Thonë se dashuria e parë nuk harrohet. Dhe mirë e kanë.
Sepse ajo ka diçka që të ndjek gjithë jetën, të formon shijen, syrin, shpirtin.
Për mua, një nga këto dashuri të para ka qenë libri. Dhe brenda tij, shumë herët, qysh në fillim të viteve ’70, nxënës i një shkolle tetëvjeçare, kam “njohur” një emër që do të mbetej gjatë: Zija Çela. Sot, pas kaq vitesh, më është dhënë privilegji ta takoj nga afër. Dhe kur them privilegji, nuk e kam fjalën vetëm për shkrimtarin e madh, por edhe për Njeriun e Madh.
Takimi me Zija Çelën ishte nga ato çaste që koha përjetojet ndryshe. Pandeh se kanë kaluar dhjetë minuta, ndërsa ka kaluar një orë e plotë. Sepse kur je përballë një njeriu të tillë, fjala rrjedh, mendimi hapet dhe koha sikur dorëzohet. Zija Çela është një nga majat e padiskutueshme të letërsisë shqipe bashkëkohore. Këtë e dimë të gjithë. Por çfarë më la mbresën më të thellë, ishte fakti se Zija Çela njeri qëndron në të njëjtën lartësi me Zija Çelën shkrimtar. Personaliteti i tij ka atë që do ta quaja “pasaporta e të përsosurës”: fisnikëri pa pozë, modesti pa sforcim, kulturë pa arrogancën e qëllimit në vetëvete. Mjafton të thuash emrin e tij dhe nënkupton bukurinë në shkallë sipërore të fjalës, por edhe etalonin e mirësisë njerëzore.

Më ka bërë gjithmonë përshtypje një gjë: durimi dhe respekti me të cilin ai u përgjigjet, një për një komenteve të lexuesve në rrjetet sociale. Kjo nuk është thjesht korrektesë, kjo është edukatë e lartë morale, është nderim për tjetrin, është kulturë qytetare në formën e saj më të pastër.
Zija Çela të bën “me krahë”. Të bën të ndihesh i barabartë me të, edhe pse ke përballë një figurë të shquar, një shkrimtar modern e klasik njëherësh të letërsisë kombëtare, “një legjendë të gjallë”, siç shprehen disa.. I lindur më 25 mars 1946 në Shkodër, fëmija i shtatë i një familjeje të thjeshtë, me një fëmijëri të vështirë të shënuar nga humbja e të atit në moshë fare të vogël, ai e ndërtoi veten me punë, talent dhe këmbëngulje. U diplomua për letërsi në Universitetin e Tiranës, punoi në zonat malore dhe në qytetin e Kukësit (1968 – 1977) dhe më pas u bë një nga figurat kyçe të jetës letrare shqiptare: redaktor i prozës në revistën letrare “Nëntori”, kryeredaktor i “Dritës”, i “Albania e vogël”, , drejtues i shtëpisë botuese “Letrat”, eseist e publicist me spikamë. Letërsia e tij është e gjerë dhe e thellë, romane, novela, tregime, artikuj dhe ese letrare, një pjesë e të cilave u përmblodhën në vëllimin “Koka mbi katror”, botuar së fundmi nga Pnufri. Triptiku i romaneve “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve” përbën një nga kulmet e prozës sonë moderne. Ndërsa “Mali i tejdukshëm”, që karakterizohet nga një realizëm i ashpër, mbetet veç të tjerave një rebelim i guximshëm kundër skemave të realizmit socialist. Një kapitull më vete në jetën dhe veprën e tij është dhimbja e madhe njerëzore: humbja e të birit, Dritanit. Nga kjo plagë lindi libri “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, një elegji në prozë që kritika e ka cilësuar ndër më të mirat e këtij zhanri edhe në letërsinë europiane. Një libër ku dhimbja nuk bërtet, por flet me dinjitet.
Në vitin 2016, Presidenti i Republikës e nderoi me Urdhrin “Nderi i Kombit”, duke vlerësuar jo vetëm shkrimtarin, por gjithë figurën poliedrike të tij. Çmimet letrare që ka marrë ndër vite janë të shumta, por vetë Zija Çela mbetet skeptik ndaj tyre, duke besuar se koha është gjykatësi më i drejtë. Takimi ynë u mbyll ashtu siç hapen miqësitë e vërteta: pa zhurmë, por me premtimin për t’u takuar sërish. Dhe, si kujtim, mbeti fotografia treshe: unë, Zija Çela dhe “Portrete të njerëzve të mirë”. Sepse në fund të fundit, ky libër më ka dhënë dhuratën më të bukur:
të takoj njerëz të mirë. Dhe Zija Çela është një nga më të mëdhenjtë mes tyre.



















