Suedi/ 77 viktima në 24 orë nga koronavirusi, shteti vazhdon të mos izolohet

430
Sigal

Brenda 24 orëve numri i vdekjeve në Suedi dhe numri i rasteve të reja të koronavirusit ranë sot, ndërsa vendi vazhdon të mos bllokojë jetën e përditshme. Janë 77 vdekje të reja, nga 106 dje, duke e çuar totalin në 870 viktima, sipas shifrave të agjencisë së shëndetit publik të Suedisë.

Numri i infeksioneve të konfirmuara u rrit me 544, një rënie prej gati një të katërtën nga shifra e djeshme prej 722 infeksionesh ditore.

Kjo e çon numrin e përgjithshëm të rasteve në 9,685 të infektuar.
Këto shifra ka të ngjarë të përdoren për të ushtruar presion ndaj qeverive që kanë përdorur masa bllokimi për të luftuar Covid-19.
Më shumë se 4,000 nga 9,685 raste të konfirmuara të vendit janë në zonën e Stokholmit, sipas shifrave zyrtare.

Qeveria ka kryer gjithashtu marrjen e mostrave të rasteve që sugjerojnë që deri në 2.5 përqind të njerëzve në Stokholm janë infektuar.

Kjo nënkupton një shifër më të lartë prej rreth 60,000 në rajonin e Stokholmit, duke sugjeruar që shumë njerëz e kanë pasur virusin pa u përfshirë në numrin zyrtar.

Për dallim nga shumica e Evropës, Suedia nuk ka imponuar një bllokim dhe shkollat fillore, dyqanet, kafenetë, restorantet dhe baret mbeten të hapura.

Në përgjithësi, njerëzit nuk janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi, megjithëse u thuhet që të izolohen në shenjën e parë të “simptomave të lehta të ftohjes”.

Suedezët këshillohen të “mbajnë distancën” në palestra dhe ambiente sportive në vend që t’i shmangin ato.
Ekziston një ndalim i tubimeve të më shumë se 50 njerëzve, por rregulli është shumë më bujar se kufiri prej dy personash që ka Britania dhe Gjermania.

Finlanda tashmë ka lëvizur për të kufizuar vendkalimet kufitare, nga frika se virusi do të përhapet nga Suedia.
Qeveria në Stokholm ka theksuar marrjen e përgjegjësisë personale për shëndetin publik, por shumica e masave të saj nuk janë zbatuar.

Mungesa e bllokimit e bën Suedinë një rast të veçantë, por qeveria ka hedhur poshtë pretendimet e Donald Trump se vendi po vuan më shumë se të tjerët.

I pyetur në një konferencë të Shtëpisë së Bardhë të martën se çfarë këshille do t’u ofronte drejtuesve që ishin skeptikë ndaj masave për distancimin shoqëror, Trump u përgjigj: “Nuk ka shumë prej tyre … Ata flasin për Suedinë, por Suedia po vuan shumë rëndë”.

Ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde u iu kundërpërgjigj pretendimit të Trump se Suedia nuk po bënte sa duhet.
“Ne po bëjmë të njëjtat gjëra që po bëjnë shumë vende të tjera, por në një mënyrë tjetër”, tha Linde 4. “Ne kemi besim se njerëzit marrin përgjegjësi”.

Epidemiologu qeveritar Anders Tegnell tha se ai nuk besonte se Suedia po vuante më shumë se çdo vend tjetër.
“Jo, ne nuk ndajmë mendimin e tij”, u tha ai gazetarëve, duke iu referuar Trump.

“Sigurisht që po vuajmë. Të gjithë në botë vuajnë tani, në mënyra të ndryshme. Por kujdesi shëndetësor suedez … po kujdeset për këtë në një mënyrë shumë të mirë. Është shumë punë, është shumë stres për personelin dhe është me të vërtetë një luftë për ta çdo ditë, por po funksionon”.
Kryeministri Stefan Lofven thotë se ndërsa shumica e masave nuk ishin ndalime, ai prapë priste që të gjithë suedezët t’i respektonin.

“Këshillat e autoriteteve nuk janë vetëm sugjerime. Pritet që t’i ndjekim ato çdo ditë, çdo minutë”, tha ai.