Prof. Dr. Alqi Naqellari: Kush i vendos çmimet, qeveria, prodhimi apo tregu.

433
Sigal

 Si u bë pushteti dhe ERE faktor për rritjen e çmimeve duke lënë qytetarët të mbërthyer pas shprehjes: “Do hamë ndonjë çap bukë”

Kush i vendos çmimet, qeveria, prodhimi apo tregu?

Prof. Dr. Alqi Naqellari

“Çmimet nuk i vendos qeveria dhe deri sa njerëzit blejnë pavarësisht rritjes së çmimeve do të thotë se ka treg”. Kjo shprehje e një ministri për një ekonomist mjafton që të konstatojë se personi që e thotë këtë fjali nuk e ka idenë se çfarë është tregu, se çfarë përfaqëson dhe si krijohet çmimi, dhe se çfarë detyrimesh ka qeveria ndaj konsumatorëve, qytetarëve të saj, etj

 

 Së fundi, në një dalje në konferencë për shtyp në facebook Ministri i Parë kur u pyet për rritjen e nivelit të çmimeve theksoi: “Çmimet nuk i vendos qeveria dhe deri sa njerëzit blejnë pavarësisht rritjes së çmimeve do të thotë se ka treg”.Për një ekonomist të fushës së ekonomiksë do mjaftonte vetëm kjo thënie që të konstatojë se personi që e thotë këtë fjali nuk e ka idenë se çfarë është tregu, se çfarë përfaqëson dhe si krijohet çmimi, ku përcaktohet niveli i çmimeve, çfarë përfaqësojnë çmimet për shitësin dhe për blerësin dhe se çfarë detyrimesh ka qeveria ndaj konsumatorëve, qytetarëve të saj, etj. Kjo është një thënie shfajësuese e një personi që pavarësisht se pretendon se e njeh ekonominë, është jashtë realitetit ekonomik sepse nuk konceptohet nën këtë vështrim kapitalizmi, ekonomia e tregut.Tregu dhe çmimi janë shprehje reale e marrëdhënieve ekonomike, e interesave të grupeve dhe klasave të caktuara me interesa të kundërta, prandaj kur flitet për çmimet duhet të meren në konsideratë prodhimi, tregu dhe shteti. Në këtë shkrim do jap shkurt konsiderata mbi çmimet, çfarë janë kush i vendos dhe çfarë detyrimesh ka qeveria ndaj qytetarëve të saj.

  1. Çfarë janë çmimet dhe si krijohen ato?

            -Çmimi është shprehje e vlerës së mallit në njësi monetare, ose masa monetare apo një mall tjetër që japin blerësit për njësinë e mallit që do blejnë.

-Çmimi është ajo çfarë blerësit u japin shitësave për mallin që do blejnë.

Përgjithësisht në tregje funksionin e këmbimit e luan paraja. Megjithatë paraja nuk është mjet i vetëm që luan këtë rol, sepse e luajnë edhe mallrat e tjerë, por me kufizime të mëdha.

-Çmimi  është në themel të këmbimit duke luajtur edhe:rol njohës për tregun në shërbim të shitësve dhe blerësve, në orjentimin e ekonomisë, në shpërndarjen e mallrave dhe faktorëve, në krijimin e mundësive për aplikimin e stimujve.

-Çmimet japin informacione të vlefshme për shitësit dhe blerësit.

-Çmimet e blerjes në treg tregojnë se sa janë të gatshëm dhe të aftë blerësit për të plotësuar nevojat e tyre.

-Çmimet e shitjes tregojnë se sa është vlera e mallrave. Nëse blerësit janë të gatshëm dhe të aftë të blejnë me çmimet e shitjes krijohet premisa e rritjes së tyre, dhe e kundërta nëse ata nuk janë të gatshëm dhe në gjendje të blejnë me çmimet e shitjes krijohet mundësia e uljes së tyre.

-Çmimet shërbejnë si stimuj në rritjen ose rënien e masës së shitjeve. Nëse çmimet janë relativisht të larta atëherë blerësit do blejnë më pak nga ai mall. Nëse çmimet janë relativisht më të ulta atëherë blerësit do të blejnë më shumë nga ai mall.

-Çmimet përbëjnë stimuj jo vetëm për blerësit, por edhe për shitësit, sepse rritja e shitjeve nxit rritjen e prodhimit të mallrave. Në këtë mënyrë çmimet shprehin marrëdhënie midis grupeve dhe klasave të caktuara që janë të lidhura me fazat e riprodhimit të zgjeruar ekonomik, shprehin mënyrën e organizimit të prodhimit privat apo shtet, të shpërndarjes në tregje, oligopol monopol apo konkurencë monopolistike, të shkëmbimit në funksion të nevojave të konsumatorëve që dikton edhe sasinë dhe llojin e prodhimit përveç nivelit të teknologjisë së prodhimit. Çmimet janë shprehje e konkurencës dhe vetë niveli i konkurencës shpreh edhe shkallën e demokracisë funksionale të një vendi.

Kaq e rëndësishme është buka për shqiptarët sa edhe sot pas 30 vitesh kapitalizëm ata vazhdojnë dhe thonë “do hamë ndonjë çap bukë” dhe nuk thonë do drekojmë apo do mëngjezojmë.Qeveria shqiptare, së bashku me ERRE dhe ERRU kanë rritur vazhdimisht çmimin e energjisë dhe të ujit, po kështu ato pa ndonjë analizë mirëfilli ekonomiko-financiare kanë lejuar edhe rritjen e çmimeve të transportit. Kështu qeveria shqiptare është bërë faktori kryesor në rritjen e përgjithshme të nivelit të çmimeve në Shqipëri

            –Çmimi është një mjet i fuqishëm në duar të shtetit për zbutjen e dështimeve makroekonomike të tregut. Kjo ndërhyrje e shtetitë lidhet me dështimin e tregut, kështuqë shteti ndërhyn në treg sa herë kemi dështime të tij. Dështoi tregu nga covid 19 ndërhyri qeveria me subvencione, kredi sovrane, politika ekspansioniste fiskale dhe politika ekspansioniste monetare, dështoi tregu me çmimet e produkteve bazë të konsumit, ishte detyrë e shtetit të ndërhynte. Pra sa herë dështon tregu, prishet ekuilibri, kështu që ndërhyn qeveria për ta rivendosur, ose me ndërhyrjen e saj ajo e prish atë. Po kush është shteti që ndërhyn në treg? Shteti është qeveria që ndërhyn me çmime tavan, dysheme, subvencione, taksa- tatime etj, Banka Qëndrore që ndërhyn në tregun monetar me politika ekspansioniste ose rrudhëse, Autoriteti Konkurencës për mbrojtjen e konkurencës si shprehje e demokracisë funksionale në një vend ku ekziston shteti së drejtës, dhe jo shteti ligjor sepse shtet ligjor ka pasur edhe Hitleri, edhe Stalini edhe Enveri, shtet ligjor ka edhe Kim Jong Uni etj. Në konceptin shtet përfshihen edhe entet e pavarura si Enti Rregullator i Ujit, Enti Rregullator i Energjisë, AKEP etj. Pra qytetarët kanë një sërë institucionesh që kanë si synim, si objektiv  mbrojtjen e tyre. Në rastin konkret, të rritjes së çmimeve të mallrave bazë të konsumit askush nuk i mbrojti, as qeveria dhe asnjë prej këtyre institucioneve që unë i numërova. Sipërmarrjet u treguan më të fuqishme se interesat e qytetarëve. Qëndrimi i tyre fitoi mbi synimet e këtyre autoriteteve.

  1. b) Çfarë është tregu, çmimi kostos, çmimi efektiv dhe çmimi tregut?Në kuptimin më të përgjithshëm me treg“kuptojmë procesin e organizimit të këmbimit të mallrave midis blerësve dhe shitësve në një vend të caktuar në një periudhë kohe të dhënë”.

= Tregu shpreh një tërësi marrëdhëniesh ekonomike të ndërvarura.

= Tregu është një proces konkurimi i çmimeve të ofruara  dhe i çmimeve të kërkuara.

= Në treg përballen interesat e subjekteve ekonomikë të vendit dhe të huaj.

= Në tregje sipas natyrës së tyre mund të tregëtohen mallra konsumi, faktorë ose  shërbime.

Elementët e tregut janë lloji mallit, shitësit, blerësit, çmimi, vendndodhja dhe koha.Koncepti i vendndodhjes sot nuk ka ndonjë rëndësi të madhe sepse në kushtet e digjitalizimit të shitjeve mund të blihet dhe shitet në çdo vend, mjafton të kesh një smartfon apo një kompjuter. Në bazë të kombinimit të këtyre elementëve varet sasia që do shitet dhe çmimi  i shitjes. Rëndom natyra e mallrave dhe funksionimi i tregjeve është këmbimi i mallrave midis njerëzve që i kanë ato dhe i atyre që i kërkojnë. Pra kemi në njërën anë blerësit me interes të maksimizojnë dobinëdhe në anën tjetër shitësit me interesa të maksimizojnë fitimin.

Në Shqipëri i diferencojmë të katër llojet e tregut, tregun e pastër konkurencial, i cili ekziston vetëm në fushën e ekonomisë jo reale (këmbimoret), konkurencën monopolistike që mbisundon në tregun shqiptar, oligopolet dhe monopolin. Në fushën e mallrave të konsumit, të miellit dhe bukës kemi një oligopol të pastër ( 5 kompani të fuqishme) i cili është analizuar nga AK që në vitin 2009. Gjithmonë ka qënë objekt i AK-së, sepse me të është abuzuar. Por disa vite më parë ndërhyrja e qeverisë nuk lejoi rritje të çmimeve. Në vitin 2021 qeveria heshti për gjykimin dhe faljen që i bëri AK gjobës që kishin propozuar ekspertët e saj nga analiza që kishin bërë. Qeveria u bë palë dhe e lavdëroi AK, sepse kishte treguar kompetencë, në një kohë që duhej të kishte qenë dakort me konkluzionin e grupit të analizës, sepse edhe vetë ishte aksionare në njerën prej kompanive të miellit. Raporti votimit 3/2 ishte tërësisht i dyshimtë për çdo ekonomist.

Çmimin përgjithësisht e rritin oligopolet dhe monopolet, nuk rritet çmimi në konkurencën monopolistike sepse konsiderohet si treg i pastër konkurencial i ekonomisë reale ku afërsisht MR = MC = P, e ardhura marxhinale barazon koston marxhinale dhe çmimin. Në monopol dhe oligopol çmimi është gjithnjë më i madh se MR=MC sepse vendoset mbi kurbën e kërkesës AR(e ardhur mesatare), kështu që këto dy struktura dalin gjithmonë me fitim. Janë pikërisht këto struktura mbi të cilat vendosen çmimet tavan, ndërmerren ligje antitrust. Në Shqipëri ka me dhjetra oligopole dhe monopole, që nga kompanitë e siguracioneve, kompanitë e telefonisë celulare, të bankave tregëtare e deri te kompanitë e importit të karburanteve së bashku me gazin e lëngshëm që janë bërë objekt i vazhdueshëm i kontrollit nga ana e Autoritetit të Konkurencës.

Pretendohet se çmimet i vendos tregu. Kjo nuk është e vërtetë. Në treg përplasen interesat e blerësve me interesat e shitësve ku secili grup kërkon të maksimizojë dobinë dhe fitimin. Mallrat shkojnë në treg me çmimin e kostos ku në këtë çmim përfshihet kostoja fikse, kostoja variable, fitimet e ndërmarrjes dhe një pjesë e tatimeve. Ky çmim i kostos në treg përballet me interesat e konsumatorëve. Kur shitet sa prodhohet atëhere kemi çmim dhe kërkesë efektive. Ky çmim efektiv kthehet edhe në çmim tregu. Kur shitet nën ose mbi këtë çmim atëhere kemi të bëjmë me çmim tregu që luhatet mbi çmimin e kostos, por kjo nuk lejon askënd që të pretendojë se çmimet i vendos tregu. Ndërmarrja duhet të prodhojë me çmim kostoje në këtë nivel për të marrë fitimin e parashikuar, ndryshe do fitojë më pak dhe do rriti stoqet.

Problemi qëndron në thënien se edhe pse u rritën çmimet ka treg?

Kjo është një marrëzi. Pse? Sepse kemi të bëjmë me bukën, me mallra të mbijetesës, pa të cilat nuk bëjnë dot shqiptarët. Ata do heqin dorë nga mallrat e tjerë, nga mishi, nga frutat, perimet, veshjet dhe do blejnë bukë. Kaq e rëndësishme është buka për shqiptarët sa edhe sot pas 30 vitesh kapitalizëm ata vazhdojnë dhe thonë “do hamë ndonjë çap bukë” dhe nuk thonë do drekojmë apo do mëngjezojmë. Buka ka qenë dhe mbetet e rëndësishme për ne. Migjeni i ka thurur poezi kokrës së misrit, dhe jo oligopoleve e monopoleve, po të shkelje një kokër misër të shitonte zana, “Mos i shkel he të shitoftë Zana”!“Se shekulli i njizetët àsht shekulli i apoteozës së misrit ndër foletë e shqypeve”.“Në shekullin e njizetët s’ka apoteoza perëndìsh, por ka apoteoza misri. Bjeshkët t’ona, qi dikur qenë lteret e apoteozave perëndìsh, sot janë lteret e apoteozës së misrit. Nji kokërr misër àsht nji kokërr dhimbje kur ka shumë ù e aspak miser”.

Bejtexhiu i famshëm Hasan Zyko Kamberi i ka kënduar dashurisë, parasë por i ka kënduar edhe trahanës në bejten “Trahanaja”.Aferim ç’bëri dëngozi, Muar qumështë prej kosi, Me miell e nakatosi, Dritë kush gjeti trahanë”! Kështu që “ka treg” nuk është argument për të justifikuar rritjen e çmimeve. Kjo situatë tregoi se kurba e kërkesës për bukë është thuajse plotësisht inelastike dhe në këto lloj mallrash barra e rritjes së çmimeve bie gjithmonë mbi konsumatorin.

Dikush pretendon se po u rrit kërkesa do rriten çmimet. Kjo është e vërtetë vetëm kur janë rritur elementë të kërkesës që nuk bazohen mbi prodhimin, mbi efektivitetin. Konstatimi në përgjithësi është i gabuar, sepse bazohet në teorinë Keynsiane, e cila e merr Kurbën e Kërkesës me pjerrësi negative. Në fakt kjo kurbë,është me pjerrësi pozitive. Shikoni dinamikën e inflacionit dhe PBB-së në Shqipëri, kanë ardhur gjithnjë në rritje. Këtë lidhje nuk do ta trajtoj më gjatë sepse do bëj një analizë tjetër mbi konsumin dhe lidhjen e tij me rritjen ekonomike.

            c)Roli i shtetit në vendosjen e çmimeve. Shteti në rastin e mbrojtjes së konsumatorit nga rritja e çmimeve ndërhyn nëpërmjet çmimeve TAVAN.Çmimet tavan janë çmime kufi maksimal të detyrueshme për t’u zbatuar prej subjekteve ekonomike në kuptimin “jo më i  lartë se ky kufi ” që vendos shteti me ligj për shërbime apo mallra të caktuar në mbrojtje të interesave të qytetarëve të vet nga konkurenca e pa ndershme.

Qeveria jo vetëm që ndërhyn me çmimet tavan, por ajo ka edhe sipërmarrjet e saj si prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, ujit etj që janë produkte masive dhe të domosdoshme për jetesë, produkte bazë. Qeveria shqiptare, së bashku me ERRE dhe ERRU kan rritur vazhdimisht çmimin e energjisë dhe të ujit, po kështu ato pa ndonjë analizë mirëfilli ekonomiko-financiare kanë lejuar edhe rritjen e çmimeve të transportit. Kështu qeveria shqiptare është bërë faktori kryesor në rritjen e përgjithshme të nivelit të çmimeve në Shqipëri. Kjo sepse energjia elektrike, uji, transporti janë të lidhura drejtpërsëdrejti me gjithë degët e tjera të ekonomisë. Këtu theksojmë edhe qëndrimin e qeverisë ndaj karburanteve që prodhohen në Shqipëri, ndaj prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes së tyre. Qeveria ka qënë indiferente ndaj këtyre kompanive duke i lënë ato me bilance dhe duar të lira, me argumentin se “jemi në kapitalizëm”, jemi në ekonomi tregu”, duke harruar që edhe në kapitalizëm qeveria ka kompetencë të ndërhyjë në treg në mbrojtje të qytetarëve të saj. Askush nuk ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë dhe si të dojë edhe në kapitalizëm, sepse pasuritë e pa rikuperueshme janë të të gjithë kombit shqiptar dhe të gjithë duhet të përfitojnë prej tyre dhe jo vetëm ata të cilëve ju janë dhënë për shfrytëzim.

  1. d) Si e vlerësuan vendet e ndryshme rritjen e çmimeve?

Problemi çmimeve është mjaft i ndjeshëm për konsumatorin, sepse është i lidhur direkt me mirëqënien e tij. Punëzënia dhe inflacioni janë dy nga treguesit kryesorë të shkallës së mirëqënies së një vendi. Rritja e çmimeve dhe papunësia i ngre popujt në revolta kundër qeverisë së tyre. Nëse rritet çmimi i karburanteve apo i bukës në Greqi, Francë apo Gjermani, grekërit, francezët, gjermanët e thyejnë Athinën, Parisin dhe Berlinin. Shikoni se çfarë ndodhi në Kazakistan, i cili është një vend me ekonomi të qëndrueshme, përgjithësisht të centralizuar. U dyfishua çmimi i karburanteve populli u ngrit në demonstrata të dhunëshme. Ka me dhjetra të vrarë e të plagosur, policë, qytetarë, të fajshëm e të pa fajshëm. Veprimet me çmimet vendosin qeveritë përballë popullit të tyre.

Qeveritë e vendeve të ndryshme ju erdhën në ndihmë në forma të ndryshme konsumatorëve të tyre, dikush me çmime tavan, dikush me ulje të taksave, dikush me subvencionime etj. Franca, me pagë minimale 1539 euro, ju akordoi 38 milionë banorëve me pagë nën 2000 euro, nga 100 euro për rritjen e çmimit të energjisë dhe karburanteve. Megjithatë francezët janë të pakënaqur, sepse kërkojnë zgjidhje afatgjata.

Le të krahasojmë veprimet e Qeverisë Maqedone me veprimet e Qeverisë Shqiptare. Qeveria e MV i erdhi  në ndihmë popullit (konsumatorit) të saj nëpërmjet çmimeve TAVAN për produktet bazë ushqimore, të karburanteve dhe të energjisë.

Si veproi Republika e Maqedonisë së Veriut në momentin që çmimet e produkteve bazë filluan të rriten?

Qeveria e RMV-së aplikoi çmime tavan ku çmimi maksimal kufizimi i sipërm do ishte pikërisht çmimi në momentin që u mor vendimi. Pra firmat nuk kishin më të drejtë të rritnin çmimin mbi këtë nivel. Këtë veprim e quajti “ngrirje” të çmimeve dhe jo çmim tavan”. Në fakt ky veprim është mirëfilli një çmim tavan. Kjo metodë e njohur për ndërhyrjen e shtetit në treg u aplikua me sukses.

-Për produktet bazë të konsumit (shportës), buka e bardhë 29 denar=57.37 lekë, në Shqipëri 100-120 All,sheqer 900 gr 40 denar = 79.14 lek, në Shqipëri 80 lek, vaj 97 denar = 191.91, vaj për gatim(EL-1) 66denarë= 130.58 lekë, në Shqipëri 200- 220 lek,  qumështit me yndyrë 3.2%  52denar=102.88, në Shqipëri 150 lekë, 1.5 litra,  mishit, djathit etj deri në 31 dhjeor të 2022. Masa të tilla janë vendosur edhe në vende të tjera fqinje.

-Për çmimin e karburanteve nga 21 nëntori 2021 përcaktoi çmime tavan: -Benzinë për motorët EUROSUPER BC(%, 75 denar/litri= 148.38, bezinë për motorët EUROSUPER BS (77 denar/litri = 152.34lek, naftë për motorë EURODIZEL BS(D E V) 66.5 denar/litri = 131.57 lek.

=Po a veproi kështu qeveria shqiptare? Jo, qeveria shqiptare nuk qëndroi në krah të popullit (konsumatorit) nëpërmjet vendosjes së çmimeve Tavan, përkundrazi ajo me veprimet dhe mosveprimet e saj u vendos kundër interesave të tij. Ajo mbrojti veprimin e turpshëm të AK (Autoritetit të Konkurencës për mosndëshkimin e shitësve të kartekit të miellit) me pretendimin se janë specialistë të fushës, në një kohë që ka për detyrë funksionale të qëndrojë në krah të konsumatorit dhe ta mbrojë atë nga konkurenca e panderëshme. Në këtë mënyrë kundër interesave të popullit u vendos jo vetëm qeveria, por edhe institucionet e pavarura që janë pjesë e shtetit si AK, në rastin konkret, por kemi edhe rastin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe të ujit të miratuar nga ERRE dhe ERRU. Në këtë mënyrë populli shqiptar nuk mbrohet nga askush. Ministri i Parë theksoi se nuk do ta rrisim çmimin e eneregjisë për popullin por për bizneset. Kjo do thotë “hiç´po Habili”, ta heq nga njëri krah dhe ta fut në krahun tjetër.

Çmimet e karburanteve në Shqipëri rriten pa asnjë kriter, thjesht me argumentin se është rritur në bursë, dhe qeveria vetëm hesht. Në tetor çmimi i naftës ishte 188 lek/litri, nga 148 lek/litri që ishte në fillim të vitit, çmimi benzinës shkoi nga 185-188 lek/litri dhe çmimi gazit të lëngshëm shkoi nga 87-89 lek/litri.

Shqipëria, vendi më i varfër i Europës me korupsion galopant mban vendin e 150 në botë (Diesel prices, 03-Jan-2022, Global Petrol Prices, litre, Albanian Lek)nga 167 vende të marra në analyze për nivelin e çmimit, duke filluar nga çmimi më i ulët deri në çmimin më të lartë. Përfshihet në 18 vendet me çmimin më të lartë në botë.

Shqipëria lë pas Izraelin me 213.417 lek/litri, Hong Kongun me 239.816 lek/litri dhe vendet më të pasura të Europës si Gjermaninë me 185.692 lek/litri, Francën me 189.894 lek/litri, Portugalinë me 181.611 lek/litri, Italinë me 190.482 lek/litri, Hollandën me 191.214 lek/litri, Danimarkën me 191.503 lek/litri, Irlandën me191.778 lek/litri, Belgjikën me 198.536 lek/litri, Zvicrën me 201.196 lek/litri, Islandën me 201.892 lek/litri, Monakon me 204.538 lek/litri, Finlandën me 212.46 lek/litri, Norvegjinë me 212.615 lek/litri, UK-në me 213.417 lek/litri dhe Suedinë me 236.464 lek/litri.Çmimin më të ulët e ka Irani me 1.05 lekë.

Përfundimisht shteti mund të ndërhyjë në treg në çdo kohë dhe për çdo produkt. Ai e ka për detyrë dhe funksion të tij të mbrojë qytetarët nga konkurenca e pandershme. Shteti, qeveria nuk ka ndërhyrë me çmime tavan, apo subvencione për të mbrojtur qytetarët e saj, sepse ka interes në rritjen e çmimeve. Rritja e çmimeve çon në rritjen e sasisë së të ardhurave që ajo grumbullon prej firmave. Nëse qeveria do ishte reaguese ndaj këtyre situatave asnjë lloj çmimi nuk mund të rritej në kushtet e ekonomisë shqiptare si ekonomia më e varfër e Europës por me një shkallë të lartë korrupsioni.

Nuk është ky kapitalizmi që deshën shqiptarët në 1990, ata deshën kapitalizmin gjerman, skandinav, anglez e francez dhe jo një kapitalizëm ku sundon korrupsioni e varfëria ku drejtohet me PPP e koncensione, ku gjithçka në drejtim e përvehtësim është e centralizuar. Këto karakteristika e bëjnë këtë sistem të pakrahasueshëm me asnjë ekonomi të tregut në Europë e në Perëndim, prandaj ky sistem që është ngritur deri tani duhet të zhbëhet, ndryshe do ta shpërbëjë jo vetëm ekonominë por edhe Shqipërinë.