Tirana City Talks/ Kryebashkiaku Veliaj: Tirana më e pastër se ç’e gjetëm, së shpejti linja të dedikuara për autobusët

98

Kryebashkiaku tha se transformimi ka ardhur, në radhë të parë, për shkak të ndryshimit të mentalitetit në Tiranë. Edhe pse është rritur konsumi, janë rritur edhe aktivitetet, megjithatë Tirana e ka përballuar çështjen e pastrimit.

Sigal

Qyteti i Tiranës është sot disa herë më i pastër se tetë vjet më parë, pavarësisht zhvillimit dhe rritjes së numrit të banorëve dhe turistëve. Në një tryezë diskutimi me urbanistë dhe arkitektë, në vijim të debateve publike “Tirana City Talks”,  Erion Veliaj vuri në dukje përmirësimin e cilësisë së ajrit.

“Nga Il Meteo apo qendra Kopernik, të cilat masin cilësinë e ajrit për çdo qytet, Tirana vlerësohet me notën 8 nga 10 – disa herë jemi 9, disa herë jemi 8 – por, përpara tetë vitesh, i njëjti aplikacion e nxirrte Tiranën me të kuqe, i jepte notën 2, 3 dhe 4, as notë kaluese: pra, qartazi diçka ka ndodhur. Ndaj, unë prirem të them se kemi shumë për të bërë, por disa gjëra janë bërë mirë. Qyteti është më i pastër, kaluam nga një qytet që pastrohej një herë në ditë, në një qytet që pastrohet tre herë në ditë. Edhe pse është rritur konsumi, janë rritur edhe aktivitetet, megjithatë Tirana e ka përballuar çështjen e pastrimit”,- u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se ky transformim ka ardhur, në radhë të parë, për shkak të ndryshimit të mentalitetit në Tiranë. “Sa herë më pyesin cili është investimi më i madh që kemi bërë – Bulevardi i Ri, Sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, apo Lumi i Tiranës – u them se investimi më i madh dhe më i vështirë janë këto 10 cm në kokën tonë”.

Veliaj foli edhe për linjat e shpejta të autobusëve urbanë, që do të futen në Tiranë në këtë sezon veror.

“Jemi gati që këtë verë të lançojmë atë që quhet “Bus Rapid Transit”, linja e shpejtë e autobusit, me korsi të dedikuara dhe të pandërprera. Pra, siç kemi bërë linjat e biçikletave, të njëjtën gjë duam të bëjmë me autobusët. Sipas këtij sistemi do kalojmë linjën Kinostudio – Kombinat, Unazën dhe Tiranën e Re. Parashikimi është që nëse udhëtimi i plotë i linjës na merrte 54 minuta kohë, duam ta çojmë në 24 minuta, kurse shpejtësinë e autobusëve nga 9.5km/h, në 19.4km/h. Pra dyfishimi i shpejtësisë dhe përgjysmimi i kohës. Nëse dyfishojmë shpejtësinë, nëse dyfishojmë kohën dhe nëse kalojmë nga një transport i 9 mijë pasagjerëve në orë, në 23 mijë pasagjerë në orë, kemi ulur ndjeshëm trafikun, sidomos në këto tre arterie kryesore të qytetit,” u shpreh Veliaj. Në fund ai përmendi edhe konceptin e Qytetit 15 minutësh që po zhvillohet në dy lagjet e reja të Tiranës, “Kombinati” dhe “5 Maji”.