SPAK ‘shkrin’ Krimet e Rënda, ja kur betohen tetë prokurorët e Strukturës së Posaçme te Presidenti

541
Sigal

Tetë prokurorët e strukturës së posaçme, e njohur si SPAK, do të betohen para Presidentit të Republikës më 19 dhjetor.

Lajmi bëhet i ditur nga zyra e shtypit pranë Presidentit Meta, në një njoftim shpërndarë mediave nga zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi.

“Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, në përgjigje të kërkesës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Kryetarin e KLP-së, z.Gent Ibrahimi, në mbështetje të nenit 61 pika 2 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, ditën e enjte, në datën 19 dhjetor 2019, ora 09:30, organizon ceremoninë e betimit të 8 (tetë) prokurorëve të emëruar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).” thuhet në njoftimin e presidencës.

Tetë prokurorët e parë të SPAK, me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi, janë Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami(Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho. Struktura e Posaçme Antikorrupsion është struktura e posaçme që do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Betimi i prokurorëve të SPAK para Presidenti, do të shënojë edhe pushimin së funksionuari të Prokurorisë për Krime të Rënda. Për shkak të shkrirjes së institucionit, prokurorët e mbetur u transferuan në institucionin e akuzës në kryeqytet.

Këshilli vendosi një ditë më parë ndërkohë të caktojë përkohësisht në prokurorinë e Tiranës, edhe drejtuesen e komanduar të Krimeve të Rënda, Donika Prelën, si dhe prokurorët Anton Martini dhe Dritan Prençin, të cilët ishin të emëruar përkatësisht në Durrës, Shkodër e Kukës.

Ish-prokurorja e përgjithshme e përkohshme Arta Marku, u emërua prokurore në shkallën e dytë të gjyqësorit në kryeqytet.