“Tolerancë zero”/ Siguria në plazhe, Balla: Na duhen ashpërsime në politikën penale dhe rregulla më kufizuese

32
Sigal

Ministri i Brendshëm Taulant Balla shprehet se për sigurinë në plazhe duhet më shumë kontrolle në mjetet e shpejta lundruese.

Sakaq, Balla shton se duhen ashpërsime në politikën penale dhe rregulla më kufizuese përdorimi në këtë drejtim, sikurse thekson që toleranca do të jetë zero.

Balla: Gjatë këtij sezoni turistik, Policia e Shtetitka kontrolluar dhe bllokuar numrin më të lartë të mjeteve lundruese abuzuese dhe shkelëse, por ende pres më shumë në kontrollin e përdorimit të jetskive dhe mjeteve të tjera të shpejta lundruese bregdetare. Ky trend i kudo përhapur në Europë dhe nëpër botë, përtej adrenalinës së përdoruesve, për shumicën e madhe të pushuesve duket dhe si një pirateri që potencialisht mund të shkaktojë aksidente që marrin jetë njerëzish të pafajshëm.

Kush shkel ligjin dhe rregulloret e përdorimit në këtë rast, kriteret moshore të përdoruesve, nuk është një aventurier në kërkim të adrenalinës, nuk është asnjë sipërmarrës turistik, por një rrezik potencial që mund të marrë jetë.

Në kohën e ndryshimeve në Kodin Penal dhë në Kodin Detar, na duhen ashpërsime në politikën penale dhe rregulla më kufizuese përdorimi në këtë drejtim. Por edhe me kompetencat aktuale që më jep Ligji, paralajmëroj këdo që kërcënon me mendjelehtësinë e tyre vrastare, jetën e pushuesve në bregdetin shqiptar, se Policia e Shtetit do të godasë me tolerancë zero.

Gjatë këtij sezoni turistik, deri më tani, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare dhe Forca Delta kanë kontrolluar 1597 mjete lundruese, nga të cilat 504 janë bllokuar e ndëshkuar me masa administrative për lundrim në zonë të ndaluar, ushtrim i aktivitetit të turizmit detar në kundërshtim me ligjin, tejkalim i numrit të pasagjerëve të lejuar në bord, mosregjistrim i mjetit lundrues brenda afatit të përcaktuar dhe mungesë dokumentacioni përdorimi.

Janë organizuar 67 operacione policore për dhënie ndihme ndaj 204 turitëve të huaj dhe vendas, mjetet e të cilëve kanë shfaqur avari deri në rrezikimin e jetës së pasagjerëve.