“Thesari”, në 5 nëntor masat për Fullanin e Golemin, ja relatorët

535
Sigal

Ish-Guvernatori, Adrian Fullani dhe vartësja e tij ish-Inspektorja Elivar Golemi më 5 nëntor do të dalin para Gjykatës së Lartë për masat e sigurisë vendosur ndaj tyre. Gjykata e Lartë pasi shqyrtoi rekurset e Fullanit dhe Golemit ka vendosur që gjykim në kolegjin penal, të ketë për realtor Edmond Islamaj në gjykimin e Fullanit dhe gjykatësin Aleksandër Muskaj relator në procesin ndaj Elivar Golemit.

Seancat ndaj ish-Guvernatorit dhe ish-Inspektores do të mbahen në të njëjtin kolegj me diferenca nga një orë midis tyre më 5 nëntor. Ishte Gjykata e Apelit ajo që ndryshoi masën e sigurisë për Fullanin duke e lënë atë me arrest shtëpie nga arrest me burg që vendosi Gjykata Penale e Tiranës, teksa për inspektoren Golemi e njëjta trupë gjykuese në Apel vendosi ta lërë sërish në burg.

Ish-inspektorja Elivar Golemi ndodhet pas hekurave sëbashku me Ardian Bitrajn, Mimoza Bruzian dhe Klevis Bejtjan. Për të tre këta të fundit dhe ish-Guvernatorin hetimet ende nuk janë mbyllur dhe Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për shtyrjen e afateve hetimore dhe me tre muaj të tjera.

Hetimet ndaj zyrtarëve të Bankës së Shqipërisë nisën afro 3 muaj më parë kur Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruziaj u kallëzuan penalisht me akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën. Kjo akuzë erdhi pasi vetë Bitraj informoi drejtuesit e Bankës së Shqipërisë se ai kishte vjedhur shuma të konsiderueshme parash nga “Thesari” në Linzë.

Zyrtarisht ende nuk ka një shifër reale të vjedhjes në “Thesar”, pavarësisht asaj që në publik është thënë nga  nga ish-Guvernatori Fullani, se janë vjedhur  713 milionë lekë.  Kjo shifër në asnjë kërkesë për gjykim nuk është pranuar nga Prokuroria, pasi pritet përfundimi i auditit të pavaruar kontraktuar nga akuza për nxjerjen e vlerës reale të vjedhur në “Thesar”.