Tallja me reformën, dështimi që po shitet si sukses!

409
Sigal

Në Shqipëri mund të flasësh për çdo gjë, të kritikosh qeverinë, opozitën, presidentin, bile edhe vetë Amerikën, por nuk lejohet që të kritikosh reformën në drejtësi. Nëse dikush shpreh rezerva për mënyrën sesi janë bërë procedurat e vettingut, një lukuni mediash afër qeverisë të sulmojnë si të korruptuar. Nëse denoncon fakte që tregojnë se disa njerëz të vettingut janë zgjedhur me pëlqimin e Edi Ramës ose direkt nga zyra e tij, deputetë të PS do të etiketojnë si anti-amerikan dhe kundër integrimit në BE. Nëse denoncon me prova se X gjyqtar i komisioneve të Vettingut, prokurorët apo njerëzit që po marrin në dorë frenat e drejtësisë kanë probleme serioze ligjore, rrezikon të përballesh me sulm nga qeveria, mediat afër saj ose nga ndonjë diplomat. Kjo histori vijon që nga viti 2016 dhe të vësh në dukje problemet serioze të reformës cilësohet si krim kombëtar. Ka 4 vjet që s’kemi gjykata, pushtetet janë në dorë të një njeriu dhe drejtësia nuk ekziston. Krimet kushtetuese, korrupsioni dhe abuzimet nuk po regjistrohen si procedime në gjykata dhe institucionet e famshme të drejtësi , por edhe kur janë ngritur si padi penale nuk kanë sjellë asnjë zhvillim ndryshe nga drejtësia e korruptuar që kishim më parë.
Kur flitet për reformën në drejtësi duhet vetëm të themi se po bëhet shumë mirë, se shqiptarët do kënaqen nga rezultatet e saj, etj. E vetmja fjalë që njerëzit e drejtësisë apo ndërkombëtarët që e mbështesin atë dhe sidomos qeveria, duan të dëgjojnë se “Reforma është suksesi më i madh i Shqipërisë”. Sukses quhet edhe kur kryeministri dhe diplomatë kapen duke bërë pazare për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Quhet sukses edhe kur flakën në rrugë gjyqtarë që kanë dhënë dënime ndaj bandave kriminale apo që mbahen në sistem ata që kanë dhëne vendime pro rilindjes. Sukses quhet edhe kur krimet kryhen në mes të ditësh dhe askush nuk i heton sepse s’ka drejtësi. Madje, quhet sukses edhe më i jashtëzakonshëm kur del se ata që bëjnë vetingun janë falsifikues, juristë me probleme ligjore dhe njerëz të shkarkuar për paaftësi.
Rasti i Luan Dacit, anëtarit të Kolegjit të Apelimit që rezultoi sipas SPAK, se ka fshehur të kaluarën e tij, ka vënë në lëvizje Operacionin Ndërkombëtarë të Monitorimit në Tiranë dhe vet shefen e misionit Genoveva Ruiz Calavera. Luan Daci nuk është thjeshtë një emër juristi, por që nëse shpallet fajtor nga gjykata rrëzon punën e ONM dhe gjithë propagandën bajate të reformës. Çështja ndaj tij është njëlloj sikur rojtari të kapet duke vjedhur dhe dënimi i Dacit ngarkon me përgjegjësi morale dhe ligjore një sërë njerëzish që këto vite kanë thënë pallavra për reformën historike. Ndërkombëtarët që paguhen në shuma të majme për të justifikuar reformën e kanë ndjerë rrezikun e këtij skandali dhe këto ditë janë hedhur në sulm. ONM në Tiranë bën rolin e atij që s’ka lidhje me zhvillimet në Shqipëri dhe dje thoshte se merret vetëm me punën e Luan Dacit kur u bë anëtar i Vettingut dhe jo për karrierën vite më parë. Po kur u zgjodh Luan Daci, çfarë ishte duke bërë ONM? Po flinte gjumë apo rrinte poshtë dritares së kryeministrit në pritje të ndonjë dhurate!
Genoveva Ruiz Calavera, shefja e ONM është ulur sot dhe ka shkuar një letër të hapur ku duket se hallin kryesor e ka te rasti “Daci”. Sipas saj, nisja e hetimit penal ndaj tij tregon se drejtësia e re po funksion. Po ashtu, Calavrera shprehet se çështjet që kanë të bëjnë me ankesat duhet të trajtohen nga gjykatat. Dikush duhet tu thotë ndërkombëtarëve se rasti i Dacit ka 3 vjet që është denoncuar, por nuk u hetua sepse falë mënyrës sesi ONM bëri reformën Shqipëria nuk kishte gjykata. Paraqitja e rastit të Luan Dacit si një tjetër sukses, sepse drejtësia po funksion më në fund është si të fshihesh pas gishtit. Juristi Daci ka marrë pjesë në 82 procese vettingu dhe të gjykosh prokurorët dhe gjyqtarët me një njeri që ka probleme ligjore, juridikisht ke hedhur në erë gjithë procesin. Duke i shtuar rastit “Daci” probleme të tjera të rënda të reformës, siç ishin dhe mesazhet-pazar të një diplomati, i bie që në 4 vite të gjithë dashnorët e reformës janë tallur me ligjet dhe me shqiptarët.
Realisht disa ndërkombëtarë po na shikojnë si një shtet që qeverisemi nga një bord ambasadorësh ndërkohë që jemi shtet i pavarur prej 108 vitesh.
Drejtësinë të gjithë e duam, por jo si kjo kur në vend të gjyqtarëve të Plepave të Saliut të vitit 1996 na kanë mbirë gjyqtarët dhe prokurorët e Rilindjes.
E kuptojmë hallin e ambasadorëve se duan të justifikojnë paratë e taksapaguesve të tyre që kanë dhënë për Reformën në Drejtësi, por mbi të gjitha duhet të ndërgjegjsohemi, ne vetë shqiptarët dhe të marrim fatin tonë në dorë e jo sipas humorit të ndonjë ambasadori të shikojmë të ardhmen tonë.