Është gjobitur, proceduar penalisht dhe shpallur në kërkim pronari i një lokali në fshatin Kurjan, Roskovec. Kjo pasi përshtaste lokalin për përdorim droge dhe e mbante hapur pas orës 22:00.
Shërbimet e Policisë Fier, gjatë mbrëmjes së djeshme, në fshatin Kurjan, konstatuan të hapur lokalin në pronësi të shtetasit R. B.
Në ambientet e lokalit ndodheshin 10 shtetas të cilët u gjobitën secili me masë administrative 10.000 lekë.
Gjatë kontrollit të lokalit, u gjetën 11 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe 3 doza lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve, u arrestuan poseduesit e lëndës narkotike, shtetasit:
E. F., 36 vjeç, banues në Patos dhe A. T., 24 vjeçe, banuese në Patos.
Gjithashtu u procedua penalisht dhe u shpall në kërkim pronari i lokalit, shtetasi R. B., 49 vjeç, banues në Kurjan, Roskovec, për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme procedurale.






















