Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Shqiptarët, virtyte ndaj të huajve, vese ndaj njëri – tjetrit

(Rreth romanit “Shpëtimi i Ajnshtajnit” të Alket Aliut)

Romani i Alket Aliut me titullin intrigues “Shpëtimi i Ajnshtajnit”, nuk bën fjalë për nobelistin e famshëm, për të cilin vetë ai shpreh mendimin se ardhja e këtij gjeniu në Shqipëri, mbetet e pa vërtetuar, por për nipin e tij Davidin dhe përpjekjet aspak të lehta, deri në vetsakrifikim të shqiptarëve, për të mos e lënë që hebreu të bjerë në dorën e pushtuesve të pamëshirshëm. Madje ai, nëpërmjet fatit të këtij personazhi, ka treguar qëndrimin e njerëzve të thjeshtë si dhe të atyre që në ato kohë tepër të vështira dhe me shumë rreziqe, drejtonin vendin tonë, ndaj qindra e qindra hebrenjve, që për të shpëtuar nga përndjekja e nazistëve, erdhën dhe gjetën strehim te ne. Në këtë roman është vështirë të ndash artistiken nga historikja, por ky autor që ka kryer studimet si në fakultetin e Gjuhë – Letërsisë, ashtu edhe të Jurisprudencës, dhe me botime e tij të mëparshme studimore, ka fituar titullin doktor i shkencave, pa folur për përvojën e gjatë si gazetar, duket se është njeriu i duhur për t`i lidhur aq bukur ato që realisht kanë ngjarë, me përshkrimin artistik të tyre. E vërteta është që me shpifjet dhe të pavërtetat që mbart, periudha e pushtimit italian dhe ajo që pasoi kur u pushtuam nga gjermanët, deri në çlirim, ka qenë e mbuluar me një lloj errësire, enigmash e misteresh të pafund që mësë shumti krijuan mendimin e tradhtarëve, bashkëpunëtorëve që u thoshin kolaboracionistë, të idealistëve puritanë e deri kriminelëve mizorë që sollën luftën civile, pra vrasjet mes vëllezërve të një gjaku. Në gjithë këtë kaos opinionesh, kuptohet që mendimet përplaseshin, dhe mirëkuptimi po e humbiste kuptimin. Në ato vite, siç ngjet rëndom, njerëzit i kishin të theksuara kundërshtitë e paqartësitë edhe brenda vetes, e jo më kur vinte puna te qëndrimet e forcave politike. Të gjithë e donin atdheun, por ndërsa njëra palë i nënshtrohej ideologjikisht, pa menduar pasojat, influencës së emisarëve jugosllavë, pala tjetër që e urrente komunizmin dhe mbështeste bashkimin kombëtar që pushtuesit realizuan, shfaqte mospajtime. Këto mospajtime çuan në ballafaqime deri me armë mes tyre, por virtytet e shqiptarëve nuk i cënuan. Se fjala vjen, bujaria dhe besa ndaj mikut mbeti ashtu siç e kishin trashëguar. Për shqiptarin ishte krenari ta ndihmoje atë, qoftë edhe duke sakrifikuar nga vetja. Kjo është llogjika që të çon te përfundimi se jo vetëm populli, por edhe qeveritarët ishin në përkrahje të hebrenjve, duke i fshehur apo pajisur me dokumentet e duhura ata. Nuk ka asnjë rast që të huajt, t`i kenë dorëzuar tek italianët apo gjermanët që i kërkonin ngado për t`i internuar apo pushkatuar edhe pse e dinin se kjo mund t`u kushtonte jetën e tyre. Madje, duke përfituar nga trajtimi që gjermanët, si përjashtim, e linin qeverinë shqiptare të drejtonte vetë, kishte kryeministra e ministra që kishin “dojçe kultur”, që i thoshin, Nojbaherit të plotfuqishëm, si në këtë roman që: Mos ndërhyni në punët tona. Nga ana e tij, ai e dinte se vetë Fyhreri i kishte quajtur shqiptarët “romantikët e fundit të Europës”. Por që këta “romantikë” kishin një të metë të trashëguar qysh nga Perandoria Osmane, ku qarkullonte një shprehje kuptimplotë: “Nëse kërkon të rregullosh punët në një cep të Perandorisë, dërgo një arnaut. Por, mos dërgo dy”. Kjo ishte situata, kur përgjatë një rrugëtimi të vështirë, duke kaluar përmes maleve, djaloshi David, mbërrin në Tiranë, në shtëpinë e shokut të tij të  shkollës në Vjenë, ku ai studionte për filozofi. Por edhe brenda familjes së tij, ai pa një baba, ish ministër dhe njeri me influencë që vishte dhe kapardisej me uniformë gjermane dhe djalin e tij që i urrente ata. Ashtu sikurse shihte bashkëjetesën apo harmoninë midis kushërinjve me fe të ndryshme, gjë që nuk pengonte as dashuritë e të rinjve. Nopran në dukje, babai i Kristit, Andon Mërtiri, ishte mjaft korrekt me Davidin, i cili kërkonte ta deportonin deri në Itali, prej nga do të përfundonte në Amerikë, dhe iu gjend atij jo vetëm duke e strehuar e ushqyer, por edhe duke ia thyer paratë e shumta që kishte me vete në flori, duke qenë se ishte dhe nëndrejtor banke, pa i mbajtur asnjë kacidhe. Alket Aliu, duke u marrë me karakteret, gjithmonë përshkruan mjedisin ku ata jetojnë e punojnë. Tiranën e asaj kohe, si dhe Durrësin ku shkonin shpesh, Alketi na i jep të gjalla, me prapambetjen e tyre gati anadollake, me futjen e elementëve të jetës moderne, me mentalitetet dhe sjelljet e prapambetura, por dhe me idetë e reja që po lindnin, dhe sidomos me dëshirën për liri e jetë më të mirë. Edhe sikur të kishte qenë bashkëkohës, nuk ka sesi të përshkruhen më bindshëm njerëzit e ndryshëm, qeveritarët që e ndienin si mision në ato kondita, t`i dilnin popullit për zot, rininë e revoltuar që e quante detyrë të rrokte armët, apo të tjerëve që mendonin se duhet të presim akoma, pasi duhet ta ruajmë si popullin, ashtu edhe pasurinë tonë. Rrugicat, shtëpitë, oborret, lulet e deri gatimet e atyre ijeve të ndershme e punëtore, të duket se i ke parë dhe njohur me kohë. Davidi ndihej mirë dhe i sigurtë në këtë mjedis, por, ai kishte për qëllim të largohej. Shoku i tij i premton se do ta shoqërojë gjersa ai të hipte në anije, andej nga Vlora, ku i kishin thënë se do ta ndihmonte dikush. Mirëpo, del një e papritur mjaft e hidhur: Njësiti gueril, vendos ta eliminojë babanë e tij, si filogjerman. Dhe këtë e bën Nasi, komshiu i tyre i cili pas kësaj del partizan. Pikërisht këtë ditë, për të mos e rrezikuar Davidin, Kristi pa varrosur të atin e tij, merr kushëririn e parë Lomin dhe nisen në aventurën e çuarjes së tij në destinacion. Është një rrugëtim plot peripeci e të papritura, ku rasti e sjell të takojnë deri komandantin e Brigadës së Parë, Mehmet Shehun që i kishte mbetur në mendje qysh nga lufta e Spanjës, parrulla; “Viva la muerte! Viva la vida!”. Ka disa dalje të tij në skenë dhe autori i librit e portretizon atë, pra kryeministrin e ardhshëm, me të dyja anët e  karakterit të tij të çuditshëm: trim, organizator, vizionar që vret për idealet e partisë pa mëshirë, por edhe komandant të shquar dhe njerëzor, kur është në orë të mira, sikurse qe ndërsa takoi tre djemtë që po shkonin drejt Vlorës. Dhe për më tepër, i ndihmon ata në atë rrugëtim në zona të vështira e të panjohura. Në ato zona, ku edhe bijen nën goditjet e gjermanëve, ku fatkeqësisht mbeti i vrarë Lomi. Para se ai të vritej dhe vetë Kristi të plagosej, djemtë sa në shpellë e sa në pyje, kanë kohë të diskutojnë. Kjo ndofta është edhe nga pjesët më interesante të librit, pasi ata me tre fe të ndryshme, i japin vlerë gati filozofike bisedës, siç është ajo e besimit te Zoti. Gjatë gjithë librit dallon erudicioni dhe kultura e Alketit, por ky mendoj se është kapitulli që nuk të hiqet nga mendja dhe që ja vlen të merrem pak më gjatë për kuriozitetin e lexuesve të këtij shkrimi. Debati nisi nga thënia e Lomit se: – Allahu është i madh. Na shpëtoi! Dhe Kristi ia pret: – Çfarë hyn Zoti këtu… Duhet të falenderojmë Petritin që na gjeti këtë strehë. Dhe Lomi, që pas pak do të vritej, se si duket e harroi Zoti, i thotë: – Ti je ateist, nuk e bën dot lidhjen e gjërave. Edhe Petritin, Allahu e ndriçoi dhe e solli në rrugën tonë. Pak a shumë, kështu mendon edhe Davidi, i cili nga ana e tij shprehet se: – Fatet tona i vendos Zoti. Pastaj, Kristi arsyeton: – Po mirë, pse Zoti, nëse është kaq i drejtë dhe i mëshirshëm, nuk ndalon vuajtjet? Pse nuk shpëton ata qindra mijëra që po vdesin në kampet naziste? Merret vesh që Kristi, pak a shumë arsyeton si filozofi i njëzetetre shekujve më parë, Epikuri që thosh: “Ja Zoti do ta ndalojë të keqen e nuk e ka në dorë, ja e ka në dorë e nuk do, ja nuk do dhe nuk e ka në dorë, ja do dhe e ka në dorë. Në do dhe nuk e ka në dorë është i pafuqishëm, në e ka në dorë e nuk do, është i lig, në se e ka në dorë e nuk do, është edhe i pafuqishëm edhe i lig, në do dhe e ka në dorë, përse nuk e ndalon, o ati im?” Më tej duket se Kristi ka shumë të drejtë kur pyet: – pse kemi kaq shumë besime fetare dhe të ndryshme nga njëri – tjetri që shpjegojnë të njëjtat ngjarje ndryshe… Dhe kur biseda vijon, me thënien se Allahu na ka dhënë arsyetimin, Kristi bën deduksionin llogjik: – Atëherë përse të mos e përdorim për të kuptuar vetë Zotin? Nëse e përdor arsyen që më është dhënë, a është gabim të dyshoj e kërkoj përgjigje? Në vijim, pasi Kristi (kupto, autori), tallet me nismën e pastorit pitsburgas Charles Rosellit (1828 – 1901), që u zgjua nga gjumi dhe deklaroi se unë jam i zgjedhuri i Zotit dhe krijoi me ndjekësit e tij besimin “Dëshmitarët e Jehovait”, për të cilën Davidi që te fjala “Zot” shihte shpresën e mbijetesën, iu përgjigj se janë shtrembërime njerëzore, ai ia theu: – Nuk janë thjesht shtrembërime njerëzore, por edhe biblike. Duhet të besoj vërtetë se ne jemi krijuar nga dy njerëz lakuriq që hëngrën një mollë sepse i mashtroi një gjarpër që fliste? Tepër i kultivuar si intelektual, paraqitet në roman Kristi, që pas debatit mes raporteve të fesë me shkencën, i jep karar: – Çdo njeri apo çdo popull që ka nevojë për një mbret dhe një Zot, nuk mund të jetë kurrë i lirë në shpirt. Dhe si lëshoi një psherëtim e mbylli: – Skllavëria e vërtetë nuk është zinxhiri që na lidh këmbët e duart, por pëlhura e mykur që mbështjell mendjen deri sa të harrosh se je gjallë. Kur nuk pyet më, nuk jeton më! Por ja, që pasi e nisi për Itali Davidin me kapedan Vasilin, gjë për të cilën ai mendoi se “Për herë të parë në jetën e tij, kishte ndierë se kishte një mision dhe ai kishte mbaruar me sukses”, Kristi Mërtiri, pa pritur e pa kujtuar, ndërsa Shqipëria ishte çliruar, e gjen veten të prangosur me shprehjen arrogante: “Në emër të popullit…”. Ishte në oborrin e vilës së tij, dhe duke mos ditur se çfarë të keqe kishte bërë, pa edhe një herë andej nga shilarësi dhe kujtoj fëmijërinë. Pastaj i hodhi një vështrim ullirit që  kishte mbetur “si një rojtar plak i një bote të harruar. Çdo gjethe e gjelbër i ngjante një fjalie të pashkruar. Ndërsa bari poshtë këmbëve, ishte i ri. Pa të shkuar”. Dhe fatkeqësisht, bari nuk kishte sesi ta dinte se sa e trishtë do të ishte për të e ardhmja. Libri ka brenda tij mjaft skena idilike dhe fate njerëzish të njohur, por ato le t`ia lëmë lexuesit t` shijojë vetë. Ajo që desha të them në mbyllje të këtij shkrimi është se shkrimtari Alket Aliu ia ka dalë me sukses të plotë të na japë një roman, që si një nga llojet e letërsisë epike – narrative, do ta rendisja te romani epope.

Sigal