Të krishterët kremtojnë lindjen e Krishtit, urime e lutje për paqe

942
Sigal

TIRANË – Sot besimtarët ortodoksë kremtojnë lindjen e Krishtit, në Katedralen Ortodokse me anë të meshës së shenjtë. Sipas kalendarit fetar Krishtlindja është festa më e rëndësishme, e cila kremton ardhjen në jetë të Jezu Krishtit.
 
Në Katedralen Ortodokse u zhvillua  mesha e madhe e shenjtë e drejtuar nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos, për të gjithë besimtarët ortodoksë, e cila u mbajt për gjatë 2 orë 30 minuta. 

Nëpërmjet himneve liturgjike, pjesëve të zgjedhura nga bibla i thurren lavde gjatë ditës së sotme lindjes së shpëtimtarit Jezu Krisht, i cili sipas shkrimeve fetare ka zbritur në tokë për të larë mëkatet e njerëzimit.
 
Pas meshës besimtarët morën bekimin e shenjtë me anë të ritit të Kungimit, i cili ka të bëjë me dhënien e gjakut dhe trupit të Jezu Krishtit në formën e bukës dhe verës së kuqe.

Një pjesë e meshës është mbajtur ashtu siçdo vit në gjuhën greke nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos për t’u përkthyer më pas në gjuhën shqipe.
 
Përveç meshës së shenjtë besimtarët ortodoksë kanë mundësi të vizitojnë në ambjentet e Katedrales Ortodokse, kishëzën e lindjes së Krishtit, e cila sjellë në vëmendje pikërisht pjesën e lindjes së Krishtit. Kjo hapësirë shërben edhe për pagëzimin e besimtarëve, rit i cili afron më tepër besimtarin me Kishën dhe Zotit, duke kujtuar pagëzimin e Krishtit në lumin Jordan.

Pas meshës së shenjtë besimtarët urojnë njëri-tjetrin në ambjentet e Kishës. Më pas zhvillohet dreka e festës së krishtlindjeve, si një rast mjaft i mirë për të qëndruar më afër me personat e dashur.
 
Mesha gjatë mesnatës në Katedralen Katolike të “Shën Palit”: Besimtarët presin lindjen e Krishtit

Në mesnatë është zhvilluar edhe mesha e Krishtlindjes në Katedralen Katolike të ‘Shën Palit’ në kryeqytet duke nisur në këtë mënyrë fillimin e ditës së 25 dhjetorit, dita më e shënuar në besimin e krishterë, lindja e birit të perëndisë, Jezu Krishtit. Ndërsa shërbesa për besimtarët ortodoksë nis në orën 06:00 të 25 Dhjetorit me “Mëngjesoren” kur do të zhvillohet edhe Mesha. 

Qindra besimtarë katolikë janë mbledhur në katedralen e ‘Shën Palit’ në kryeqytet për të kremtuar këtë moment të rëndësishëm në kalendarin kristian mes lutjeve, ndezjes së qiririt dhe faljes siç është dhe rituali i kësaj dite. 

Mesha drejtohej nga arkipeshkovi katolik Imzot Rrok Mirdita, i cili uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe dashuri dhe mirësi.

Krishtlindjet ose ndryshe “Kërshëndellat” apo “Kshnellat” festohet në mbarë botën, duke përcjellë gjithnjë mesazhet e shpresës, lindjes dhe shpëtimit që do të vinte nga biri i perëndisë.


Krishti lindi në një shpellë në Betlehem i rrethuar nga dele dhe kafshë të tjera dhe nga barinjtë e zonës  duke përmbushur kështu profecinë e shkruar për të shumë më përpara se të vinte në këtë botë si i vdekshëm për të larë mëkatet e njerëzimit.
 

Si lindi kjo festë?

Krishtlindja (edhe “Kërshëndellat” apo shkurt “Kshnellat” ndër besimtarët katolikë) është një festë fetare e krishterë. Të krishterët e festojnë çdo vit më 25 dhjetor ditëlindjen e Jezus Krishtit; në kishat e Lindjes festohet më 7 janar, për shkak të kalendarit Julian. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët.
 
Ditëlindja e Krishtit (24-25 dhjetori) është thjeshtë simbolike, dhe nuk është menduar të jetë data e vërtetë e lindjes se Tij. Rëndësia e ditës së Krishtlindjes nisi të rritet dalëngadalë pas kurorëzimit të Karlit të Madh në vitin 800, ditën e Krishtlindjes. Sot dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe Kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes.
 
Por përveç anës  spirituale dhe fetare festa e krishtlindjeve vjen në mbarë botën si një nga festat  më të bukura dhe më të pëlqyera nga të gjithë. Përgatitjet  për këtë festë nisin javë përpara se vigjilja e 25 dhjetorit të shënojë edhe kulmin e festimeve.  Dhurata, ushqime të shumëllojshme, e gjithë familja e mbledhur rreth tavolinës duke ndarë urime dhe mesazhet për vit më të mbarë e më të mirë.
 
Megjithatë bota katolike dhe ajo ortodokse duket se kanë disa ndryshime sa i përket riteve fetare. Besimtarët katolikë festojnë vigjiljen e krishtlindjeve gjatë mbrëmjes së datës 24 dhjetor ndërsa sa i përket besimtarëve ortodoksë ceremonia zhvillohet gjatë paradites së datës 25 dhjetor. 

Historia e Pemës së Krishlindjes
Pema e Krishtlindjes është një prani fikse në ditën e Krishtlindjes. Por cila është historia e saj? Si lindi tradita e zbukurimit të pemës së Krishtlindjes? Pastaj; cilët janë llojet e pemëve që përdoren, sa pemë shiten, cilët janë pemët më të larta, më të famshme, më të çuditshme në botë?

Duket se pema e parë e Krishtlindjes është përdorur në Letoni rreth vitit 1500. Por vetëm në vtitin 1841 princi Albert, bashkëshorti i Viktorias, futi në Angli zakonin e përdorimit të pemës së krishtlindjes si zbukurim.

Duke parë përdorimin e madh të këtij elementi dekorativ, ekzistojnë “ferma” të tëra, të cilat kultivojnë pemët e destinuara posacërisht për festën e Krishtlindjes. Kompania e parë e këtij lloji u krijuan në vitin 1901 në SHBA.

Por për çdo pemë të prerë, kultivohen mesatarisht tre të tjera. Pothuajse një milion pemë Krishtlindjesh hidhen në plehra çdo vit vetëm në Londër. As 10% nuk riciklohet.

Përdorimi i pemës së Krishtlindjes me dritat elektrike ishte një ide e Edward Johnson në vitin 1882, që ishte asistent i Thomas Edison.

Për sa i përket lartësisë, pema e Krishtlindjes më e lartë në botë është ajo e Vatikanit, në sheshin e Shën Pjetrit, me një gjatësi prej 30 metra.