Tahiri kërkon t’u presë qumështin të porsalindurve

527
Sigal

Skandali, qeveria do të heqë 5 mijë lekëshin e bebeve për të “mbushur” rezervat e shtetit

Qeveria “Rama”, e gjendur në kushtet e një krize financiare dhe një borxhi akorduar nga FMN, ka menduar se heqja e fondit prej 5 mijë lekësh për fëmijët e sapolindur është zgjidhja e duhur për të dalë nga kriza. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, i cili deklaroi se, fondi prej 5 mijë lekësh të reja që jepet për fëmijët e sapolindur nuk duhet të ekzistojë më. Në fakt, Ligji Nr.9929, datë 9.6.2008 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 8950 dt.10.10.2002” “Për Gjendjet Civile” e ndryshuar, “Neni 34/1  “Regjistrimi i lindjes” është ndër ato ligje që nuk ka funksionuar kurrë dhe i paktë duhet të jetë numri i nënave të reja që e kanë përfituar këtë beneficë. Por, për çudi, ministri Tahiri shprehet se, po diskutohet për heqjen e këtij fondi, sepse qysh nga viti 2008, borxhi në Ministrinë e Brendshme për këtë fond ka shkuar në 5.5 milionë euro. Nëse këto para nuk kanë shkuar në vendin e duhur, ministri Tahiri duhet të hetojë se ku kanë shkuar dhe kë kanë bërë milioner këto fonde dhe jo të kërkojë shfuqizimin e Nenit 34/1 të Ligjit “Për Gjendjet Civile” duke penalizuar fëmijët e sapolindur, apo qytetarët më të rinj të vendit. Mesa duket, Tahiri nuk e kupton qartë misionin e këtij ligji dhe për më tepër që shpesh herë reklamon marrëdhënien e tij me djalin e vogël, që meqë ra fjala është shumë i ëmbël, ashtu si çdo fëmijë i vogël që nuk i kupton ende “tahirat” e këtij vendi. Z. Tahiri, shteti i detyrohet shtetasve më të rinj të tij, të sapolindurve një pako bebelina dhe një poç qumësht, se, aq mund të marrësh me këtë fond të përcaktuar me ligj, por që gjithsesi i bën familjet dhe shtetin shqiptar të bëhen njësh dhe të hedhin hapin e parë në mbarëvajtjen e rritjes së një fëmije sot, për të patur një shtetas të devotshëm nesër. Të gjithë reklamojmë kombin, të ardhmen, por ju z. Tahiri po i mohoni qumështin ardhmërisë suaj, kombit tuaj. Sipas INSTAT, lindjet për vitin 2012 kanë qenë 35 295 gjithsej, ndërsa fondi në respektim të ligjit duhej të ishte vetëm 176. 475.000 lekë. Ky fond vjetor do ju nxjerrë nga kriza ju z. Tahiri? Kur keni kaq dëshirë për të kursyer, pse nuk filloni të hiqni nga paga juaj, e shpurës dhe e administratës suaj një 5 mijë lekësh? Kjo është më e drejtë, z.Ministër! Hiqni dietat, fluturimet, shpërblimet, rrogat e majme dhe do shihni se do kurseni më shumë. Mos harroni zonat rurale, z. Tahiri, që për hir të së vërtetës, bëjnë një jetë mjerane. Si mund t’i mohosh të porsalindurve të këtyre zonave, ndoshta me të dy prindërit e papunë, qumështin? A e dini ju z. Tahiri se bota sot vuan plakjen e saj? A e dini se shumë shtete bëjnë politika adeguate për të rritur numrin e lindjeve në shtetet e tyre? Ne krenohemi me moshën e vendit tonë, që është një moshë relativisht e re. A mos jeni ju, z.Tahiri i dëshirës për plakjen e vendit tonë? Ndoshta duhet të mendoni pak më shumë për nënat e reja, të cilat përballen edhe me një mungesë të theksuar të shërbimeve shëndetësore në momentin më jetik të tyre. Mos ua hiq qumështin e fëmijëve këtyre nënave, z. Tahiri! Gjendja e rezervave të shtetit, vërtetë është e mjerueshme (e marr si të mirëqenë), por mos u mundoni ta mbushni me mjerimin e shtetasve tuaj.

Dr. Islam Cani: Nuk zbatohet ligji për shpërblimin e nënave pas ligjit!

 Këto vitet e fundit në Shoqatën e Konsumatorit ka një numër ankesash të konsiderueshme nga prindërit, lidhur me përfitimin prej 5 mijë lekësh, që gëzojnë nënat pas lindjes. “Janë një numër i madh nënash që nga institucionet përkatëse, kur bëjnë regjistrimin e fëmijëve, nuk marrin sasinë e përcaktuar me ligj të shpërblimit të lindjes së fëmijës. Edhe pse prindërit e tyre janë paraqitur pranë zyrave të këtyre bashkive dhe komunave me dokumente të rregullta për të tërhequr shpërblimin prej 5mijë lekësh, janë ndeshur me mungesë të shërbimit dhe të shpërblimit që u takon me ligj”, shprehet për “Telegraf”, Dr. Islam Cani, Kryetar i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar. Dr. Cani thotë se, “për të përfituar shpërblimin e fëmijës së porsalindur, prindërit kanë paraqitur disa dokumente si: certifikata e lindjes dhe e regjistrimit, e marrë nga materniteti, si dhe certifikata e regjistrimit në trungun familjar, apo dhe kopjen e pasaportës dhe dokumente të tjera. Ndonëse qytetarët kanë qenë korrekt në zbatim të kërkesave për regjistrimin e fëmijëve pranë institucione përkatëse si dhe në plotësimin e dokumenteve, punonjësit e gjendjes civile, kur këto nëna u janë drejtuar për të marrë shpërblimin, u janë përgjigjur me heshtje”. Sipas dr. Canit kështu ndodh në disa njësi vendore në Tiranë, si njësitë administrative nr, 10, 9, 4 dhe njësia nr. 6 në Kombinat. “Prindërit thonë se në sportelet ku kërkojnë shpërblimin, u përgjigjen që nuk kanë para, por se do i njoftojnë. Pas 4-6 muajsh shpallin listën, por askush nuk i njofton, pasi shumë prindër ndodhen jashtë shtetit apo gjetkë. Kështu vazhdon rituali i justifikimeve, derisa me paturpësinë më të madhe të thonë që është djegur fondi!”, shprehet dr. Cani, ndërsa citon ligjin.

Ligji për përfitimin e 5 mijë lekëshit nga të porsalindurit

 LIGJI Nr.9929, datë 9.6.2008, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 8950 dt.10.10.2002”  “Për Gjendjet Civile” e ndryshuar, “Neni 34/1 “Regjistrimi i lindjes”:

1. Regjistrimi i lindjes së fëmijës bëhet në zyrën e gjendjes civile të vendbanimit të prindërve.

3. Për fëmijën e lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga shtetas shqiptarë, me banim të përhershëm në Shqipëri, regjistrimi i   lindjes   së   fëmijës   bëhet   në   përfaqësitë   diplomatike   ose konsullore shqiptare në vendin ku ka lindur. Kur kjo është e pamundur, regjistrimi bëhet edhe në shërbimin e gjendjes civile të atij vendi.

4. Kur regjistrimi i lindjeve deklarohet brenda 60 ditëve, për lindjen brenda vendit dhe 90 ditëve, për lindjen jashtë vendit, nëna përfiton shpërblim në masën 5 000 (pesë mijë) lekë.

5. Për të gjitha lindjet e padeklaruara deri tani dhe që kanë kaluar afatin, nëna do të përfitojë shpërblim në masën 5 000 (pesë mijë) lekë, nëse bën deklarimin brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

6. Fondi për shpërblim për pikat 4 dhe 5 të këtij neni përballohet nga Buxheti i Shtetit dhe tërhiqet pranë njësive të qeverisjes vendore përkatëse.