Strehimi në Tiranë zgjidhet pas 1400 vitesh

599
Pas 23 vitesh mashtrim, tallje, sorollatje, pagesa e plotësim formularësh, vërtetimesh në zyrat e bashkive dhe komunave, sekserizmash me lekë “nën dorë” dhe lodhje me lojëra politike false nga “urithët” e pushtetit lokalë e qendror, më në fund bashkia e Tiranës miratoi kontigjentin e parë të banesave sociale. Është një histori e gjatë kjo e mos strehimit në Tiranë e cila edhe me këtë pakt “historik”, nuk zgjidhi problemin real që kanë të pastrehët e Tiranës. Kërkesat për strehim janë mijëra herë më të mëdha se 242 banesat që u aprovuan dje dhe që nuk dihet se kur do të futen banorët brenda tyre, mbasi në 10 vitet e fundit janë bërë shumë lista e vendime dhe banesat sociale nuk janë shpërndarë, përkundrazi janë shfrytëzuar prej atyre që i kanë ndërtuar e që i kanë kontrolluar si pushtet politik qendror e lokal, duke u dhënë me qira për interesa të tyre, në pazare mirëkuptuese. Dje, Këshilli Bashkiak i Tiranës zhbllokoi një numër simbolik banesash sociale, ose më saktë 242 apartamente, nga 1345 apartamente të ndërtuar me fondet e shtetit, por që nuk janë ndarë prej 10 vitesh. 
Bashkia plotëson 0.3% të kërkesave në 23 vite, strehimi në Tiranë zgjidhet pas 1400 vitesh 
Edhe pse lajmi i ndarjes së banesave sociale, u publikua me bujë, realiteti është që u akorduan vetëm 242 apartamente (banesa) sociale me sipërfaqe sa garazhet e makinave të shtetarëve. Në Tiranë janë depozituar 73 mijë e 129 kërkesa për strehim emergjent. Me vendimin e djeshëm, Këshilli Bashkiak i Tiranës i përbërë nga individë me nga 3-10 palë shtëpi e biznese, madje edhe me poste të larta shtetërore, dha me kredi e me qira 242 “çati”. Sipas një llogaritjeje aritmetike, rezulton se bashkia e Tiranës ka zgjidhur vetëm 0.3% të kërkesave. Fakti është ky: Në bashkinë e Tiranës janë bërë 73 mijë e 129 kërkesa për strehim. Kërkuesit i kanë plotësuar formularët nga 20 herë, ose më saktë për çdo vit, për shkak të zvarritjes dhe demagogjisë shtetërore për (mos)strehimin e tyre. Qytetarët që kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë strehim, kanë paguar edhe tarifat abuzive zhvatëse që ka vendosur shteti dhe bashkia me ligj e me vendime. Kanë paguar edhe mijëra lekë për dokumente nëpër hipoteka, komisione pronash, tatime, polici rrugore, bashki e komuna, deri në çerdhe e kopshte fëmijësh, dokumente këto, që i kërkonin dosjet për aplikim. Por nuk u janë dhënë banesa. Prej 23 vitesh ka vazhduar loja e “ping-pongut” bashki-qeveri-hallexhinj për banesat sociale, me viktima tallëse qytetarët e pastrehë. Tashmë janë shpërndarë 242 apartamente modeste. Por janë edhe 72 mijë e 748 familje në nevojë, që presin të strehohen. Kur do të bëhet realitet?! Sipas llogaritjes kohore të numrit të zgjidhjes së problemit “grimcë” të strehimit që u bë dje, strehimi në Tiranë do të zgjidhet pas… 1400 vitesh! shtohet pyetja: Cilët janë ata që janë përzgjedhur dhe miratuar si përfitues të banesave sociale? A ka në listën e 242 emrave përfitues të këtyre banesave shtetarë lokalë e qendror, zyrtarë e ish-zyrtarë shteti, biznesmenë dhe familjarë të tyre? Sa janë përfitues të të njëjtave familje, ose të afërm të shtetarëve qendror e lokalë në Tiranë, madje edhe brenda Këshillit Bashkiak? Këtyre pyetjeve do t’u japim përgjigje konkrete në vazhdim…. 
Fakti/ 143 mijë familje shqiptare kërkesë për strehim 
Në momentin që u realizua privatizimi i banesave ish-pronë shtetërore, ata që patën të tilla u bënë pronarë. Ata që ishin të pastrehë, pra pa banesa (sëmundje masive dhe e rëndë kjo e krijuar prej ish-sistemit komunist), mbetën të pastrehë në këto 23 vite. Po të pastrehë teorikë dhe praktikë, mbetën nga ky ligj privatizimi dhe ato familje, të cilat për shumë vite kanë banuar në shtëpitë e ish-pronarëve. Të gjithë këto familje, shteti dhe qeveria i përfshiu në një ligj tjetër special, duke i futur në disa lista familjesh të pastreha, të ndara në disa kategori të veçanta dalluese nga njëra-tjetra. Me shpresën se ky problem i madhe publik e jetësor për familjet pa çati do të zgjidhej shpejt, familjet e pastreha pranuan versionin shtetëror për mënyrën e strehimit dhe pritën marrjen një banese. Por edhe pse kanë kaluar 23 vite, ato vazhdojnë të presin një strehë, si ato 242 familje që dje teorikisht u bënë me “çati”. Janë 143 mijë familje të pastreha në gjithë Shqipërinë, që po mashtrohen pa fund. Në zyrat e strehimit në bashkitë e vendit, madje edhe në kasafortat e Ministrisë së Rregullimit të Territorit, në Entin e Banesave dhe nëpër 56 bashki, dergjen prej 23 vjetësh listat e individëve dhe familjeve të pastreha, të cilat presin një copë strehë. Këto lista, sipas skemës mashtruese e demagogjike, hartohen dhe grisen, përpilohen e fshihen, pasurohen, zgjaten e zvogëlohen, riorganizohen me ndarje e nënndarje klasifikimesh ligjore për kategoritë dhe emergjencat e familjeve të pastreha. 

Flitet për fonde speciale e urgjente nga qeveria, trumbetohet për kredi strehimi pa interes, përdoret një listë kreditimi false nëpër bashki e banka që nuk po jepen, flitet për mbledhje këshillash bashkiakë që dështojnë sepse gjoja këshilltarët e majtët, grinden e nuk bien dakord me të djathtët dhe anasjelltas, përdoren ca filmime televizive me blloqe pallatesh për të pastrehët, hartohen lista, anulohen lista, nxirren formularë e rregulla të reja aplikimi. Por nuk ka asnjë zgjidhje konkrete masive për hallexhinjtë që janë vërtetë të pastrehë e pa asnjë mundësi financiare për të blerë banesa. Kërkesat e tyre mbahen sirtarëve prej 23 vitesh. Trajtimi i të pastrehëve të evidentuar në bashkitë përkatëse, bëhet në bazë të fondeve të dhëna për këtë qëllim dhe të kushteve të përcaktuara në ligjin Nr. 8030, datë 15.11.1995 “Për kontributin e shtetit për familjet e pastreha” dhe sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 25 datë 16.10.1996 “Për procedurat dhe prioritetet që përcaktojnë kriteret për trajtim me strehim, kategorinë e qytetarëve të pastrehë, banues në banesat ish-pronë private dhe të atyre, që kanë akt-marrëveshje të pa zbatuar me Pushtetin Lokal. Siç shikohet, trajtimi i të pastrehëve të kategorisë së dytë, nuk përmendet fare as në ligj dhe as në vendimin e të pastrehëve! Janë 79 mijë e 360 familje të pastreha në të 36 rrethet e vendit, që janë kualifikuar në kategorinë e dytë. Po t’i referohemi shifrave zyrtare, numri i të pastrehëve të kategorisë së parë që përbëjnë kategorinë me banesa ish-pronë private dhe me akt-marrëveshje të pazgjidhura në pushtetin lokal. Çuditërisht edhe sot, pas 20 vitesh, në të gjitha zyrat e strehimit të bashkive në të gjithë vendin, pohojnë se ende vazhdon trajtimi i të pastrehëve të kësaj kategorie. Listës të gjatë të të pastrehëve të kategorisë së parë e të dytë, iu shtua dhe lista e të pastrehëve të krijuar pas vitit 1997, të cilët shitën banesat e tyre dhe futën lekët në firmat piramidale, të themeluara enkas për zhvatjen e financave të shqiptarëve. 
Ja 15 dokumentet, që plotësohen prej 23 vitesh prej të pa strehëve në çdo 3 muaj
1. Vërtetim për të ardhurat neto të familjes
2. Vërtetim nga Zyra e Ndihmës Ekonomike nga njësia bashkiake
3. Vërtetim nga zyrat e punës, për personat që marrin pagesë papunësie
4. Vërtetim nga sigurimet shoqërore për personat në pension
5. Vërtetim nga hipoteka, për pronat e paluajtshme
6. Dokumenti zyrtar i celebrimit
7. Certifikatë familjare
8. Certifikatat personale
9. Dokument ku provohet se kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar 
10. Formularë nëse je familje me shumë fëmijë dhe nëse jetojnë bashkë ose jo.
11. Deklarim që je në gjendje të shlyesh kredinë e banesës
12. Vërtetim që nuk ke makinë
13. Vërtetim që nuk merr pension suplementar
14. Vërtetim që nuk po ndërton shtëpi
15. Vërtetim që nuk ke biznes
10 kushtet për të përfituar kredi për banesë sociale
1. Që të tërheqësh kredinë e miratuar, duhet të paguash paradhënie në bankë 20% të vlerës së saj.
2. Që të tërheqësh kredinë e miratuar, duhet të kesh 80 mijë deri në 100 mijë lekë të reja ardhura financiare nga punë afatgjatë.
3. Që të tërheqësh kredinë e miratuar, duhet të blesh apartament nga firmat ndërtuese që të rekomandon banka, ndryshe nuk e fiton kredinë.
4. Që të tërheqësh kredinë e miratuar, duhet të paguash një interes bankar 30-40 mijë lekë të reja në muaj.
5. Që të tërheqësh kredinë e miratuar, duhet të marrësh një garanci prej pronarit të banesës që do blihet.
6. Që të tërheqësh kredinë e miratuar, duhet të kesh dy garantues të punësuar me jo më pak se 60 mijë lekë të reja në muaj si dhe me vendosje garancie objekti, si vlerë    “pengu” në bankë.
7. Që të tërheqësh kredinë e miratuar, duhet të kesh të punësuar 2 pjestarë të familjes, me kontratë pune jo më pak se 15 vjet.
8. Që të përfitosh kredinë e strehimit, duhet të jesh pa rrezik shëndeti për jetën, provuar kjo me raport mjeko-ligjor.
9. Që të tërheqësh kredinë e miratuar, duhet të jesh jo më tepër se 40 vjeç, mbasi kështu sigurohen
25 vjetët e afatit të shlyerjes së kredisë, në përputhje me moshën e daljes në pension.
10. Që të tërheqësh kredinë e miratuar, duhet të pranosh me kontratë noteriale, që nuk do të largohesh nga Shqipëria deri në shlyerje të kredisë prej 25 vitesh.
Sigal