Sqarim i Ministrisë së Bujqësisë për tenderin 1.6 mln euro për portin e peshkimit

137
Sigal

Ministria e Bujqësisë, e drejtuar nga Frida Krifca, ka reaguar pas një publikimi të një shkrimi në Gazetën “Telegraf”, për një projekt zgjerimi për Portin e Peshkimit brenda Portit të Durrësit.

“Investimet e parashikuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kanë për qëllim rritjen e kapaciteteve ankoruese të portit të peshkimit Durrës, i cili me zhvillimin e sektorit të peshkimit në vitet e fundit duhet të përballojë një fluks më të madh të anijeve të peshkimit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë”,- thotë Ministria e Bujqësisë, teksa sipas logjikës së tyre rezulton se ngjitur me rezidencat e arabëve do të ketë edhe një port peshkimi, një hambar për depozitimin e produkteve të detit!

NOA

Reagimi i ministrisë – “Porti i peshkimit Durrës është në përgjegjësi administrimi të Ministrisë Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për Drejtorinë e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës me VKM nr. 182, datë 28.3.2018 të Këshillit të Ministrave “Për disa shtesa në Vendimin nr. 613, datë 27.10.2017 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e listave të inventarëve të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat u kalojnë në përgjegjësi Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për Drejtorinë e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës “. Porti i peshkimit Durrës në zonën kadastrale 8514 me nr. Pasurie 14/42/ND, vol 41, faqet 89- 97, nuk është pjesë e portit tregtar Durrës dhe nuk preket në asnjë pjesë të tij nga projekti strategjik i portit të Durrësit. Nga projekti i Marinës, në portin e peshkimit nuk është parashikuar asnjë zhvillim. Investimet e parashikuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kanë për qëllim rritjen e kapaciteteve ankoruese të portit të peshkimit Durrës, i cili me zhvillimin e sektorit të peshkimit në vitet e fundit duhet të përballojë një fluks më të madh të anijeve të peshkimit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë”, -thuhet në reagimin e MB.