Tensionet në veri të Kosovës/ Meta: Burimi është politika e vjetër e Beogradit, nuk i intereson askujt përveç Rusisë

121
Sigal

Për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta situata e tensionuar në veri të Kosovës e ka burimin nga politika e vjetër e Beogradit, që siç tha ai kërkon të krijojë tensione të panevojshme jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin tonë.

Sipas Metës, e gjithë kjo situatë e tensionuar nuk i intereson askujt, përveç Rusisë.

Meta shprehu mbështetje për institucionet e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare që janë atje, duke apeluar për dialog si e vetmja mënyrë për të normalizuar situatën.

“Është e qartë që burimi i tensioneve vjen nga politika e vjetër provokative nga Beogradit, i cili kërkon të krijojë tensione të panevojshme ne veri të Kosovës, por edhe në rajonin tonë. Kjo nuk shkon në interes të askujt më shumë sesa thjesht Rusisë.

Kjo tregon se kush është faktor që minon vlerat e bashkëjetesës ndëretnike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajonin tonë.

Ne kemi mbështetur dhe mbështesim institucione legjitime të Kosovës.

Mbështesim KFOR dhe institucionet ndërkombëtarë që janë atje dhe apelojmë për dialogun si të vetmen rrugë jo vetëm të normalizimit të situatës atje, por edhe për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin final njohjen reciproke”, tha Meta.