OSBE: Zëvendëskryetarja e prezencës, Clarisse Pasztory vlerëson numrin rekord të deputeteve dhe drejtimin e kuvendit nga Lindita Nikolla.
Mendoj se ky i sotmi është vërtet një mëngjes i mirë për shkak të pranisë sonë të përbashkët në këtë aktivitet, i cili që tani duket se është i suksesshëm. Arsyet janë si më poshtë:
1. Numri rekord i grave deputete të zgjedhura këtë vit, 50 në total;
2. Një kryetare Kuvendi jashtëzakonisht e aftë;
3. Edhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka në zëvendës kryetare grua.
Jam shumë e lumtur që Kryetarja e Kuvendit e mbështeti propozimin tim për lëvizjen “Jo Unë”. Do t’i kthehem më poshtë kësaj çështjeje.
Së pari, në emër të Prezencës së OSBE-së dua të marr një “grimcë” të meritës për situatën ku ndodhet sot Shqipëria.
Sihana, Mira dhe ekipi i tyre, me fondet e qeverisë zvicerane, kanë bërë shumë me kalimin e viteve. Ato më dhanë një listë të gjatë me aktivitete për të lexuar, por unë nuk do t’i lexoj sepse kjo do të merrte shumë kohë nga koha që ju keni për diskutime. Ndër më të rëndësishmet janë: dialogu ndërpartiak për të themeluar bordin drejtues të Aleancës së Grave Deputete; programi i stazhit për gratë deputete dhe stazhierët e rinj; takimi vjetor i Aleancës së Grave Parlamentare dhe programet individuale të mentorimit; shkëmbime përvojash në nivel rajonal; trajnime për legjislacionin me ndjeshmëri gjinore; dhe sigurisht, mbështetja për Programin me Ndjeshmëri Gjinore për parlamentin tuaj të miratuar në qershor 2020, si i pari në llojin e tij.
Duhet ta themi se të gjitha këto aktivitete janë organizuar në bashkëpunim të shkëlqyer me administratën e Kuvendit. Nuk mund ta lavdëroj mjaftueshëm gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me ne dhe për të përmirësuar punën në mënyrë të vazhdueshme. Angazhimi i stafit administrativ i sjell qëndrueshmëri gjithçkaje që ne bëjmë.
Kjo nuk është e gjitha. Nuk kam mbaruar ende…
Jemi mbledhur sot këtu për të diskutuar aktivitetet tona të përbashkëta në të ardhmen, për të mos e ndalur punën e mirë që kemi nisur. Sihana do t’ju prezantojë, si dhe do t’ju dëgjojë në lidhje me planet konkrete dhe iniciativat që do të nisin vitin që vjen.
Dua t’ju lë me dy apo tre pika kryesore për t’i pasur në vëmendje:
Unë nuk jam marrë ndonjëherë me çështjet e lidhura me Gratë, Paqen dhe Sigurinë, por personalisht kam qenë një diplomate që është përballur me kriza të ndryshme në disa nga vendet më të vështira në botë. Kosovë, Maqedonia e Veriu, Bosnja dhe Hercegovina gjatë viteve të luftës. Irak, Siri, Jemen, Arabia Saudite, Kurdistan… për të negociuar marrëveshje paqeje, për t’u marrë me çështje të sigurisë, duke shërbyer dhe duke pasur sukses në një mjedis të mbizotëruar nga burrat. Jo sepse jam një grua, jo pavarësisht faktit që jam grua, por thjesht si një grua, si vetja. Nuk kam punuar për koncepte teorike që lidhjen me çështjet e grave, por për të zgjidhur probleme.
Kjo është këshilla ime për deputetet më të reja (Ato që kanë kohë në politikë nuk kanë nevojë për këshillat e mia. Në të kundërt, nuk do ishit këtu!): shpesh gratë bëjnë gabimin dhe kërkojnë pushtet. Ato presin që dikush t’ua japë atyre. Por pushteti nuk jepet. Ai merret. Ai jetohet. Ai është brenda jush. Pushteti është atje ku jeni ju.
Këshilla e dytë është kjo: Mos bini në kurthin e viktimizimit të vetes. Kryetarja e përmendi propozimin tim për lëvizjen “Jo Unë”. Nuk mjafton të rrisim ndërgjegjësimin, por duhet të ndalojmë viktimizimin.
Ne jemi gra. Ne nuk jemi të dobëta dhe nuk kemi nevojë për rojtarë. Më vjen të ulërij kur dëgjoj të thuhet “gratë dhe fëmijët” si një shprehje e vetme. Si të ishim krijesa të pashpresa. Ndërkohë burrat janë të pamposhtur. Shpesh kjo trajtohet si mbështetje, por në të vërtetë është zvogëlim i rolit të tyre. Ne nuk jemi të vogla dhe nuk jemi të pakta në numër. Nuk jemi “vulnerabël” vetëm sepse jemi gra. Të gjithëve u del gjak kur priten. Burrave, grave, fëmijëve. Neve na duhet një shoqëri që nuk pret, një shoqëri që nuk na përjashton.
Pikërisht këtë duam të diskutojmë edhe në takimin e sotëm. Si të mund ta çojmë përpara agjendën tonë, siç e përmendi edhe kryetarja. Si të garantojmë përfshirjen, kontributin, fokusin tek çështjet që lidhen me gratë. Jo për shkak të dobësisë, por për shkak të forcës tuaj, përfshi këtu forcën në numra. Jeni 50 gra. Nga të gjitha partitë politike. Për më tepër, keni një kryetare parlamenti grua. Mund të bëni ndryshime të mëdha gjatë kësaj legjislature. Dhe unë shpresoj që ta bëni këtë!




















