‘Talking Drugs’: Roli në rritje i Shqipërisë në shpërndarjen e kokainës në glob

579
Sigal

Shkrimi më poshtë është publikuar në portalin ‘Talking Drugs’, i njohur për ekspertizën ndaj drogërave dhe trafikimit të tyre. Talking Drugs menaxhohet nga ‘Release’, qendra e ekspertizës në Mbretërinë e Bashkuar për drogat, ligjin dhe të drejtat e njeriut. 

Kokaina hyn në Europë  përmes rrugëve dhe mjeteve të shumta, por rritja e trafikimit në vëllim të madh duke përdorur kontejnerë të anijeve detare, qëndron si një sfida kryesore për zbatimin e ligjit.

Kokaina është droga stimuluese e paligjshme më e popullarizuar në Europë: çdo vit ky kontinent konsumon rreth 91 ton kokainë. Qendra Evropiane e Monitorimit për Lëndët dhe Droga (EMCDDA) vlerëson se ekonomia e paligjshme e kokainës është në një vlerë prej 5.7 miliardë eurosh. Dhe sipas Raportit Europian të Drogave të Europës 2019, botuar në qershor, kokaina është bërë edhe më e disponueshme.

Si numri i konfiskimeve ashtu edhe sasitë e kokainës së sekuestruar ishin në nivele rekord në vitin 2018, duke rezultuar që kokaina të ishte droga e paligjshme e sekuestruar në Europë pas kanabisit. Mbi 104 000 konfiskime të kokainës u raportuan në BE në 2017 (98 000 në 2016), duke arritur në 140.4 ton, rreth dyfishin e sasisë së konfiskuar në 2016 (70.9 ton). Edhe pse çmimi me pakicë i kokainës ka mbetur i qëndrueshëm.

Rreth 2.6 milion të rritur (15–34 vjeç) kanë përdorur kokainë në vitin e fundit (vlerësimi i vitit 2017). Një studim i fundit i mbetjeve të drogërave në ujërat e zeza komunale zbuloi se, midis 2017 dhe 2018, pati rritje të metabolitëve të kokainës në 22 nga 38 qytetet me të dhëna për këtë periudhë, duke konfirmuar trendin rritës, të raportuar edhe në vitin 2017. Në 2018, mbetjet më të larta të standardizuara për 1 000 njerëz në ditë u regjistruan në qytete në Belgjikë, Spanjë, Hollandë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Si transportohet kokaina në Europë?

Pjesa më e madhe e kokainës dërgohet në Europë nga Amerika e Jugut – nga vendet që prodhojnë kokainë si Kolumbia, Peruja dhe Bolivia, përmes porteve detare të Brazilit, Ekuadorit dhe Venezuelës. Ekzistojnë dy rajone kryesore të tranzitit për trafikimin e kokainës në Europë: Karaibe, ku Republika Dominikane dhe Xhamajka luajnë një rol të qendrave kryesore të trafikut; dhe Afrika Perëndimore, përfshirë Kepin Verde, Madeira dhe ishujt Kanarie. Nga Afrika Perëndimore, kokaina po transportohet në Europë përmes ajrit, detit dhe tokës. Ndërsa transportohen kokainë nëpër vendet e Afrikës Veriore, përdoren të njëjtat kanale të krijuara për trafikun e hashit.

Kokaina zakonisht hyn në Europë përmes Spanjës dhe Portugalisë në Jug dhe përmes porteve të Belgjikës dhe Hollandës në Veri dhe shpërndahet më tej në të gjithë tregun europian të drogërave. Ekspertët vlerësojnë se në vitin 2014 vende të tilla si Spanja, Belgjika, Hollanda, Franca dhe Italia konsumuan katër të pestat e të gjithë sasisë së kokainës europiane.

Konfiskimet e sasive të mëdha të kokainës tregojnë një tjetër rajon të rëndësishëm të hyrjes për kokainë, Europën Jug-Lindore, ku e ashtuquajtura “kartel i Ballkanit” dërgon kokainë në Europë së bashku me heroinën. Në rajonin e Ballkanit, Shqipëria është një vend i shquar në trafikun e drogës drejt Europës. The Independent e quajti atë “Kolumbia e Europës” pasi bandat shqiptare konsiderohen një nga trafikueset më të suksesshme të substancave të kontrolluara, veçanërisht heroinës, kokainës dhe kanabisit.

Përfaqësuesit e agjencive të zbatimit të ligjit të SHBA dhe Europë pretendojnë se Shqipëria është një nga prodhuesit kryesorë të kanabisit dhe pika kryesore e tranzicionit të kokainës dhe heroinës të dërguar në Europë. Bazuar në çmimin e drogërave të sekuestruara, ekspertët vlerësojnë të ardhurat nga trafiku i drogës vetëm nga kanabisi të tejkalojnë 4 miliardë dollarë në vit, që përbën gjysmën e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Rrugët e mëdha të trafikut të drogës shtrihen në të gjithë Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, si dhe përmes porteve kryesore të Durrësit dhe Vlorës. Këtu, kokaina zakonisht futet në kuti, me banane dhe vaj palme, nga anijet nga vendet e Amerikës Latine. Në shkurt 2018 autoritetet shqiptare kapën 613 kg kokainë të shpërndara në kuti bananeje.

Në Europën Veriore kokaina hyn edhe nëpër Rusi, kryesisht porti i Shën Petersburgut. Këtu transportohet nga Amerika Latine. Në qershor të vitit 2019 policia ruse kapi 400 kg kokainë në port në një anije nga Ekuadori. Porti i Shën Peterburgut ka qenë një pikë tranziti për kontrabandën e drogës nga Amerika e Jugut në Europë për shumë vite, raporton “Novye Izvestiya”.

Njerëzit gjithmonë i ndryshojnë metodat e trafikimit dhe kanalet e shpërndarjes, i tha “Vice” doktor Aksel Klein, ekspert i programit të rrugës së kokainës. (përktheu lapsi.al) “Ne po shohim një rritje të dërgesave në vendet e Ballkanit, për shembull në portin grek të Pireut, ku kontrabandistët po përfitojnë nga shpërbërja e zbatimit të ligjit; gjithashtu në Turqi, Mal të Zi dhe Shqipëri”.

Një diversifikim i tillë është i mundur për shkak të ndikimit të dobësimit të karteleve kolumbiane. Kontrabanduesit europianë tani thjesht mund të blejnë drogë direkt në Kolumbi dhe t’i dërgojnë ato në Europë. Dr. Klein flet për fenomenin e fundit të prodhimit në masë të kokainës në laboratorët lokalë në vetë Europën. Këto laboratorë janë shpërndarë në Spanjë, Portugali dhe Poloni. Kimistë vendas nxjerrin kokainë nga mallra të pafajshëm, siç janë paletat prej druri ose shishet e alkoolit që mbajnë gjurmë të drogës.