Tenderi që vjedh dhe të vdekurit! Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore shpërdoron 300 milionë pa garë për morgun

121

Pas tenderave, PPP dhe babëzizë së oligarkëve për të shtënë në dorë pasuritë kombëtare, edhe  Instituti i Mjekësisë Ligjore ka vendosur të abuzojë përtej tyre, deri si të shpërdorosh miliona për morg

Sigal

Në një vend ku gjithçka vidhet me anë të tenderave, nuk do ishte aspak çudi që ky ves të aplikohej edhe në rastin e personave që kanë humbur jetën. Këtë duket se e ka kuptuar më së miri Instituti i Mjekësisë Ligjore i drejtuar nga Bledar Xhemali.

Rezulton se institucioni në fjalë ka nevojë befas për një pjesë të mirë të pajisjeve kryesore, që i nevojiten gjatë punës së përditshme. A thua se këto pajisje u prishën të gjitha në të njëjtën kohë. Bëhet fjalë për pajisje të tilla si Dhomë Frigoriferike Morgu për Kufoma, Frigorifer laboratori, Karrocë ashensor për transport kufomash, Analizator automatik për testime toksikologjike, Tavolina laboratori, mikroskop etj.

Megjithatë le të kalojmë tek dokumentet. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-66742-04-20-2023 që ka si objekt “Blerje pajisje autopsie dhe laboratorike” sipas joq.

Ky tender ka si fond limit shifrën prej 25,833,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 300 milionë lekë të vjetra me TVSH. Por le të “hapim lakrat”. Duke studiuar dokumentacionin e kësaj procedure, shikohet se në tender kanë marrë pjesë vetëm tre kompani.

Për habi dy prej tyre kanë hyrë në tender, por nuk kanë paraqitur ofertë ekonomike, një lëvizje e njohur kjo kur fituesi është i paracaktuar. Për rrjedhojë tenderin e ka marrë e vetmja kompani që ka dhënë ofertë, dhe kjo është KRIJON në pronësi të Piro dhe Fotion Zoga.

Oferta e tyre ka qenë 25,620,000 lekë të reja pa TVSH ose gati 300 milionë lekë të vjetra me TVSH. Shikohet qartë ndërkohë se kjo vlerë fituese është thuajse 100% e barabartë me fondin limit të tenderit. Të gjitha sa më sipër ngjallin dyshime të forta se fituesi ka qenë i paracaktuar që në fillim.