Tatimet, bizneseve: Si të veproni për NIPT-et sekondare

1742
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka hartuar një material sqarues për bizneset në mënyrë që ata të jenë të qartësuar në lidhje me detyrimet ligjore që lindin para se aktiviteti të nisë. Kështu, në rast bizneset kërkojnë të zgjerojnë aktivitetin, duke e ushtruar edhe një vendndodhje fizike tjetër, mund të aplikohet pranë zyrave të QKB-së, për një NIPT sekondar. Ky NIPT është i njëjti, por ndryshon adresa e ushtrimit të aktivitetit, sqarojnë tatimet. Tek aktiviteti i ri, biznesi duhet të ketë të afishuar NIPT-in me adresën sekondare. Subjekti gjithashtu duhet të ketë një kasë fiskale dhe të gjitha deklarimet dhe detyrimet tatimore do të realizohen si një aktivitet i tërë. Çdo person fizik dhe juridik, regjistrimin për çdo ndryshim të të dhënave e bën pranë QKB-së.

Në rast se, tatimpaguesi ndryshon nga një kategori në tjetrën, duhet të njoftojë administratën tatimore përkatëse, brenda 15 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të ndryshimit. Në rast se një person ushtron veprimtari në fushën e shërbimeve, i pajisur me leje/licencë/autorizim profesional, por nuk e ka regjistruar veprimtarinë në QKR, përveç konfiskimit të materialeve, administrata tatimore u propozon strukturave kompetente pezullimin e lejes/ licencave/autorizimeve për ushtrim veprimtarie për një periudhë 6 mujore. Bizneset edhe për NIPT-in sekondar mund të bëjnë deklarimin online. Deklarimet online përfshijnë: vetëdeklarimin e tatimpaguesit 24 orë pas hapjes së NIPT-it; deklarimin e të punësuarve 24 orë para se të nisin punën; deklarimin dhe pagesën e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore të punonjësve para datës 20 të muajit pasardhës (e detyrueshme çdo tremujor për biznesin e vogël dhe çdo muaj për biznesin e vogël me TVSH dhe për biznesin e madh); deklarimin dhe pagesën e tatimit mbi burim për bizneset të cilat e ushtrojnë aktivitetin në mjedise me qira (e detyrueshme çdo muaj për të gjitha kategoritë e biznesit); deklarimin dhe pagesën e TVSH-së, libra blerje / libra shitjeje deri më datë 14 të muajit pasardhës.
Sigal