Tragjedia e “9 Janarit”, kërkohet hetim nga SPAK

77
Sigal

Në vitin 2004 në Vlorë humbën jetën 28 shqiptarë, duke shënuar një tjetër tragjedi detare. Familjarët e tragjedisë: Duam zbardhjen e çështjes nga SPAK, fajtori kryesor është ish-ministri Brendshëm Igli Toska dhe pas tij Pandeli Majko

 

Në 9 janarin e vitit 2004 në Vlorë humbën jetën 28 shqiptarë, duke shënuar një tjetër tragjedi detare

Tragjedia e 9 janarit, politika shqiptare ende hesht

Në 9 janarin e vitit 2004 në Vlorë humbën jetën 28 shqiptarë, duke shënuar një tjetër tragjedi detare, ku shumë persona në mungesë të një vize për të udhëtuar jashtë vendit luanin fort me jetën. Kështu ndodhi edhe 9 janarin e 18 vjetëve më parë, kur 28 shqiptarë, kryesisht nga zonat e Veriut u nisën drejt Italisë, por pa mbërritur kurrë në destinacion. Kushtet atmosferike, era e fortë dhe deti i trazuar në janarin e atij viti ishin shkaqet që gomonia e nisur nga Vlora nuk mundi të depërtonte. Ngjarja zuri fill në Gadishullin e Karaburunit, kur shqiptarët e nisur në emigrim kërkuan ndihmë, duke thënë se po mbyteshin. Tragjedia e 9 Janarit ndodhi në afërsi të Vlorës në vitin 2004, kur gomonia me 36 klandestinë u nis në det të trazuar mbi 6 ballë në drejtim të Italisë nga gjiri i Palasës. Si pasojë e përmbytjes së gomones 28 persona humbën jetën të moshës nga 15 në 33 vjeç.

Tragjedia

18 vjet më parë, në një natë furtune me erën që frynte si e marrë dhe temperaturën nën zero, ëndrra e ndaluar e Italisë mori jetë njerëzish. Njëzetenjë të vdekur dhe shtatë të humbur, bilanci i asaj që do të mbahet mend si tragjedia e 9 janarit 2004. Ëndrra e ndaluar e Italisë ia doli të vrasë përsëri në një natë furtune me erën që frynte si e marrë dhe temperaturën nën zero. Pas 16 muajsh “paqeje” që po ashtu i ngjanin ëndrrës, trafikantët i ndezën sërish motorët e gomoneve. Në udhëtimin e saj të parë, që nisi mbrëmjen e 9 janarit nga bregdeti i Vlorës, një gomone 12 metra e gjatë me 31 persona në bord mbeti në kurth, aty mes dallgëve. Njëzet nga udhëtarët e saj, – 17 burra dhe 3 gra – u gjetën mëngjesin e 10 janarit nga një helikopter i Nato-s së ushtrisë italiane: të ngërthyer njëri pranë tjetrit, në një pellg uji të kripur dhe benzine, vdekur nga të ftohtit. Njëmbëdhjetë të tjerët shpëtuan. Ishin në grahmat e fundit, por ishin gjallë. Mes tyre edhe dy skafistët, që u arrestuan menjëherë së bashku me disa funksionarë të lartë shtetërorë shqiptarë, e që akuzohen tashmë si shkaktarët e tragjedisë.

Alarmi i parë u dha në mbrëmjen e 9 janarit, kur një telefonatë nga Shkodra i sinjalizon policisë një avari në gjirin e Vlorës. Deti me dallgët pothuaj 5 metra të larta, i pengoi mjetet e shpëtimit të mbërrinin në vendngjarje. Të paktën kështu u tha. U tha edhe që forcat e rendit vetëm pak orë më parë ishin sinjalizuar për një tjetër gomone, të ngarkuar me drogë, që ishte nisur po ashtu nga bregdeti i Jonit. U mendua se bëhej fjalë për të njëjtën gomone.

Por sinjalizimet vazhduan, deri në një thirrje dramatike që u lëshua nga një celular, pikërisht nga bordi i gomones. Drejtpërsëdrejti në kanalin televiziv Top channel, një nga skafistët kërkonte ndihmë. Nën një emocion të drejtpërdrejtë mijëra shqiptarë ndalën frymën. U thirrën për ndihmë italianët dhe grekët. Nga Durrësi u nis një motobarkë e kalibrit të rëndë, ndërsa nga baza e Nato-s në Brindizi u ngrit një helikopter. Në detin që nuk desh të qetësohej dhe erën me një fuqi deri në 50 nyje, kërkimet përfunduan vetëm mëngjesin e së nesërmes.

Rreth orës 8.45 pilotët kanë dalluar më në fund gomonen me të mbijetuarit. Më pas, përmes mjergullës që mbulonte atë pjesë të detit, zbuluan se nën këmbët e atyre që shkundnin duar e këmbë e ulërinin për të kërkuar ndihmë, qëndronte një kapicë kufomash. Për ta ndihma kish mbërritur me vonesë. Përmasa e tragjedisë u rrok vetëm në orët e para të pasdites, kur gomonia me ngarkesën makabre u rimorkiua deri në bazën ushtarake të Sazanit. Njëzet shqiptarët, përpara se të vdisnin të cfilitur nga uji dhe thëllimi, ishin mbërthyer me dëshpërim në litarët që përshkonin gomonen për të shmangur rënien në det. Mes trupave pluskonin çanta, valixhe, qese plastike të mbushura me sende personale: fërtele kujtimesh. Gomonia, pothuaj fringo e re ishte blerë në Greqi vetëm pak ditë të shkuara. Dy motorët e fuqishëm me siguri janë shkrirë gjatë përpjekjeve për të lundruar me një ngarkesë aq të rëndë në mes të një stuhie detare.

Familjarët e tragjedisë së “9 Janarit” kërkojnë hetim nga SPAK

 Ne duam zbardhjen e çështjes, fajtorët janë, dy ish-ministrat Igli Toska dhe Pandeli Majko

 Familjarë të viktimave të tragjedisë së 9 janarit 2004 u paraqitën sot në SPAK me të dytën kërkesë për hetimin e kësaj çështje. Për mediat ata thanë se letrën e parë ja kanë drejtuar 4-5 muaj më parë, por përgjigjja ju ka ardhur nga prokuroria e Vlorës.“Kallëzimi është bërë para 4-5 muajsh. Këta e kanë çuar në Vlorë. Ne u kemi thënë që nuk e duam në Vlorë. Ne u kemi bërë kërkesë këtyre dhe përgjigjen na e ka kthyer Vlora. Fola me këta këtu dhe thanë do ta shohim. Ne kërkojmë ta hetojë SPAK, Vlora dy herë e ka mbyllur. Janë të korruptuar, nuk hetojnë. Ne e duam nga SPAK”, shprehet një prej tyre. Kërkesa për SPAK është e qartë: Hedhja dritë mbi 9 janarin dhe vënia e përgjegjegjësve para drejtësisë.“Ne kërkojmë nga SPAK zbardhjen e çështjes, vënien para përgjegjësisë të kriminelëve që na kanë vrarë fëmijët. Kanë vrarë 30 veta, i kanë lënë 17 orë 3 km afër bregut, nuk kanë shkuar me i marrë që të fundosen. Ne kemi 8 veta të zhdukur, ata kërkojnë varret e tyre. Noci këtu, një djalë të vetëm, nuk ja ka gjetur varrin akoma”, shton. Ata kujtonë edhe njëherë dinamikën e asaj ngjarje. Hetimi nisi mirë, tregon më tej ai, por më pas ngeci: “Është bërë një punë e mirë fillimisht por ka ndërhyrë dikush. Në letra është e zbardhur por nuk ja japin çështjen gjykatës për me e gjykue. Ne duam zbardhjen e çështjes, ata fajtorë janë, dy ministrat Igli Toska dhe Pandeli Majko që nuk kanë ndërhyrë dhe Kudret Çela. Janë 30 faqe në SPAK, me fakte se shteti na vrau fëmijët. Këta nuk e zbardhin mos me dënu njerëzit që janë të veshur me pushtet. Nuk duam ta hetojë prokuroria e Vlorës se nuk ka tagrin me fut në burg ministra, deputetë e drejtorë policie. E vetmja tragjedi ku shteti është njoftuar, u është thënë hajde se po vdesim, e ka marrë vesh gjithë Shqipëria dhe nuk është krijuar operacioni për me i shpëtu.  ”. Vendi, thotë një prej familjarëve, ka njohur shumë tragjedi, por ky rast është i paprecedent sesi shteti njoftohet dhe nuk ndërmerr asnjë hap për të shpëtuar qytetarët e vet.