mesme. Miratimi i Statusit të Profesioneve të Vështira është një premtim i pambajtur ndër vite i qeverive të këtij vendi. Në nuk do lejojmë më, që pushtetarët dhe zyrtarët të tallen me djersën e minatorëve dhe metalurgëve, që janë kategoria me e diskriminuar ne vendin tonë. Poshtë themeleve të shtëpive të tyre ne Bulqizë, Mirditë, Tropojë, Kukës, Has Tepelenë Pogradec Selenicë etj, ka pasuri që blihet me ar, por për ironi të fatit shumë prej këtyre punëtoreve në shtëpitë e tyre nuk kanë as një çati sipër kokës. Kontrata kolektive do t’i riktheje dinjitetin e nëpërkëmbur punëtorit shqiptar, pasi prej kohësh ai shfrytëzohet në mënyrë arbitrare nga Partitë e nga biznesmenët që kanë vënë pasuri marramendëse, pa u thënë kush, puna e mbarë. Kërkoj mbështetjen e medias për të finalizuar projektet tona. Unë e kuptoj situatën tuaj të vështirë, por sot edhe falë mediave sociale dhe guximit që na karakterizon si popull duhet të bashkëpunojmë më shumë për t’i thënë “Ndal!” padrejtësive ndaj punëtorëve shqiptarë. Duke ditur angazhimin e njerëzve te medias, i falënderoj gazetarët dhe kameramanët për pjesëmarrjen në këtë takim.
Sigal