Të moshuar në Dhërmi, francezët mahniten me natyrën dhe njerëzit

259
Sigal

Jugu i Shqipërisë tërheq jo vetëm pushues të rinj por dhe moshat e treta sikundër është rasti i disa të moshuarve francezë, të cilët i gjetëm duke shijuar bregdetin e Dhërmiut. Ata tregohen të sinqertë teksa shprehen se kishin dëgjuar për Shqipërinë gjatë turit që po zhvillonin në Mal të Zi dhe sipas tyre ja vlejtën kilometrat e përshkuar.

“Dëgjuam për Shqipërinë kur ishim në Mal të Zi. Jemi të impresionuar me bukurinë malore dhe detin e vendit tuaj. Ky vend është i jashtëzakonshëm dhe ka njerëz shumë bujarë. Kombinimi “det-mal” dhe ushqimi me bollëk është tepër i veçantë. Nëse mosha do të na lejojë do të ktheheshim sërish në bregdetin tuaj.”, thotë njëri prej tyre.

Ky tur dhe kjo energji tek kjo grupmoshë, ndoshta është mesazhi më i bukur që mund të marrin pushuesit vendas, për të eksploruar dhe vizituar bregdetin tonë. Të paktën këta francezë treguan se mosha nuk është pengesë të eksplorosh.