“Thesi” i 30 skandaleve të “tepsisë vetëm” në “Posta Shqiptare”, tenderë me adresa biznesesh e “NIPT”-e false

1322
Shqiptarët po presin konkretizimin e gjithë denoncimeve, që kryeministri Rama po vazhdon të bëjë për korrupsionin, analfabetët, të kriminalizuarit, grabitqarët dhe parazitët e zyrave të shtetit! Në disa sektorë, kryeministri Rama ka bërë ndryshime, duke vendosur drejtues të rinj, natyrisht përfaqësues fanatikë të PS, siç është rasti i emërimit të tyre në krye të institucionit “Posta Shqiptare” dhe në disa degë të saj në qarqe, pas shkarkimeve politike që bëri ish-ministrja Milva Ekonomi, në bashkëveprim me ministrat teknikë të PD! Edhe këta dy drejtues të rinj të “Posta Shqiptare” janë nga Korça, pavarësisht se diplomat e tyre universitare nuk kanë lidhje me shërbimet në këtë sektor, por me ofiçinat dhe fushat e bujqësisë, duket nuk e kanë mbyllur “digën” e korrupsionit, përkundrazi e kanë hapur më tepër, ndoshta prej mendimit, se tani e kanë “tepsinë vetëm” dhe mund të “gatuajnë” çfarë të duan e të “hanë” sa të duan! Prej disa ditësh, gazeta “Telegraf” po përgatit një dosje me 30 skandale ekonomike, financiare, ligjore e administrative që janë “bekuar” prej drejtuesve të saj, ku njeri përveçse është nr. 2 në kupolën e Postës, i është besuar edhe detyra e menaxhimit të tenderëve, ndoshta për “ustallëk, siguri, qokaxhi dhe aftësi manovrimi”! Nuk e kemi fjalën për pagat e larta që vendosen për shefat, as për lekët që u zhvaten pensionistëve të mjerë nëpër zona, as për presionin ndaj punonjësve për të “punuar e ulur kokën”. Por e kemi fjalën, për skandale që nuk “kanë gojë” të flasin, mbasi bëhen në rreth të mbyllur brenda “grupit”, përforcuar së fundi në degën e Tiranës edhe me një “akrobat” tatimesh e doganash. “Posta Shqiptare”, vazhdon të mos kërkojë taksën 20% TVSH, prej një firme të fuqishme private me vlerë humbjeje ndaj shtetit, mbi 5 milionë euro! Flitet për skandale emërimesh partiake e familjare, të individëve pa arsim të lartë por me diploma false. Flitet për pagesa punonjësish, që janë jashtë Shqipërisë dhe paguhen në borderotë e saj sikur u bie bretku në punë, madje edhe që hedhin firma ne dokumente zyrtare! Flitet për emërime shefash të lidhur familjarisht e në krushqi, në sektorët ku “bëhen lekë”, ku mbulohen zullume, ku korrigjohen e zhduken dosje skandalesh. Në “thesin” e Postës Shqiptare, gjenden 30 skandale të drejtimit “tepsia vetëm”, të cilët do fillojmë t’i publikojmë me dokumente konkrete, natyrisht jo ato të vitit 2008, për të cilat njëri prej drejtuesve të rinj të “Posta Shqiptare”, u çua atje ku tregohet me zë të mekur “emri i nënës dhe i babait”! Është fjala për tenderët që kanë lidhje me karburantet, blerjet kancelarie e pajisje zyrash, punët e standardeve të automjeteve, të sigurisë së transportit të vlerave monetare e materiale, urdhra policie, roje sigurie, mosfirmosje denoncimesh e aktesh ekspertimi, vlera të dietave të udhëtimeve brenda e jashtë vendit edhe me familjarë, shokë e shoqe që nuk janë punonjës të Postës dhe shumë “objekte” të tjerë prokurimesh!
Sigal